NGA ARBEN QIREZI
LVV-ja, me veprimin joracional në KQZ, i bëri një shërbim Listës Serbe duke e viktimizuar pa pikë nevoje dhe duke ia rritur fuqinë elektorale në mesin e votuesve serbë. Me këtë i paraqiti Listën Serbe dhe Vuçiçin si “mbrojtës të vetëm të interesave të popullit serb”, që edhe është slogani kryesor i Listës Serbe për këto zgjedhje. Në këtë mënyrë, përfitues të veprimit janë LVV-ja dhe Lista Serbe, dy parti që e kanë një të përbashkët: Përfitimin elektoral duke luajtur në kartën nacionaliste. Për një qasje më të qëndrueshme, politika duhet të përqendrohet në forcimin e institucioneve dhe në promovimin e integrimit dhe të dialogut ndëretnik, duke i shmangur veprimet dhe retorikën polarizuese që nxisin ndarje të mëtejshme.
Me vendimin për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri shërbimin dhe fushatën më të favorshme të mundshme këtij subjekti, duke e viktimizuar atë para votuesve serbë dhe duke e paraqitur si mbrojtëse të vetme të interesave të popullit serb në Kosovë. Menjëherë pas këtij vendimi të KQZ-së, doli në konferencë për shtyp Kryeministri Albin Kurti dhe tha se KQZ-ja, përkatësisht anëtarët e KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, veproi kësisoj në bazë të qëndrimit të kësaj partie. Kryeministri e mbështeti publikisht vendimin, duke e theksuar qëndrimin e tij se Lista Serbe nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të lidhjeve të ngushta me Beogradin dhe mungesës së njohjes së shtetësisë së Kosovës nga kjo parti. Asnjë parti serbe në Kosovë, njëlloj sikurse Lista Serbe, nuk e kanë njohur në mënyrë eksplicite shtetësinë e Kosovës. Por është me rëndësi që ato, duke e përfshirë edhe Listën Serbe, të marrin pjesë në procesin politik nëpërmjet institucioneve shtetërore të Kosovës. As LVV-ja para se të certifikohej për herë të parë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, nuk i njihte shtetësinë dhe simbolet e Kosovës. Ajo madje e kontestonte shtetësinë e Kosovës, deri në momentin kur e mori pushtetin. Sipas këtij kriteri, as LVV-ja nuk qenka dashur të certifikohej si subjekt politik në vitin 2010. Deklaratat e Kurtit treguan për ndërhyrje në punën e një institucioni të pavarur, si KQZ-ja, duke ngritur shqetësime për ndikimin politik mbi vendimet administrative dhe ligjore. Ky veprim mund të ketë pasoja afatgjata për legjitimitetin e institucioneve të Kosovës dhe për marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtarë.
Po ashtu, kjo e bën viktimizimin e Listës Serbe në sytë e votuesve serbë edhe më të fuqishëm. Ky viktimizim do ta bëjë Listën Serbe fituese absolute të votave të votuesve serbë, sepse ata do ta shohin tek ajo një kauzë politike dhe të vetmen parti që do t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve serbë, të cilët po ashtu jetojnë nën propagandën e viktimizimit. Identifikimi i tyre me Listën Serbe është fuqizuar dhe do t’i lerë partitë e tjera serbe pa vota. Problemi me këtë vendim të KQZ-së është se u mor nga zyra e kryetarit të LVV-së. Pra, KQZ-ja nuk veproi sipas ligjit, por sipas urdhëresave politike të liderit të LVV-së. Prandaj, këtë vendim e rrëzoi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që përbëhet nga gjyqtarë që i zgjidhin ankesat e subjekteve politike e që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.
