Vota e emigrantëve/ Topalli: Diaspora nuk do të votojnë pushtetin aktual! Nëse mobilizohen, do të bëjnë rotacion

Jan 18, 2025 | 17:37
SHPËRNDAJE

Drejtuesja politike e PD-së për Diasporën, Jozefina Topalli ka bindjen se emigrantët votën e tyre do ia besojnë Partisë Demokratike.

jozefina topalli

E ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ në News24 është shprehur se në 10 vitet e fundit janë larguar mbi 1 milionë shqiptarë. Sipas saj, këto shqiptarë nuk do të votojnë për partinë në pushtet.

“Koha dhe largësia gjeografike, dhe kultura e vendit ku jetojnë, kanë një ndikim. Nuk jam në gjendje të them sa janë të update për politikën shqiptare, por ata që kanë prindërit këtu, janë edhe më të vetëdijshëm, vetëm duke ditur pensionin që kanë prindërit e tyre. Vota e emigrimit është një ekuacion me shumë të panjohura, por një gjë është e sigurt; në 10 vitet e fundit janë larguar mbi 1 milionë shqiptarë. Këta që janë përzënë, nuk besoj se do të votojnë për pushtetin aktual. Vota është cështje besimi, nëse të kanë përzënë nga shtëpia, nuk të sjellin një buqe me lule. E dyta, ata janë shumë më të lirë dhe të pavarur sesa shqiptarët e administratës, janë të kondiconuar me vendin e punës nëse familjarët e tyre jashtë nuk votojnë pushtetin aktual”, tha Topalli.

Ajo gjithashtu se nëse emigrantët mobilizohen, do të sjellin rotacionin politik.

“Në takimin që kisha në Gjermani kishim të pranishëm edhe shqiptarë nga Kosova. Ata janë para nesh, kanë aplikuar votën e diasporës në dy mandate tashmë, por kanë edhe një lidhje shumë të fortë me vendin e tyre dhe proceset politike që ndodhin. Kurti më shumë është kryeministër falë votës së diasporës.

Sa i përket Shqipërisë, ne kemi një bllok elektoral të jashtëzakonshëm në të gjithë botën që nëse do të mobilizoheshin të regjistroheshin e më tej të votonin, do të bënin kthesa të jashtëzakonshme politike, si një fuqi e pashfrytëzuar gjatë 3 dekadave për të bërë edhe rrotacionin. Vëmendja shumë e fortë tek diaspora”, tha Topalli.

Ndër të tjera, ajo u bëri thirrje të regjistrohen deri më 4 mars, në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar më 11 maj, nga vendi ku jetojnë.

“Nuk do ia lejoja vetes të jepja një gjykim në këtë fazë. Janë ditët e para të një sfide që besoj është dhe për KQZ, për të regjistruar shqiptarët. Deri dje ishin regjistruar 22 mijë shqiptarë në adresën elektronike të KQZ. Doja t’ju thosha shqiptarëve që për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, duhet të regjistroheni në aplikacionin e KQZ. Pasi të hapni llogarinë në platformën elektronike, mund të ngarkoni adresën tuaj dhe në momentin që pranoheni jeni në regjistrin e zgjedhësve, por kujdes sepse nëse regjistrimin nuk e bëni deri më 4 mars, nuk keni mundësi për të votuar nga vendi ku jeni”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura