Vjedhja e pronave në bregdet ‘ha’ kokat e drejtorëve të Kadastrës! Vetting zbardh raportin e KLSH: Trualli u dhurua me nënshkrua me ‘shenja gishti’

Oct 24, 2024 | 20:23
SHPËRNDAJE

EMISIONI VETTING

Drejtorët e Kadastrës nën hetim nuk zbatojnë vendimet

Në shkurt 2024, Prokuroria e Lezhës hapi hetimet për zyrtarët e kadastrës Lezhës, konkretisht për ish-drejtorin Gentian Malotaj, i cili në atë kohë u pezullua nga detyra së bashku me përgjegjësin e legalizimeve Artur Shabaku.

Ata u vendosën nën hetim nga prokuroria për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe me kërkesë të prokurores Iva Harka u kërkua pezullimi nga detyra, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata e Lezhës. Sipas prokurorisë, dy zyrtarët e ASHK-së Lezhë kishin legalizuar një pallat në zonën e Kunes, në Shëngjin, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Madje, në shtator 2024 u shkarkua nga detyra dhe drejtori Aris Mema për problemet me pronat, duke ia lënë vendin Altin Gjergjit.

veting 24 tetor (19)

Avokati Mevlut Derti thekson se: “Nuk janë të pakta rastet ku punonjësit e ASHK-së po arrestohen përditë, po kuptohet që po arrestohen përditë për shkelje të legjislacionit në fuqi”.

“Vetting” i ka drejtuar disa herë kërkesë për informacion Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë dhe ka vendosur në dijeni ASHK-në Qendrore për arsyet se pse nuk zbatohet vendimi 442/2006 i Gjykatës Lezhë, por në të dyja rastet nuk ka patur asnjë ndryshim për regjistrimin e pronave.

Madje, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Qendrore ia ka kaluar kërkesën për trajtim Kadastrës Lezhë.

Më 1 tetor 2024, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli, ka deleguar kërkesën e “Vetting” te Kadastra Lezhë, ku evidentohet denoncimi nga Nik Palokaj.

veting 24 tetor (23)

Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Drejtoresha Goxhobelli deklaron se ia ka kaluar trajtimin e kësaj kërkese dhe denoncimin e banorit Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë, e cila duhet ta trajtojë sipas akteve ligjore në fuqi.

“Vetting” bëri ankesë te Komisioneri për të Drejtën e Informimit për Kadastrën Lezhë, pasi nuk i përgjigjej kërkesave tona për arsyet e moszbatimit të vendimit të gjyqit.

PERGJIGJE

Komisioneri deklaroi se kjo kërkesë shtrihej përtej kompetencave ligjore që ngarkojnë Zyrën e Komisionerit.

Në lidhje me rastin, Zyra e Komisionerit që drejtohet nga Besnik Dervishi rekomandoi dhe nxiti Agjencinë Shtetërore të Kadastrës që të trajtonte me objektivitet sipas ligjeve në fuqi kërkesën për informacion.

Sipas Endri Shabanit: “Nëse dikush paguan lekë për t’u bërë drejtor Kadastre, o do t’i paguajë dikush që e ka në plan për të vjedhur, ose do ta financojë dikush që e ka plan për ta shfrytëzuar këtë institucion për të vjedhur”.

Por a janë vetëm këto problemet që ka Kadastra Lezhë?

Nga dokumentet zyrtare, “Vetting” ka zbuluar se Kadastra Lezhë ka patur probleme të mëdha me mbivendosjen e pronave dhe tjetërsimin e tokës shtet.

Në raportet periodike për funksionimin e Kadastrës evidentohet se ka patur probleme me organizimin, duke krijuar kaos brenda administratës dhe duke ngatërruar kompetencat dhe përgjegjësitë për secilin nga specialistët.

Këto ngatërresa lidhen me rolin e regjistruesit dhe juristëve përsa i përket ndjekjes dhe përpunimit të praktikave brenda afateve, si dhe trajtimin dhe përgjigjen e ankesave.

veting 24 tetor (12)

Për periudhën 2017-2019, në Kadastër ka munguar Sistemi i Mekanizmave të Kontrollit të Brendshëm, gjë e cila është në kundërshtim me ligjin nr. 10296 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”.