Argumentet ligjore të PZAPsë u bazuan në rregullat ekzistuese që e garantojnë pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë në procese demokratike, pavarësisht pikëpamjeve të tyre politike. Po të mos e bënte këtë PZAP-ja, atëherë ankesën e Listës Serbe do ta zgjidhte Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ka për mandat që të marrë vendime vetëm duke u bazuar në ligje, e jo në qëndrime politike të partisë në pushtet. Kurti e ka ditur që vendimi i KQZ-së do të rrëzohet nga PZAPja. Megjithëkëtë, ai jo vetëm që nuk hezitoi të thotë se KQZ-ja ka marrë vendim në bazë të qëndrimit partiak, por edhe e tha këtë duke e potencuar qëndrimin e partisë së tij se Lista Serbe nuk bën të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Me këtë, synimi i Kurtit është që t’i arrijë dy qëllime: I pari, të luajë në kartën nacionaliste, duke përfituar vota të diasporës dhe të të rinjve për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe e dyta, që ta riciklojë betejën kundër sistemit gjyqësor të Kosovës. Pra, porosia e këtij veprimi është: “Ja, po të varej prej nesh që jemi mbrojtësit e vetëm të interesit nacional, Lista Serbe nuk do të certifikohej, por fajin e ka gjyqësori i kapur nga partitë e vjetra të korruptuara dhe për të rregulluar gjërat, ne duhet ta luftojmë këtë sistem gjyqësor”. Por kjo strategji, e cila synon ta forcojë bazën elektorale të LVV-së duke luajtur me ndjenjat kombëtare, ka sjellë gjithashtu përfitime për Listën Serbe që do ta shfrytëzojë këtë situatë për të fuqizuar mbështetjen brenda komunitetit serb. Në politikë duhet vepruar me takt e jo me emocione. Për më tepër, ky veprim i LVV-së, që ka qëllime krejtësisht elektorale, e dëmton rëndë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Ky episod ka rritur tensionet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, të cilat e kanë theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të pakicave dhe të proceseve demokratike. Njashtu, vendimi ka potencial t’i përshkallëzojë edhe tensionet ndëretnike brenda vendit, duke i ndërlikuar përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie të integruar. Në vend që të mbështesë zhvillimin e elitave të reja serbe të pavarura nga Beogradi, veprimi mund ta ketë konsoliduar ndikimin e Vuçiçit dhe të Listës Serbe, duke e vështirësuar më tej procesin e integrimit të komunitetit serb në jetën politike të Kosovës. Thënë së buti, është një politikë joracionale dhe e papërgjegjshme që për synim të vetëm ka qëllimet elektorale e jo interesin e Kosovës. Sikurse çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi, mendoj se Lista Serbe nuk i sjell asgjë të mirë as Kosovës e as qytetarëve të saj serbë.
Madje, konsideroj se krijimi i Listës Serbe më 2013, si pjesë e marrëveshjes së parë për normalizim, ka qenë thikë pas shpine për elitat lokale serbe, që filluan të merrnin pjesë në procesin politik të Kosovës pa ndonjë ndikim të rëndësishëm nga Beogradi më 2008. Lista Serbe qe riciklim i Listës “Povratak” (Kthimi), që ishte negociuar në mes të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe ish-zyrtarit kryesor të Beogradit që merrej me Kosovën, Nebojsha Çoviq dhe që përbëhej nga degë të partive politike në pushtet në Serbi që mori pjesë në zgjedhjet e para parlamentare të Kosovës më 2001. “Povrataku” u shpërbë sapo ra nga pushteti koalicioni qeverisës në Beograd dhe u nevojit kohë derisa u krijuan formacionet politike të udhëhequra nga serbët lokalë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Listën Serbe dhe qytetarët serbë sërish do të mbeten pa kokë. Prandaj, Lista Serbe nuk është në interesin e qytetarëve serbë të Kosovës. Ajo do të zhduket kur nga pushteti të bie koalicioni qeverisës në Beograd, i udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, të cilit kryeministri Kurti, me veprimin në KQZ, i dha municion për ta sulmuar Kosovën edhe një herë për persekutim të serbëve të Kosovës. Kësaj radhe, atij do t’i besojnë sepse janë institucionet e Kosovës ato që me veprimin e tyre dhe për interesa elektorale të partisë në pushtet e bënë një veprim diskriminues në kundërshtim me ligjin.
Në vend që të adoptojë masa të bazuara në emocione dhe nacionalizëm, politika kosovare duhet të fokusohet në krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e forcave politike serbe, që janë të gatshme të punojnë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Kjo mund të arrihet nëpërmjet dialogut të hapur me komunitetin serb për të adresuar shqetësimet e tyre legjitime; mbështetjes së aktorëve politikë serbë që respektojnë integritetin e Kosovës dhe përmirësimit të imazhit ndërkombëtar të Kosovës nëpërmjet respektimit të ligjit dhe të institucioneve të pavarura. LVV-ja, me veprimin e saj joracional në KQZ, ia bëri një shërbim Listës Serbe duke e viktimizuar pa pikë nevoje dhe duke ia rritur fuqinë elektorale në mesin e votuesve serbë. Po kështu, me këtë i paraqiti Listën Serbe dhe Vuçiçin si “mbrojtës të vetëm të interesave të popullit serb”, që edhe është slogani kryesor i Listës Serbe për këto zgjedhje. Në këtë mënyrë, përfitues të veprimit janë LVV-ja dhe Lista Serbe, dy parti që e kanë një të përbashkët: Përfitimin elektoral duke luajtur në kartën nacionaliste. Për një qasje më të qëndrueshme, politika duhet të përqendrohet në forcimin e institucioneve dhe në promovimin e integrimit dhe të dialogut ndëretnik, duke i shmangur veprimet dhe retorikën polarizuese që nxisin ndarje të mëtejshme.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al