“Vlera në treg përllogaritet rreth 13 milionë euro”- Shifrat e OKB-së: Shqipëria ia kalon edhe Meksikës! Prodhoi 3.600 ton kanabis në 2021, niveli më i lartë që nga viti 2016!

Jul 3, 2023 | 7:33
SHPËRNDAJE

Teksa Shqipëria po hedh hapa konkretë për legalizimin e kanabisit për qëllime të prodhimit mjekësor, bima e ka “gjetur” sërish rrugën përpara këtij zyrtarizimi.

kanabis

Në raportin e fundit të Zyrës Kundër Drogave dhe krimeve të Kombeve të Bashkuara janë publikuar shifrat e kultivimit të kanabisit, prodhimit dhe asgjësimit për periudhën 2013-2021 për shumë shtete të botës.

Për Shqipërinë raportohet për herë të parë krahas informacionit të bimëve të asgjësuara dhe shifra e prodhimit të kanabisit, që është 3,601 ton bar kanabis dhe 2 ton koncentrat kanabisi.

Nisur nga numri i bimëve të asgjësuara, që ishte rreth 166 mijë, ky është niveli më i lartë i kanabisit të prodhuar që nga viti 2016, teksa në atë kohë u asgjësua një rekord prej 2.5 milionë rrënjë kanabis, periudhë kur u shënua një kulm i kultivimit të kësaj bime në Shqipëri. OKB e llogarit prodhimit indirekt, përmes numrit të rrënjëve të asgjësuara.

Në këto nivele, prodhimi i raportuar i kanabisit ia kalon dhe Meksikës, që sipas të dhënave të raportit për vitin 2018, kur raportohet informacioni i fundit kishte prodhuar 2,726 ton kanabis (shiko tabelat në fund). Nivelin më të lartë e ka Maroku, me mbi 20 mijë ton në vit.

Vlera e tregut të rreth 3.6 mijë ton kanabis të raportuara si të prodhuara në Shqipëri është rreth 13 milionë euro (përllogaritje të Monitor bazuar mbi çmimet e tregut për kg).

Në raportin e një viti më parë po të OKB-së, Shqipëria renditej e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e barit të kanabisit për periudhën 2016-2019, (nga 154 shtete gjithsej) pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës, Pakistanit dhe Libanit.

Sipas raportit vjetor të drogave, Kanabisi vazhdon të jetë droga më e përdorur në botë, me rreth 219 milionë përdorues (4.3 për qind e popullsisë së rritur globale) në vitin 2021.

Përdorimi i drogës po rritet dhe megjithëse globalisht përdoruesit e kanabisit janë kryesisht meshkuj (rreth 70 për qind), ndarja gjinore po zvogëlohet në disa nënrajone; gratë përbëjnë 42 për qind të përdoruesve të kanabisit në Amerikën e Veriut.

Legalizimi

Para pak ditësh, qeveria shqiptare miratoi një projektligj për Kontrollin e Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit dhe nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale përmes subjekteve të licencuara dhe nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kombëtare që do të ngrihet për këtë qëllim.

Shqipëria hyn në tregun e ligjshëm, duke ju bashkuar rreth 40 shteteve në të gjithë botën që e kanë lejuar tashmë, me përvojë dhe me një forcë pune të kualifikuar për shkak të dominimit që ka në tregun e zi.

Sipas projektligjit, sipërfaqja në dispozicion do të jetë rreth 200 hektarë.

Licenca jepet për një ose disa veprimtari për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi me kërkesë për secilin nga aktivitetet.

Formati i licencës për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë. Licenca jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme. /Monitor

Screenshot_20230701_220359_Word

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura