Gjykata e Apelit ka lënë në burg dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin vranë 33-vjeçarin Ramzan Mataj për nderin e së motrës, në fshatin Dragoç të Shkodrës mbrëmjen e 4 janarit.
Gjykata, e cila mori në shqyrtim çështjen pas ankimit të paraqitur nga Klisman Hasaj, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase sigurimi më të butë, e ka cilësuar si të ligjshëm ndalimin e dy vëllezërve, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Kujtojmë se Arjon Hasaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Ndërsa, Klisman Hasaj, akuzohet për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Kujtojmë se Arjon Hasaj, 29 vjeç, ka pranuar krimin dhe ka treguar se arsyeja pse e ka vrarë Ramazan Matajn, ka qenë për shkak të një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh dhe se ai i kishte prishur dy martesa asaj.
Sipas Hasajt, 33-vjeçari i kishte dërguar burrit të dytë të motrës së tij dhe njerëzve të tjerë në fshat edhe video intime, ku viktima shfaqej me të motrën e autorit.
Sa i përket vrasjes, 29-vjeçari ka treguar se viktimën e ka nxjerrë në pritë, pas një bisede që kanë patur në Instagram, me anë të një profili të rremë vajze.
Ndërkohë, vëllai i vogël, Klisman Hasaj, 23 vjeç, ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
NJOFTIM PËR MEDIA
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, më datë 05.01.2025, rreth orës 07:15 në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është marrë njoftim se, në fshatin Dragoç, Njësia Administrative Postribë, Shkodër, është një person i vrarë dhe gjendet në një tip Benz. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale A. H dhe K. A.
Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:
– personit nën hetim me iniciale A. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278 të Kodit Penal.
– personit nën hetim me iniciale K. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga nenet 80, 278 dhe 301 të Kodit Penal.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 32 (47), datë 10.01.2025, ka vendosur:
-Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim A. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” të parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim A. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
-Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim K. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal
-Caktimin ndaj personit nën hetim K. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Çëhtja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personi nën hetim me iniciale K. H, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 03.02.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Fatri Islamaj, vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 32 (47), datë 10.01.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al