AFRIM IMAJ/ Kur akoma nuk ishte fashitur jehona e protestave masive të pranverës së vitit ’81 në Prishtinë, në janarin e vitit 1982, një tjetër lajm do trondiste Kosovën dhe Shqipërinë.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR ( LEXO KETU)
Ekzekutimi nga dora vrastare e qarqeve antishqiptare me porosi nga Beogradi e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës në Gjermani, zuri në befasi e shokoi mbarë botën shqiptare. Ka qënë kjo një nga vrasjet më të bujshme për të cilën debatet nuk kanë rreshtur as sot. E ka përcjellë asokohe Tirana zyrtare me vëmëndje e dhimbje këtë ngjarje tragjike, por gjithnjë e kujdesur për të qëndruar larg përshtjellimeve që kishin përfshirë Kosovën në atë periudhe.
Fakti që njëri nga të ekzekutuarit, Jusuf Gërvalla, kishte qënë prej kohësh në vëzhgimin e shërbimeve të fshehta dhe njihej prej tyre si njëri prej veprimtarëve patriot, që operonte sa në Kosovë dhe në diasporë, e bënte ndodhinë akoma më impenjative, megjithë misteret pafund të rrethanave të atentatit tragjik. Prej kohësh, Sigurimi i Shtetit shqiptar ndiqte me mundësitë e veta ecurinë e veprimtarëve shqiptar të Kosovës që operonin në vend dhe në emigracion në Europë. Për pjesën më të madhe të tyre kishte dosje të veçanta ku pasqyrohej në vijim aktivitetit i çdo njërit syresh.
Një të tillë kishte hapur dhe për Jsuf Gërvallën, që në fillimin e viteve ’70 njihej njëherazi si këngëtar e publicist, por dhe si një veprimtar i çështjes shqiptare në Ish Jugosllavi. Ndryshe nga praktika e rëndomtë e shërbimit të fshehtë shqiptar, dosjet në fjalë nuk kishin për objekt ndjekjen e tyre, sikundër ishte praktika për kundërshtarët e regjimit, por sigurimin e të dhënave për njohjen e profilit dhe aktivitetit të veprimtarëve të ndryshëm që luftonin për çështjen e lirisë së Kosovës, për të bërë një lloj filtrimi nga “patriotët” e investuar nga UDB-ja e mbi të gjitha për ta linjëzuar kauzën e punën e tyre në shinat e politikës të Partisë shtet të drejtuar nga Enver Hoxha.
Dokumenti i parë në dosjen e Jusuf Grvallës, mban datën 11 dhjetor 1973, me të dhënat që i ka ofruar shërbimit të fshehtë një nga bashkpunëtorët e tij që në atë kohë kishte ardhur për vizitë nga Kosova me një grup të shkrimtarëve për fëmijë. Ai ka vënë në vëmendjen e zyrtarëve të Tiranës se Jusuf Gërvallës i ishte ndaluar nga Beogradi e drejta për të botuar e për të shprehur në medja mendimet e veta, se paraqeste rrezik për regjimin e Titos dhe ndiqej nga afër prej policisë sekrete. Në vijim ka të dhëna e raporte të tjera nga bashkpunëtorët e sigurimit në Beograd, Kosovë e Europë, që aty këtu edhe përplasen me njëra tjetrën.
Madje, përkundër të vërtetës, ka të besuar nga autoritetet shqiptare që dëshmojnë se Jusuf Gërvalla shërben fshehtas për UDB=në, ndërkohë që ai i ishte përkushtuar shpirtërisht e familjarisht çështjes kombëtare. Në numurat e kaluar kemi botuar pjesën e fashikullit të dosjes disavjeçare ku dokumentohen të dhënat e informatat e siguruara nga Sigurimi i Shtetit mbi aktivitetin e Jusuf Gërvallës dhe rrethanat misterioze të atentatit të 17 janarit 1982 që i mori jetën atij dhe vëllait të tij Bardhoshit bashkë me Kadri Zekën.
Përveç të dhënave nga agjentët e fshehtë, zyrtarët e shërbimit të fshehtë kishin arkivuar në dosjen përkatëse dhe shkrimet e medias gjermane të atyre ditëve që bënte fjalë për kronikën e ngjarjes tragjike. Në numrin publikojmë për herë të parë dëshminë që Suzana Gërvalla e shoqja e Jusufit ka dhënë në zyrat e Sigurimit të Shtetit në Tiranë vetëm pak ditë pas mbritjes në Shqipëri në pakujdesjen e shtetit shqiptar.
*******
DOKUMENTI
Suzana Gërvalla
SEKRET
Ekzemplar nr. 2
Tiranë, më 05.04.1982
INFORMACION
Suzana Ahmet Gërvalla, e strehuar politike në RPS të Shqipërisë, gjatë kontaktit që pata me të, tregon: “Punëtorët kosovarë në Gjermani e në vende të tjera perëndimore qëndrojnë lart moralisht, ashtu si edhe populli në Kosovë”.
Është krijuar bindja se do të fitojmë patjetër republikën dhe se kjo duhet të arrihet në qershor të këtij viti. Prandaj, siç e di unë, demonstratat në Kosovë do të vazhdojnë nga një rreth në tjetrin në çdo dy javë. Demonstratat do të fillojnë edhe te kosovarët në vendet perëndimore, ku më datën 3 prill do të nisin në Bon, e do të pasohen në Frankurt të Gjermanisë, si dhe në shtete të tjera. Nëse nuk do të shpallet Kosova Republikë, do të fillohet rruga tjetër, lufta me armë. Armët janë futur nga jashtë dhe mendohet se në përgjithësi armët e brezit janë të mjaftueshme, por mungojnë armët e gjata. Edhe ato po futen nga jashtë të çmontuara.
Lufta me armë do të fillojë se nuk mbetet rrugë tjetër, ndryshe situata do të kthehet prapa, shtypja do të rëndohet, burgosjet e torturat do të shtohen dhe këto nuk i duron Kosova. Nga ana tjetër, është krijuar bindja se edhe Bosnja e Kroacia do të lëvizin.
Në rradhët e punëtorëve kosovarë në vendet Perëndimore ka agjent të UDB-së dhe ka mosnjohje e mosbesim ndaj njëri-tjetrit. Spiunazhi jugosllav e gjerman janë të lidhur dhe ndjekin kosovarët. Kështu, jugosllavët arritën të vrasin Jusufin, Bardhoshin dhe Kadri Zekën. Tradhtia është brenda. Ibrahim Kelmendi, i cili është nga Rugova dhe prej shumë vitesh vazhdon gjoja si student në Zvicër, xhepat i ka plot me të holla, lëviz nga një shtet në tjetrin, paraqitet si revolucionar e organizator, është me shumë të meta në karakter, imoral, dallaveraxhi, merret me njerëz të ndryshëm, flet shumë dhe me Jusufin ka patur kontradikta.
Për Ibrahim Kelmendin kemi dyshime. Një natë para vrasjes së Jusufit, Ibrahimi erdhi nga Zvicra së bashku me Kadri Zekën. Deri në drekë ishte te ne në familje, ndërsa Kadriu ndejti aty edhe në mbrëmje. Në mbrëmje vonë, Kadriu nguli këmbë që së bashku me Bardhoshin dhe Jusufin të dalin nga banesa për t’i telefonuar gruas së tij që kishte në Zvicër, që t’a njoftojë se nuk do të kthehet në Zvicër, në mënyrë që ajo të mos presë dhe të qetësohet. Edhe pse Jusufi kundërshtoi daljen në këtë kohë, më në fund dolën dhe në këtë rast ndodhi vrasja e Jusufit, Bardhoshit dhe e Kadriut. Kur Policia gjermane merrte punëtorët në pyetje, Ibrahimi porosit njërin prej tyre që para policisë gjermane të thotë se “Ibrahim Kelmendi, atë natë kur u vra Jusufi, ka qenë tek shtepia ime”. Dyshimi tjetër është se pas vrasjes së Jusufit, Ibrahimi ndejti disa ditë në shtëpinë tonë, ku dhe ishin shumë kosovarë të tjerë. Gjestet e tij në familjen tonë nuk qenë të mira. Ai deshti të merrte në dorët frenat e familjes tonë, kështu që u këshillova me shokë dhe e përzura nga shtëpia.
Që nga vrasja e Kadri Zekës, Jusufit dhe Bardhoshit, Ibrahimi endet e gjoja punon me të vejën e Kadriut dhe flitet keq për të.
Gruaja e Kadri Zekës, fillmisht nuk njihesh fare nga ana jonë. Dinim se kishte qenë studente në Kosovë, kishte ikur në kohën e demonstratave dhe kishte arrritur në Zvicër. Aty ishte njohur me Kadri Zekën dhe 3 muaj para vrasjes së tij qenë martuar. Si tip e si gjeste ajo nuk na pëlqente. Me kohë nisëm të mësojmë se në ambient njihej me emra të ndryshëm si Makbule, Kimete e Bule. Na tërhoqi vëmendjen edhe ftohtësia e saj në varrimin e Kadriut, burrit të saj. Më vonë mësuam se kjo quhet Saime Isufi (Jusufi), është nga fshati Gjyrgjevc i Gjilanit dhe se flitet që e ka derguar UDB-ja me detyra.
Shënim: Këto të dhëna paraqesin interes dhe kërkojnë vlerësime, qëndrime e masa të mëtejshme lidhur me situatën e pritëshme dhe me kombinacionet e zbulimit jugosllav në gjirin e forcave revolucionare të Kosovës në vendet Perëndimore.
Zëvendeskryetari i Degës së III SHABAN BRAJA
*******
Ibrahim Kelmendi është vrasësi i Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla. Dëshima e Zana Gërvallës në vitin ’82 para autoriteteve shqiptare, është përsëritur disa herë vitet e fundit sidomos në mediet e Kosovës.
Po disa herë Ibrahim Kelmendi i është kundërpërgjigjur publikisht duke pohuar se vrasësi nuk është ai. E ndërsa ka vazhduar rituali i akuzave e kundër akuzave më së fundi Kelmendi I është drejtuar organeve të drejtësisë, duke paditur Zana Gërvallën për shpifje. Më poshte po zbardhim një pjesë të padisë të zotit Kelmendi…
RRËFIMI I IBRAHIM KELMENDIT
Suznana Gërvalla, e shoqja e Jusuf Gërvallës, duke shpifur dhe trilluar gjëra të paqena, synon ta përlyejë, njollosë dhe denigrojë nderin, emrin dhe personalitetin tim.
Ajo ka deklaruar “Jusufi, Ibrahim Kelmendin tri herë e ka qitë prej shtëpie. Se Ibrahimi ishte spiun shumë i rrezikshëm. E dishim të gjithë se çka punon ai. Edhe sot e atë ditë ashtu ka mbetë. Edhe ne të gjitha dyshimet i kemi tek ai”. Këtë prononcim znj. Suzana Gërvalla e ka bërë në një intervistë televizive. Po e citoj sipas asaj që dëgjohet aty. “Më 16 janar 1982, na erdhi një kasetë me filma nga Shqipëria dhe u mlodhen në një vend punëtorët me pa atë kasetë.
Ndërkohë Kadria (Zeka, plotësim konkretizues nga unë, I. K.) dhe ky, Ibrahim Kelmendi, bashkë me ni t’afërm t’Ibrahim Kelmendit, kanë marrtë vesh ku janë duke pa kasetënë dhe kanë shkuar atje, n’atë sallën ku kanë qenë ata. Kanë pa filmin dhe erdhën të ne pastaj, erdhen pasi kanë pa filmin. Jusufi nuk ka mujt kurrnjiherë me Ibrahim Kelmendin. Tri herë e ka qit prej shpije, se Ibrahimi, kështu, spiun, ishte spiun shumë i rrezikshëm. E dishin t’gjithë çka punon ai. Edhe sot e atë ditë ashtu ka met. Edhe ne t’gjitha dyshimet i kemi të ai, për gjithë këto që kanë ndodhë.
(…) Ibrahim ka nejt deri në ora katër, atë ditë. Në ora katër Ibrahim ka shkue, Kadria ka met…”. Nga ky fragment rezulton se Suzana Gërvalla më ka akuzuar për spiun të rrezikshëm të shërbimeve jugosllave dhe ka bërë akuzë ndaj meje: “ne t’gjitha dyshimet i kemi te ai, për gjithë këto që kanë ndodh”, që do të thotë për vrasjet e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës dhe komplotet e pastajmë. Fjala është për tragjedinë e 17 janarit 1982, kur ka ndodhur vrasja e Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, në Untergruppenbach, Gjermani. Jusuf Gërvalla të premten e 15 janarit 1982 më ka dërguar letër rekomande në të cilën, pos tjerash, më ka shkruar: “Tani po të njoftoj se këto ditë na arriti në videokasetë me pesë filma shqiptarë. Po të nxorri rruga këndej dhe po pate mundësi, merr videofonin tuaj dhe eja t’i ri-inçizojmë…”
Në mëngjesin e të shtunës së 16 janarit 1982, duke qenë Kadri Zeka dhe unë mysafirë të Sylë dhe Vezire Nuhaj, nga Baliqi i Ferizajit, atëherë e tani me banim në Dyseldorf, Gjermani, na vjen njoftimi te Murat Kryeziu, në Bernhausen. Sylë Nuha ka huazuar një automjet që të na transportonte Kadriun dhe mua deri te Murat Kryeziu (larg nga Dyseldorfi rreth 410 km). Në mbrëmje arritëm te Murati. Aty gjetëm Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe rreth 15 bashkatdhetarë.
Pamë video-tv-dramën historike dedikuar Shote Galicës, me titull: “Gërsheta lufte”. Rreth orës dy të pas mesnatës, tashmë të ditës kalendarike 17 janar 1982, me propozim të Jusufit ndodh përmbyllja e asaj bisede. Edhe pse ishte planifikuar që Kadri Zeka, Sylë Nuha dhe unë të shkonim për të fjetur të Faridin Tafallari (Prizren / Nagod, Gjermani), Jusufi insistoi që Kadriu, Syla dhe unë të shkonim për të fjetur të familja Gërvalla, atëherë me banim në Untergruppenbach. Meqë nata ishte e acartë, me dëborë, akull e mjegull të dendur, rrugëtimin prej rreth 55 km mezi e kemi bërë për rreth dy orë.
Në shtëpi të vëllezërve Gërvalla duhet të kemi arritur rreth orës katër të mëngjesit të ditës së diel, më 17 janar 1982. Në dhomën e ndejës kemi hasur në një njeri të fjetur në kauç, të panjohur, për të cilin u tha se ishte aty për herë të dytë, meqë ishte azilkërkues dhe po ndihej i rrezikuar në strehimoren e azilkërkuesve. U informuam se ishte nga fshati Bllacë i Suharekës.
Ate dhe Sylë Nuhën Bardhoshi i sistemoi për të fjetur. Shkoi edhe Bardhoshi për të fjetur, edhe për shkak se Jusufi nuk preferonte të ishte edhe ai pranishëm në bisedë që donte të bënim. Kështu, mbetëm për të biseduar Jusufi, Kadriu dhe unë. Fillimisht Kadriu, e kritikoi Jusufin për atë lloj bujarie të tepruar, meqë bartte me vete edhe rrezikimin fizik. Pastaj zuri fill biseda për zhvillimet e fundit që kemi pas në emigracion. Gati deri në ora tetë të mëngjesit zgjaten bisedimet. Rreth orës 15 të ditës së dielë të 17 janarit të kobshëm duhet të jemi zgjuar për të ngrënë drekë.
Me insistimin e Jusufit dhe Kadriut, unë u dashtë të udhëtoja, bashkë me Sylë Nuhajn, për në Dyseldorf, meqë në Klubin Shqiptar kishim paralajmëruar shfaqje të një filmi shqiptar për të dielën rreth orës 20. Jusufi na e dha videokasetën, që i kishte ardhur nga Tirana. Ata ishin të mendimit se do të duhej domosdo të isha unë i pranishëm, meqë ata nuk kishin mundësi, sepse do të duhej të udhëhiqja diskutimin për filmin që do shfaqej. Jusufi e Kadriu mbeten që të përpilojnë dokumentacionin për bashkimin që kishim miratuar, edhe pse Kadriu e kishte në agjendë të shkonte atë ditë në Zvicër, meqë të hënën në mëngjes i duhej të ishte në punë.
Rreth orës 19.30 Syla dhe unë duhet të kemi arritur në Klubin Shqiptar në Dyseldorf. Kemi përcjell tv-dramën “Gersheta lufte” dhe kemi diskutuar deri rreth mesnate. Jemi shpërnda për të fjetur, meqë të gjithë, pos meje, duhej të ishin në punë të hënën në mëngjes. Më ka marrë Hyzri Reka (nga Nerodimja, Ferizaj, me banim në Dysledorf) të flija në banesën e tij. Sapo jemi shtrirë për të fjetur, na ka ardhur lajmi i hidhur për vrasjet e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit. Në mëngjes, rreth orës shtatë, kam arritur në Untergruppenbach,, bashkë edhe me Kunatën time, Sabrije Kelmendin. Suzana Gërvallën nuk e kemi gjetur në shtëpi.
Na thanë se ishte në spital. Gjetëm Tushen, Bashkëshorten e Bardhoshin, tre fëmijët e Jusufit dhe disa bashkatdhetarë që tashmë kishin arritur aty. Duke qenë në shtëpi të Vëllezërve Gërvalla, rreth orës 8.30, me ka marrë me makinë shefi i grupit hetimor (SOKO) për vrasjet, që të rrëfeja për ato që dija. Të paktën dy orë duhet të ketë zgjatur intervistimi. Kam rrëfyer pa ndonjë rezervë e vetë-censurë, për të gjitha që më kanë pyetur. Në shtëpi të familjes Gërvalla kam ndej gati tri javë ditë, meqë të vejat Gërvalla kishin bërë kërkesë në konsullatën e RSFJ-së, që kufomat të barteshin në Kosovë për t’u varrosur. Ajo kërkesë qe refuzuar.
Gjatë atyre ditëve Suzana Gërvalla është mirësjellur fisnikërisht e bujarisht, gjatë gjithë ceremonisë mortore gati tre-javore. Edhe Nëna Ajshe, Nëna e Vëllezërve Gërvalla, që pati ardhur në ndërkohë nga Kosova, edhe Tusha, bashkëshortja e Bardhoshit dhe tre fëmijët e Jusufit, kanë qenë shumë të mirësjellshëm, sepse po ndanim atë pikëllim.
*******
Jeta-luftë e Jusuf Gërvallës
Në pak radhë njëri nga bashkëluftatarët e tij, e ka tipizuar profilin e Jusuf Gërvallës, heroit të Kosovës, në vendin e nje epitafi: Jusuf Gërvalla! 1 tetor 1945 – 18 janar 1982. 36 vjet jetë, një epokë e tërë në ndërgjegjen shoqërore të shqiptarëve në trojeve e tyre, jashtë Shqipërisë administrative.
Shëmbëlltyrë e dëshirës së pashterrur të shqiptarëve për liri dhe drejtësi. Shëmbëlltyrë e luftëtarit të mirëfilltë të lirisë. Krenaria e një gjenerate, e cila ishte e ndërgjegjshme që liria arrihet vetëm me trimëri, mençuri dhe dije.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al