Vrasja e Arben Bilalit/ Dëshmitë e miqve dhe lëvizjet e fundit, rrëfimi i gruas: Lajmin ma ka dhënë vajza, qante, thoshte vetëm babi

Jan 20, 2022 | 4:30
SHPËRNDAJE

Oficerja e policisë Matilda Bilali sapo mësoi lajmin e vrasjes së bashkëshortit së saj, Arben Bilali la zyrën e saj të punës dhe u nis me urgjencë. Teksa vraponte, ajo dëgjonte mes ulërimash në telefon vajzën e madhe, e cila i rrëfente se babain ia kishin qëlluar për vdekje me dhjetëra plumba kallashnikovi pranë pragut të shtëpisë.bilali

Ora shënonte 14:30 minuta e 30 janarit 2019, kur kryeqyteti u trondit nga një tjetër atentat i mirëorganizuar, një ngjarje që lidh shumë fije dhe interesa, mes njerëzve të botës së krimit, por që ngre dyshime edhe për korrupsion në sistemin e drejtësisë.
Arben Bilali, një ish-efektiv policie që jetonte prej vitesh i ngujuar, u qëllua pa mëshirë, 200 metra larg shtëpisë së tij në Selitë.
Ai sapo kishte zbritur nga makina e mikut të tij, në kryqëzimin e Rrugës “Haxhi Isuf Banka” me rrugën “Sefer Kondi”, kur nga brenda një automjeti tip ‘Mercedes Benz’ u derdhën mbi trupin e tij 14 plumba.

Ish-punonjësi i ‘Bluve’ në komisariatin nr. 2 në Tiranë dhe pjesë e repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, nuk pati asnjë mundësi të mbrohej.
Pamje filmike, që rrëqethën me mizorinë e tyre këdo që i pa.

“Ka qenë në shtëpi, ka dalë. Në momentin që është kthyer me makinë është qëlluar nga disa persona nga një makinë tjetër. Kamerat e shtëpisë kanë fiksuar targën, mjetin, ngjyrën, llojin, markën, mjet i cili është gjetur të nesërmen e ngjarjes mesa di unë në Lundër”, rrëfeu e veja e Bilalit.

Babai i dy vajzave, kishte vite që bënte një jetë të kufizuar, pasi më herët i ishin vrarë dy vëllezër dhe vetë i kishte mbijetuar një atentati të mirëorganizuar.
“Për shkak të situatave familjare, më janë vrarë dhe dy kunetër të tjerë, njëri në vitin 1997 Bujar Bilali dhe tjetri, Leonard Bilali në 2010 disa muaj pas plagosjes së bashkëshortit tim. Kunati është vrarë në gusht të 2010, ndërsa bashkëshorti im është plagosur në maj të 2010. Për shkak të këtyre ngjarjeve bashkëshorti im ruhej, kishte shumë kohë që nuk dilte nga shtëpia, që nga ajo periudhë”, thotë Matilda Bilali.

“Arben Bilalin e njoh, sepse ka bërë ushtrinë me babain tim. Në dijeninë time, ai ruhej, nuk dilte. Nuk më ka thënë se nga kush ruhej”, shprehet Arben Çali, mik i viktimës.
Sikurse del nga dosja hetimore, orët e fundit të jetës, ish-polici i kaloi në shoqërinë e mikut të tij, Arben Çali.
Ja çfarë iu tha ai hetuesve.
“E telefonova Arben Bilalin dhe i thashë të pinim kafe. Ai mu përgjigj se do të ngrihej nga shtrati, do të hante diçka dhe do të dilte. I tregova se isha tek kthesa e Kamzës dhe do të shkoja ta merrja te shtëpia e tij”.
Sipas dinamikës së lëvizjes, nga Kthesa e Kamzës, Çali ka hyrë në Unazë dhe më pas është drejtuar për në Selitë, për në banesën e Bilalit.
Aty e ka pritur vetë miku i tij, i cili është akomoduar në vendin e parë të makinës.
Automjeti me Çalin në timon dhe Arben Bilalin në vendin e parë, ka marrë rrugën për te shkolla ‘26 nëntori’ për të vijuar në zonën e njohur si ‘Pallati me Shigjeta’.
Në Unazën e Re, dy miqtë kanë hyrë në një lokal ku kanë qëndruar deri në orën 12:30.
Në bisedë e sipër, Çali i ka thënë mikut të tij Arben Bilali se i ishte ndezur një llambë në kroskot dhe se nuk dinte se si ta rregullonte dhe se për këtë i nevojitej ndihma e tij.

Është ky momenti kur Arben Bilali i thotë mikut të tij në tavolinë, se njihte një elektroaut fare pranë shtëpisë së tij, që mund ta ndihmonte.
Menjëherë ata janë çuar nga tavolina dhe kanë marrë të njëjtën rrugë kthimi nga ku kishin ardhur. Miku i viktimës thotë se ata u ndalën në një servis në zonë.
Punonjësi i servisit nisi menjëherë nga puna për të kontrolluar defektin në makinë.

Ndërkohë që mekaniku vazhdonte punën e tij, dy miqtë kanë qëndruar në pritje në këmbë. Në këtë moment pranë tyre afrohet një kushëri i ish- efektivit të policisë, që i fton të ulen në kafe.
Një moment, elekroauti thërret Arben Çalin dhe i kërkon të shkonte për të blerë një litër vaj për makinën.
Gjatë kohës që Çali u nis për të kryer porosinë, Arben Bilali dhe kushëriri i tij qëndruan në shoqërinë e njëri-tjetrit në lokal. Të tre së bashku drejtohen për tek servisi dhe pritën për të marrë makinën.
Kushëriri i Arbenit largohet, ndërsa Çali dhe Arben Bilali, janë drejtuar me makinë në banesën e tij të fundit. Çali thotë se me të zbritur miku i tij nga makina, ai ka dëgjuar disa të shtëna në breshëri.

Në këtë moment ai ka ndalur makinën të cilën drejtonte dhe ka parë në pasqyrë një automjet ‘Mercedez Benz’, tipi CLS vitprodhimi 2008-2010 me ngjyrë të zezë, me katër dyer.
“Automjeti kishte ndaluar dhe nga ana ime e majtë qëllohej vazhdimisht me breshëri”.
Pasi ekzekutojnë Bilalin, automjeti largohet me shpejtësi në drejtim të Komunës së Parisit. Në kushtet e tronditjes së fortë, miku i viktimës thotë se nuk mundi dot të shquajë targën e automjetit të atentatorëve.

Ai rrëfen se doli nga makina dhe shkoi tek miku i tij që dergjej në tokë. Pranë tij, kujton, se erdhi edhe një grua e cila e ndihmoi ta fusë në makinë për ta dërguar më tej në Spitalin Ushtarak.
Përpjekje e cila në fakt rezultoi e padobishme, pasi Arben Bilali humbi jetën në vendngjarje. Fakti, që autorët e ekzekutuan pikërisht në daljet e tij të rralla nga shtëpia, policia ngriti dyshime se ai u vëzhgua me imtësi nga autorët.
“Patjetër, unë mendoj se ato e kanë vëzhguar prej kohësh për të parë kur dilte, kohën, kur shkonte, dilte pak, por dilte”, thotë gruaja e tij.
Një dëshmi interesante që tregon se Arben Bilali ishte në ndjekje, është edhe ajo e mikut të tij, Gentian Hoxha.
Vetëm pak ditë përpara se të ndodhte atentati, ai e kishte marrë viktimën me makinën e tij, nga ku kishte vënë re edhe lëvizje të dyshimta.
Dyshime të cilat i shprehu edhe në dëshminë e tij përpara policisë, pas ngjarjes.

“Disa ditë përpara se Arben Bilali të ekzekutohej, unë e mora te ‘Pallati me Shigjeta’ dhe e dërgova me makinën time te shtëpia e tij. Më pas udhëtova i vetëm në segmentin bulevardi ‘Bajram Curri’, ‘Brryli’, më pas sërish në Bulevardin ‘Bajram Curri’. Gjatë përshkimit të kësaj segmenti, te rruga e Elbasanit vura re lëvizje të dyshimta të një automjeti tip SMART për të cilin dyshova se po më ndiqte, ndaj e shmanga në kryqëzim.

Në semaforin e ‘Brrylit’, përpara meje kam vënë re lëvizje të dyshimta të një automjeti tip ‘Benz’ me ngjyrë të bardhë C Klas, i vitit 2007-2010. Automjet i cili më ka zënë rrugës disa herë pa shkak, ku mendova mos kishte ndonjë problem me mua. Edhe këtë automjet e shmanga në këtë kryqëzim. Në kthim pranë ATSH-së, vura re vrapimin e një djali të ri, në drejtim të urës ‘Ali Demi’.

Person të cilin dyshova se po më ndiqte mua. Eca me shumë shpejtësi nga frika se mos këto persona po më ndjekin, ose kanë menduar se në automjetin tim ndodhej edhe Arben Bilali. Unë e dija që Arbeni kishte probleme, pasi disa vite më përpara i kishin vrarë edhe dy vëllezër, por nuk e di saktësisht se me kë persona i kishte pasur problemet”, tha Gentian Hoxha.

Ekzekutimi mafioz i Bilalit, ngriti në këmbë policinë. Në momentet e para, asnjë gjurmë e autorëve nuk dukej. Por, gjetja e një makine në Mjull Bathore më 2 shkurt, ndezi shpresat e hetuesve.

Automjeti ishte MERCEDEZ BENZ, tipi CLS me targa AA757RU, që rezultoi të ishte vjedhur në qytetin e Vlorës në 2017, që ishte braktisur në zonën periferike te Tiranës, rezultoi të ishte mjeti i përdorur nga autorët. Kjo u provua nga kamerat e sigurisë, që filmuan atentatin.

Në automjet u gjetën dy armë, automatike, një kapuç në formë maske me ngjyrë te zezë, lastera gjurmëkopjues transparent, një kupon tatimor, një xhup me ngjyrë te zezë, me kapuç, si dhe një shishe plastike, SPRING NEPRAVISHTË me tapë të kuqe.
Në shishen plastike u zbuluan mbetje pështyme dhe u përftua një profil gjenetik i vlefshëm për krahasim. Gjithashtu nga sendet e tjera u përftua një profil i dytë ADN dhe dy profile gjenetike mikse. Provat shkencore çuan në arrestimin e një të dyshuari për krimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura