Vrasja e elitës së kombit, ftesë që të mos harrojmë

Nov 18, 2024 | 7:59
SHPËRNDAJE

besimndregjoniBESIM NDREGJONI

80 vite më parë, më 17 nëntor 1944, Tirana do të gdhihej e përgjakur me trupat e intelektualëve të Tiranës të vrarë nga barbarët komunistë, vetëm se ata nuk ishin komunistë. 80 vite më vonë, sot kremtojnë 80-vjetorin e vrasjes së tyre përballë murit ideologjik të diktaturës të rikrijuar në emër të “demokracisë” dhe pa dhënë llogari për krimet që kishte bërë Partia Komuniste Shqiptare. Mbas 80 vitesh, këta intelektualë nuk kanë një varr, sot shumicës së tyre nuk u është dhënë dëmshpërblimi sepse nuk janë vrarë pas 25 tetorit, një arsyetim banal klasor, që vetëm klasa politike shqiptare e bënte me mbeturinat e komunizmit që kishin zënë kolltuqet e ligjvënëse shqiptarë. Sot shoqëria shqiptare ndodhet në një ndarje të pashmangshme, në antikomunistë dhe komunistë që kanë ndërruar emrin në socialistë.

Ku vemi, ku vete Shqipëria, kujt i intereson kjo ndarje, pse ne antikomunstët duhet të përballemi me urrejtjen klasore të pasardhësve të diktaturës, përse nuk e shembim këtë mur siç u shemb Muri i Berlinit 35 vite më parë. A po përballemi ne me të kaluarën tonë si shoqëri e si komb…? Vëllavrasjet e shumta që shkaktoi Lufta e Dytë Botërore, për marrjen e pushtetit nga komunistët, arratisjet e shumë shqiptarëve antikomunistë, prej atyre që dinin stuhinë që po vinte, ishin të ndërgjegjshëm se çështja shqiptare qe shitur tek ata që u shërbenin antishqiptarëve. Vrasjet e pafundme pa gjyq, arrestimet, dënimet, pushkatimet, rezistenca në male, djegiet e kullave, shpronësimet, zaptimet e dhunshme të shtëpive, rrëmbimi i pasurive të arit, internimet masive të familjeve, gra, pleq e fëmijë të krejt elitës shqiptare e shndërruan pesëdhjetëvjeçarin e pushtetit diktatorial një faqe të zezë, më makabren të një gjenocidi ende të panjohur për botën demokratike.

Të mos heshtësh përpara së keqes është mision… Ky mision kombëtar është emergjent për shoqërinë tonë, në këtë periudhë postkomuniste, ku diktatura ka mbetur legjitime e padënuar. 80- vjetori i vrasjes makabër të elitës së kombit siç ishin 39 intelektualët e Tiranës të vitit 1944, na kujton dhe obligon: Dënimin e krimeve komuniste juridikisht, siç e kërkon Europa, siç e kërkojnë konventat ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut. Demokracia nuk është për të mbrojtur krimin, por për ta dënuar atë që të mos përsëritet. Në një shoqëri normale demokratike, ata që i kanë shërbyer diktaturës nuk kanë referencë morale për të qënë udhëheqës politikë në një sistem demokratikë. Por, çfarë ndodh mbas 34 vitesh pluralizëm në Shqipëri?! Partia Komuniste përgjegjëse direkt në krime, ndërroi emrin dhe nuk u penalizua ligjërisht për krime ndaj kombit të vet. Klasa politike shqiptare si produkt i diktaturës ktheu në ligje datat selektive të diktaturës siç janë 5 maji, 17 nëntorin dhe 29 nëntorin, vendosjen e regjimit diktatorial në Shqipëri. Partia që ndërroi emrin, sot është mazhoranca e vendit dhe po përgatitet për të kremtuar 80-vjetorin e të ashtuquajtur “çlirim” dhe rehabilitimin e diktatorit Enver Hoxha. Këto data nuk janë aspak në shërbim të së vërtetës dhe shoqërisë, por mbrojtje politike, që i bëhet sistemit diktatorial në Shqipëri. E vërteta dhe e dokumentuar dhe nga arkivat e huaja është ndryshe, luftën ndaj fashizmit e nazizmit e bënë shqiptarët pa dallim feje, krahine apo ideje.