Do të ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që do të çmontonte kaosin që kishte ndodhur me pronat në qytetin e Lezhës, ku janë lakmuar dhe tjetërsuar sipërfaqet e tokës shtet.

Sipas audituesve, kemi ndryshim të gjendjes së tokës në kundërshtim me ligjin, duke kërkuar që të merren masa ndaj personave përgjegjës. “Vetting” ka zbuluar detaje, që tregojnë se Kadastra Lezhë është kthyer në një plaçkë private në duar të disa personave.

Konkretisht në vitin 2017, në Zejmen të Lezhës është tjetërsuar me anë të një kontrate dhurimi një sipërfaqe toke nëpërmjet përdorimit të gishtit në vend të firmës, pasi personat në fjalë supozohej se nuk dinin të shkruanin.

aaaaa

Por kjo kontratë noteriale e dhurimit ka mangësi dhe dokumentacioni paraqet kontradikta dhe mospërputhje. Në një kohë që dy personat sipas Kadastrës Lezhë nuk dinin të firmosnin, para 30 vitesh, KLSH-ja evidenton se këta persona kanë firmosur disa dokumente në vitin 1995.

Madje mungon deklarata e anëtarëve të familjes, të cilët duhej të zgjidhnin përfaqësuesin e ri të familjes. Në raport gjendet edhe ish-regjistruesi i  kadastrës, Ndue Vathi, person që përmendet dhe nga Nik Palokaj për transaksione që janë kryer mbi pronën e këtij të fundit pas vendimit të gjykatës.

Sipas Nik Palokës, menjëherë pasi janë arrestuar dhe dënuar personat që nxorën prokurën false për pronën e tij, në dhjetor 2012 janë bërë transaksione shit-blerje toke nga ish-Zyra e Regjistrimit nën drejtimin e Ndue Vathit.

Sipas Nik Palokajt: “Edhe e ka hap ai drejtori i Hipotekës, Ndue Vathi dhe fill e ka mbyll dhe prapë e ka mbyll atë pronën… Iku ai drejtori, erdhi drejtori tjetër, kanë qenë duke shitur tokën, s’kisha ca me bo, shkoja i denoncoja.”

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kritikuar veprimet dhe masat e marra nga ish regjistruesi Ndue Vathi, pasi ka lëshuar dokumente në kundërshtim me ligjin në të paktën dy raste.

Në njërin rast, ish-regjistruesi Vathi nuk ka verifikuar pronën nëse kanë qenë e përfshirë Avokatura e Shtetit në gjykim apo jo.

Sipas audituesve, në mënyrë që të bëhet rikthimi në gjendjen e mëparshme dhe parandalimi i tjetërsimit të mëtejshëm të paligjshëm të pronës publike “Ranishte” në zonën “Mali i Rencit”, kjo zyrë që ka patur si regjistrues Vathin duhet të bëjë verifikimin e të gjitha pasurive që rrjedhin nga pasuri nr.821 deri në transaksionin e fundit.

Këto pasuri janë regjistruar në kundërshtim me vendimet e kthimit të pronave dhe vendimet e gjykatave. Vathi ka paraqitur kundërshtime, por KLSH-ja ka evidentuar se kundërshtimet e tij nuk kanë bazë ligjore dhe janë jashtë kontekstit duke e bërë përgjegjës për shkeljet.

Sipas avokates Margarita Kola: ““Veprime, transaksione të cilat janë në kundërshtim me ligjin, ato shpallen të pavlefshme thotë ligji sepse ligji e ka shumë mirë të përcaktuar”.

LEXO EDHE: Saga e pronave, Vetting zbulon ‘grabitjen’ në Lezhë! Toka me vlerë 7 milionë euro shitet me dokumente të falsifikuara për 2.5 mijë euro! Denoncuesi: Përmbaruesi u bë pale më hajdutët

“Iku Vathi, erdhi Shtjefni”- Denoncuesi tregon kalvarin e vuajtjeve: Prokurorët nuk hetojnë abuzimet me pronat te “Rana Hedhun”! Vetting: Kush fshihet pas truallit të ‘marrë peng’!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura