Është koha për të planifikuar për vitin e ri. Kjo vlen edhe për Milanin, sepse 2025 do të jetë një vit vendimtar për projektin “RedBird”. Xherri Kardinale e mbylli vitin 2024 duke rifinancuar borxhin ndaj “Elliott”-it deri në korrik 2028, duke u lidhur kështu edhe më shumë me të ardhmen e klubit. Dhe në planin e ri të rritjes, ka disa hapa që nuk mund të anashkalohen.
Në fakt, duhet të përshpejtohen. Para së gjithash, kualifikimi në Champions e vitit tjetër, objektivi minimal në fushë. Këtë e di mirë edhe Paulo Fonseka: dështimet nuk pranohen ose trajneri portugez do të jetë i pari që e pëson. Por në përgjithësi, e gjithë struktura teknike mund të përjetonte një tronditje vendimtare në rast mbetje jashtë Champions-it.
PARA PER MILANIN- Arsyeja është e thjeshtë. Milani i ka mbyllur me fitim dy vitet e fundit financiare, falë gjithashtu dhe mbi të gjitha të ardhurave të kompeticionit më të mirë europian dhe, në rastin e buxhetit të vitit 2024, për fitimin e konsiderueshëm kapital të realizuar me shitjen e Tonalit te Njukasëlli. Pronarët kuqezi shpenzuan më pas në merkato, pikërisht falë garancisë së parave nga Champions-i. Mos qenia pjesë e këtij turne në 2025-2026, megjithatë, do të thoshte të paktën 60 milionë euro të ardhura të humbura.
Një goditje e rëndë për arkën e shëndetshme të “Djallit”. Në atë pikë, shitjet e rëndësishme ose një merkato më e përmbajtur do të ishin të pashmangshme. Kardinale, në fakt, duhet t’u përgjigjet investitorëve, me të cilët tashmë ka mbledhur gjithsej 830 milionë (650 milionë si kësti i parë në 2022 dhe 170 me rifinancimin e fundit), pa llogaritur 55 milionë si pagesa kapitali në arkën e Milanit mes 2022-23 dhe 2023-24.
Dhe për të shlyer kredinë me “Elliott”, do të duhet të paguajë edhe 489 të tjera përpara afatit të caktuar në korrik 2028. Ndërkohë, misioni – i deklaruar edhe në punimin e botuar nga Shkolla e Biznesit të Harvardit – është të projektojë Milanin në të ardhmen.
RINOVIME – Synimi i Kardinales është “të fitojë në mënyrë inteligjente”, përmes balancimit mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Nëse të parët rriten, rriten edhe të dytat, si në një rreth vicioz. Në këtë kuptim, marrëveshjet për zgjatjen e kontratave (me pasojë rritjen e pagave) të lojtarëve kryesorë si Menja dhe Reijnders, të gjetura tashmë, do të zyrtarizohen së shpejti.
Për këtë arsye, Milani nuk mund të përballojë të humbasë të ardhurat e pasura që rrjedhin nga pjesëmarrja në Champions. Dhe as asete të rëndësishme si Teo Hernandez, kontrata e të cilit skadon në vitin 2026. Sidoqoftë, në mendjen e pronarit rinovimi i francezi është thelbësor.
QËLLIME – Kardinale, si i gjithë bordi drejtues dhe ekipi, ende beson me vendosmëri se sezoni mund të ketë një pikë kthese. Ndoshta duke filluar me Superkupën në Riad, mundësia për t’i dhënë Kardinale trofeun e tij të parë si pronar i Milanit dhe për të zbutur kritikat e tifozëve.
Nuk do të ishte thjesht një titull për t’i shtuar kabinetit të jashtëzakonshëm të trofeve të klubit, por një injeksion besimi për të gjithë. Ndërkohë, me dy fitore ndaj Gironës dhe Dinamos së Zagrebit në dy ndeshjet e fundit, Milani do të kishte shanse të mëdha për të hyrë direkt në 1/8-at e Champions-it, pa kaluar në faktorin e panjohur të play-off-it. Një rezultat prestigjioz jo vetëm në nivel sportiv, duke qenë se do të sillte të paktën 17 milionë të tjera mes premiove dhe shpërblime në arkën e klubit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al