Një aksident i rëndë i ka marrë jetën të paktën 9 personave në Turqi dhe ka lënë të plagosur rreth 30 të tjerë, pasi autobusi me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga për shkak të lagështirës së krijuar nga reshjet, dhe ka përfunduar në kanal.
Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara nga mediat turke, në momentin që shoferi ka tentuar të marrë kthesën, autobusi është mënjanuar dhe është përmbysur në kanalin anash rrugës.
Aksidenti mësohet se ka ndodhur në dalje të qarkut Aydıncık të autostradës Mersin-Antalia D 400.
Kryebashkiaku i Mersinit, Ali Hamza Pehlivan, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se “gjendja e 13 nga 30 të lënduarit tanë është paksa e rëndë”. tha ai.
Ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç, bëri të ditur se ka nisur një hetim gjyqësor nga Kryeprokuroria Publike e Aydıncık duke caktuar 2 prokurorë publikë lidhur me zbardhjen e plotë të aksidentit.
Dëshmitë e të plagosurve
Fırat Burun, një nga pasagjerët e plagosur, deklaroi se ata para pak aksidentit sapo ishin nisur nga një ndalesë që kishin bërë, ndërsa shtoi: “Dolëm me shpejtësi nga tuneli ku hymë. Ai nuk e vuri re kthesën, automjeti rrëshqiti”.
Studentja e infermierisë, Esra Uçar, pohoi se shoferi po ngiste autobusin me shpejtësi.
“Unë do të shkoja në Sirnak. Automjeti ishte shumë i shpejtë. Ne gjithmonë ankoheshim për shoferin, ishte faji i tij”, ka deklaruar ajo.
Şahin Selçuk, një tjetër i plagosur të cilit i është thyer këmba, theksoi se kërkonin që aksidenti të shqyrtohej në detaje, ndërsa dhe ai theksoi se shoferi ka vozitur shumë keq.
“Kam hipur në autobus nga Antalia, shoferi ka vozitur shumë keq, madje kam marrë në telefon babin dhe vëllain dhe kam dashur të zbres nga autobusi në Antalia Serik, por nuk kam zbritur se nuk gjeta mjet tjetër. Si pasojë, shoferi, i cili bëri një kthesë shumë të shpejtë në mot me shi, bëri që autobusi të përmbysej dhe të shkaktonte vdekjen e shumë njerëzve”, u shpreh ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al