NGA XHEVAT MUSTAFA
Më 6 nëntor 2024, Donald Trump, pasi shpalli fitoren e merituar e të thellë dhe nisi festimet, njëherazi filloi të mendojë për detyrimet, përgjegjësitë dhe shqetësimet e mandatit të dytë si President i SHBA-ve! Por, edhe për ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë, në departamente dhe institucione të tjerë qeverisës! Ndërsa Kamala Harris, humbi thellë, por gjithashtu me meritë të vetën, të shefit të saj Joe Biden, të partisë, të Xhorxh dhe Alex Soros e të “perandorisë së tyre” si dhe të një tufe të madhe globalistësh të majtë… Këta i besuan misionin e pamundur të fitonte mbi Trump e të ndalonte uraganin e tij! Qysh nga data 6 nëntor, sidomos gjatë asaj dite dhe ca ditë të tjera më vonë, deri sot, pas 20 ditësh, ajo është parë fytyrëvrerosur, më shumë me shami e peceta apo në pasqyrat e nevojtoreve, për të fshirë lotët dhe njollat e tyre! Pastaj, duke qarë e duke u ngushëlluar në gjoksin e Obamës, Biden, të Xhorxh Soros, të Hilari Klinton…! Përtej humorit dhe euforisë: Kjo fitore nuk ka përse të mërzisë e trembë edhe humbësit në Amerikë e kudo ku janë, përfshirë edhe këta në Shqipëri! Edhe pse nuk kam simpati personale për Donald Trump si njeri, si biznesmen dhe politikan, nuk mund të mos e shpreh bindjen se me atë si President i SHBA, ka fituar shumica e qytetarëve amerikanë, republikanë, demokratë, të pavarur… si dhe e popujve dhe vendeve në botë!
Shumë njerëzve, sidomos neve në Shqipëri, u ka bërë përshtypje korrektesa dhe normaliteti i zgjedhjeve dhe shpejtësia e nxjerrjes dhe publikimit të rezultateve. Kjo është e lehtë kuptueshme! Këtu në Shqipëri, Ilirian Celibashi me shokë e shoqe, në Tiranë e qytete të tjerë, vonohen me shumë ditë e javë për të shpallur rezultatin përfundimtar, sepse u duhet të përmbushin urdhrin e partisë e të kryeministrit për t’ia dhuruar fitoren me çdo formë e mënyrë partisë së tyre të zemrës…! Pra, ata nuk i numërojnë votat një më një, me korrektesë, ndershmëri, pavarësi të plotë partiake e politike, por ua ndërrojnë adresën dhjetëra mijëra votave, për t’u shpallur fitues sa më shumë kandidatë nga partia e tyre, me apo teserë e që ajo të mbetet sa më gjatë në pushtet…!?
Referuar rregullsisë e korrektesës së procesit zgjedhor në SHBA, sidomos gjatë procesit të numërimit të votave e për nxjerrjen e rezultateve, ndryshe edhe nga fushata zgjedhore e fillim nëntorit 2020, në të cilën nga Partia Republikane dhe vetë Trump si president, iu la Xhorxh Sorosit dhe tufave të tij “shesh për të bërë përshesh”, shumë qytetarë të thjeshtë, politikanë jo të majtë, opinionistë politikë në Shqipëri e nga diaspora shqiptare kanë shprehur keqardhjen se përse nuk ndodh kështu edhe tek ne e jemi shumë larg standardit amerikan, britanik, zviceran dhe të vendeve të tjerë të BE-së… Biles, edhe të zgjedhjeve në vendet fare ngjitur me ne, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Malin e Zi, Greqi… Me një dozë humori: të përjetosh standardin amerikan, zviceran, gjerman, francez, holandez, belg, nordik, britanik… në Shqipëri, sidomos për sa kohë është në pushtet Rama-parti-qeveri, është njësoj sikur këto vende mund të bëhen Shqipëri…!
Duke mos iu referuar shifrave dhe meritave personale të Trump e të Partisë Republikane, fitorja e 6 nëntorit 2024 është rrjedhojë edhe shumicës së zgjedhësve në SHBA, së pari republikanë, si dhe të pavarur e një kontingjent jo i papërfillshëm nga anëtarësia e simpatizantë të Partisë Demokrate. Duke votuar në shumicë për Donald Trump, sa ai të fitojë ndjeshëm dhe Partia Republikane të ketë shumicat në Senat dhe në Kongres, ata shprehën ato cilësi që na mungojnë prej të paktën 80 viteve ne shqiptarëve si popull! Pra, mund të thuhet pa mëdyshje se fitorja e Trump është rezultat i nivelit të lartë të emancipimit demokratik dhe qytetar të popullit në SHBA. Shumica e zgjedhësve në këtë vend, ngjashëm si në pjesën më të madhe të vendeve të Perëndimit, kur shkojnë para kutive të votimit ose votojnë në rrugë elektronike, më parë se partinë dhe kandidatin e saj vlerësojnë vetet dhe familjet e tyre, mirëqenien si qytetarë, si blerës të përditshëm, si qirapagues, si taksapagues…! Mbi gjithçka, llogaria është bërë me mend në kokë e duart në xhepa, kuleta, depozitat bankare e jo nga tesera apo simpatia partiake! Por, edhe duke kujtuar sa ishin çmimet e ushqimeve, të karburantit, qiratë e banesave… Në nëntor 2020 e sa janë në nëntor 2024. Pra, duke bërë secili votues bilancin “sa kam fituar unë si qytetar gjatë 4 viteve të shkuar nga qeverisja Biden-Harris? Më janë rritur gati dyfish shumica e çmimeve dhe kostoja e jetesës? Atëherë nuk ia jap votën Kamala Harrisit, edhe pse më pëlqen si njeri, si femër, si grua, si politikane dhe do të votoj për Donald Trump, pa ia kujtuar shumë stivën e lartë të dosjeve të sajuara nëpër gjykata mbush me gjyqtarë dhe prokurorë sorosianë. Në fund të fundit, ky, në mandatin e tij si president, më 2016-2020, ishte i suksesshëm në fushat e ekonomisë e të mirëqenies…
Çmimet ishin gati dyfish më të ulëta se sot, më 5 nëntor 2024…! Si qytetar shpenzoja më pak e kurseja më shumë për në bankë e për të ardhmen…”! Pra, jeta e përditshme, bindja dhe vota politike e partiake në Amerikë dhe në vendet e tjerë të zhvilluar edhe për nga nivelet e emancipimit qytetar, politik, demokratik… janë së pari ekonomi, llogari, mirëqenie në ngritje të vazhdueshme…! Ndërsa tek ne prej 80 vitesh, fatkeqësisht, çmendurisht, për të keqen e shumicës së popullit, mbi njeriun, qytetarin, mirëqenien masive, Shqipërinë, mbi demokracinë dhe drejtësinë e vërtetë… janë “partia dhe kryetari i zemrës”, edhe pse na kanë mashtruar dhe vjedhur miliarda, normalitet, gëzime, të ardhme më të mirë… sy më sy me premtime rrense dhe me abuzime të pashpirta e të paskrupullta për 67 apo 80 vjet! Kjo marrëzi vetëvrasëse apo vetëmohuese shqiptare u shpreh edhe në takimin e Kryeministrit Edi Rama më 24 nëntor 2024, me tufa emigrantësh shqiptarë në Londër, kuptueshëm edhe nga qytete të tjerë të Britanisë së Madhe, por edhe nga Shqipëria partiake dhe qeveritare!
Nëse pjesëmarrësit në turet apo farsat paraelektorale të Edi Ramës në Nju Jork, Selanik, Londër… do të ndjeheshin shqiptarë, qytetarë, demokratë perëndimorë mes tyre duhej të kishte jo pak që të kishin kurajën t’ia thoshin në shqip kryeministrit: “Mjaft me fjalime pa bukë e ujë! Se çfarë keni bërë për 80 apo 33 vjet, e kemi parë me sytë tanë! E shprehin shumë qartë të gjitha klasifikimet ndërkombëtare e botërore, sipas të cilave Shqipëria dhe shqiptarët renditen ndërtë fundit në Evropë dhe botë për treguesit kryesorë të zhvillimit, mirëqenies, shtetit ligjor e social, demokratizimit të përjetueshëm e ndër të parët vetëm për të këqija”! Ndryshe nga shqiptarët mbetur akoma në Shqipëri e ca tufa në diasporë, votuesit në SHBA më 5 nëntor 2024, gjatë fushatës elektorale dhe me votë, i thanë anglisht dhe shqip Kamala Harrisit dhe ekipeve mbështetëse të saj: “Nuk t’i japim votat vetëm për trupin, sytë, fjalët dhe premtimet e bukura!
Do të të ndëshkojmë për ato që na premtove e nuk i bëre për 4 vjet me radhë…”! Prandaj Amerika është Amerikë dhe Shqipëria “Shqipëri…”! Mes shqiptarëve, nëpër ambiente familjare, në lokale, stola lulishtesh… qysh nga data 6 nëntor 2024 ka shpërthyer debati se sa e si do të ndikojë fitorja dhe presidenca e Trumpit për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan? Kuptohet lehtë se disa, sidomos “të majtë” denbabaden apo qysh nga 8 nëntori 1941, 29 nëntori 1944, 23 qershori 2013, ato që nuk mendojnë e guxojnë t’ia kërkojnë Edi Ramës për 11 vjet ia kërkojnë Donald Trumpit, t’ua realizojë për 1 vit apo për 4 vjet! Mendje shqiptare me ligësi, edhe ndaj vetes dhe vendit tënd, hashiqare…! Ose: “Mungesë mendjeje” fare! Shkurt e shqip: Kjo Shqipëri, ky popull, kjo klasë politike, qeverisje, demokraci, drejtësi…, përbëjnë një thesar të pashtershëm partishmërie fanatike e të verbër, çudirash, paradoksesh, skandalesh…!
Gjithsesi, procesi zgjedhor dhe fitorja e pastër e Donald Trump më 6 nëntor 2024 janë një leksion demokracie e qytetarie, emancipimi politik, sidomos për ne shqiptarët. Të shpresojmë, se do ta kujtojnë dhe do t’i zbatojnë mësimet e këtij leksioni konkret në zgjedhjet parlamentare të pranverës 2025 shumica e votuesve në Shqipëri, të djathtë, të majtë, të pavarur…! Së pari, e mbi të gjitha, duke pasur më në fund zgjedhje me të vërtetë të lira, të pastra, të ndershme dhe me sytë në ballë e mend në kokë nga shumica e votuesve të tre grupimeve apo palëve, kur të ndodhen para kutive të votimit apo pajisjeve, ata që do të votojnë në formë elektronike…! Tejet e vështirë, thuajse e pamundur e më afër një ëndrre të parealizueshme, por siç është thënë e shkruar, shpresa vdes e fundit…! Natyrisht, nëse na ndihmon edhe Zoti në qiell, Amerika e Donald Trump dhe BE në tokë, që të mos na rindodhë kushedi për të satën herë gjëma vetëvrasëse, që me mendje e duar shqiptare, para syve dhe hundëve tanë si dhe vëzhguesve, ambasadorëve, misionarëve diplomatikë të SHBA-së e të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, të na vritet edhe kjo shpresë tepër e vakët apo fare e pakët…!
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al