Atë luftë e vaditi me gjakun e tij ushtaraku i mbretërisë shqiptare Mujo Ulqinaku e Abas Kupi me trimat e tij, trimi i Vlorës, ballisti Hysni Lepenica. Pra, ishin shqiptarët pa ideologjinë komuniste, që e rreshtuan vendin e tyre në koalicionin botëror kundra diktaturave së asaj kohe. Komunistët luftuan për marrjen e pushtetit me sloganet e diktatorit rus “Bijtë e Stalinit jemi ne” dhe e realizuan mision e tyre fatkeq me 29 nëntor 1944, ku instaluan diktaturën dhe diktatorin më të lig të Europës në pushtet. Kjo diktaturë vrau mbi 6000 shqiptarë dhe e rrënoi vendin për 45 vite. 17 e 29 nëntori 1944 janë ditët më të zeza për Shqipërinë e shqiptarët, se e shkëputen Shqipërinë nga Europa, dhe ne humbën shansin për të qenë vend demokratik. E vërteta dhe shoqëria duhet t’ua çjerrin maskën deformuesve, nostalgjikëve dhe enveristëve që na dalin si kërpudha mbas shiut. Diktatori Enver Hoxha është në historinë e popullit shqiptar Si Polt Poti i Kamboxhias dhe Stalini i fundit në shekullin e kaluar. Ai do të njihet në histori për vrasjet që i bëri kombit të tij. Nuk ka historian që mund ta shpëtojë. Është koha që të gjithë forcat antikomuniste, institucionet religjione, partitë, intelektualët me mendim liberal, media progresive të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekjeje të mbarsur me moral pervers, që po kërkon t’i serviret dhe t’i imponohet brezit të ri.

Helmatisja e brezit të ri me ideologjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje duhet konsideruar tradhti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për liri e demokraci. Mesazhi përkujtues i 80-vjetorit të vrasjes së intelektualëve të Tiranës konkludon në dy çështje madhore për antikomunistët dhe të përndjekurit politikë të Shqipërisë për shqiptarët në përgjithësi: E para, të luftojmë kundër harresës. Harresa është vdekja e dytë e viktimës, komunistët kanë vrarë mbi 6000 burra e gra dhe ua kanë zhdukur kufomat. Por po të harrojmë sakrificat e tyre, dëshmorët do të vdesin përfundimisht dhe po të ngjasë kjo, ne të gjithë jemi përgjegjës.

Me rikujtimin e tyre ne shpëtojmë nga vdekja e përhershme heronjtë, dëshmorët dhe viktimat. Ne që i mbijetuam katastrofës kolektive të terrorit të kuq e kemi për detyrë. Ne duhet çdo ditë të ballafaqojmë përpara shoqërisë të vërtetën përpara hipokrizisë, mashtrimit dhe gënjeshtrën komuniste, kësaj helmatisje antikombëtare. E dyta, është fare e qartë se askush nuk shqetësohet për fatin e të përndjekurve politikë. Ajo që na mbetet është solidariteti në mes nesh. Solidariteti njerëzor ashtë forma më sublime e dashurisë për njëri-tjetrin e mirëkuptimit dhe ndihmesës së ndërsjellë.

T’i japim dorën njëri-tjetrit, të ndihmojmë njëritjetrin. Ka sot me mijëra ish-të persekutuar politikë që kanë mbetur rrugëve pa familje, pa fëmijë, pa shtëpi. Kjo masë fatmjerësh është turpi i pushtetit politik sot në Shqipëri. Na bie detyra kombëtare të shkatërrojmë murin politik klasor, që ka ndërtuar prej 34 vitesh klasa politike shqiptare kundrejt familjeve dhe fëmijëve tanë. Asnjë i përndjekur politikë nuk lejohet të jetë në administratë apo institucione të shtetit shqiptar. Ky është krimi i dytë klasor ndaj të përndjekurve politikë shqiptarë. Ne duhet të punojmë me solidaritet në mes njëri-tjetrit për të ardhmen e fëmijëve tanë. T’u themi ‘ndal’ revansheve ideologjike që na shfaqën me kostume demokratike. Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve, i përket demokracisë dhe jo të kaluarës diktatoriale.

Grupi parlamentar i opozitës duhet urgjent brenda këtij sesioni parlamentar të aprovojë ditën e kujtesës kombëtare dhe të dënojë me ligj krimet e komunizmit, siç ka vepruar Europa e pas-Luftës së Ftohtë, mbas shembjes së Murit të Berlinit. Dhe mos të harrojmë fjalët e një të burgosuri politik spanjoll: “Mos e mbyllni librin e krimeve komuniste derisa çdo rresht, çdo faqe të lexohet nga të gjithë”, mesazh që vlen për shoqërinë shqiptare! Lavdi dhe krenari për intelektualët e kombit shqiptar, që me veprën e tyre ndaj kombit na drejtojnë dhe na ftojnë të mbrojmë lirinë dhe shenjtërinë e saj!/ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura