Vrasja e Mirit të Xhikes, ADN-ja shfajëson Tufën

Jul 7, 2011 | 10:54
SHPËRNDAJE

Ekspertët e ADN-së zbehin dyshimet se vrasja e biznesmenit Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes, në vitin 2003 në Lundër të Tiranës, ka pasur për autor të akuzuarin nga Prokuroria, Lavdërim Tufa.Katër ekspertë gjenetistë shqiptarë, në zbatim të një detyre caktuar nga Gjykata e Tiranës janë shprehur se mostrat e ADN-së, të gjetura në një kapuç pranë vendit të ngjarjes, nuk përputhën me ADN-në e të akuzuarit Lavdërim Tufa. Për të njëjtin material, gjak dhe pështymë, dy ekspertime të kryera në Itali në shtator dhe dhjetor të vitit 2003, kanë treguar një përputhshmëri mbi 90 për qind të autorit të krimit me Lavdërim Tufën. Sipas gjenetistëve shqiptarë, kjo përputhje është e rastësishme dhe ajo nuk tregon që mostra gjak-pështyme e gjetur në kapuçin pranë vendit të ngjarjes t’i përkasë Tufës. Prova e ADN-së ishte një nga provat me të forta të Prokurorisë për të provuar akuzën e vrasjes nga i akuzuari Tufa. Ekspertimi i përpiluar nga prof.dr. Vahe Mokini, prof.as.dr. Grigor Zoraqi, Msc. Ervin Marku dhe Msc. Ela Zaimi iu dorëzua Gjykatës së Tiranës në një nga seancat e fundit në ngarkim të të pandehurit Lavdërim Tufa. Në seancën e djeshme, gjenetistët Zoraqi dhe Marku u paraqitën në Gjykatën e Tiranës për t’iu përgjigjur pyetjeve të palëve në lidhje me ekspertimin e kryer prej tyre. Para gjykatës, ata u shprehën se për të quajtur të njëjta dy profile ADN-je, duhet që të përputhen të gjitha lokuset (zona të veçanta të strukturave të ADN-së) dhe që probabiliteti i përputhshmërisë të jetë mbi 99.99 për qind. Sipas tyre, këto kushte nuk plotësohen në rastin e Tufës. “Që të deklarohet praktikisht se dy profile gjenetike i përkasin të njëjti individ, duhet të plotësohen dy kritere. Së pari, duhet që të analizohen të gjithë makerat dhe, që të gjithë pa përjashtuar asnjë prej tyre, të jenë të njëjta në të dy profilet. Së dyti, probabiliteti i përputhshmërisë midis dy profileve duhet të jetë në nivelin mbi 99.99 për qind. Asnjë nga këto dy kritere nuk plotësohet në rastin e krahasimit të profilit #2 (individi që ka lënë gjurmën në vendngjarje) dhe profilit të shtetasit Lavdërim Tufa. Nuk përputhen të gjitha lokuset dhe probabiliteti i përputhshmërisë midis dy profileve është 90 për qind, dhe jo 99.99 për qind. Konkluzioni ynë është se Lavdërim Tufa nuk është individi #2, njollat e pështymës, të mostrave mikse gjak-pështymë në zonën e gojës të kapuçit nuk mund të jenë lënë prej tij. Përputhja e profileve është e rastësishme”, thuhej në aktin e ekspertimit të përgatitur nga katër gjenetistët. Në të njëjtin akt-ekspertimi, ekspertët i përgjigjeshin pyetjes së gjykatës, nëse gjurmët gjak-pështymë të gjetura në vendngjarje mund të jenë lënë nga familjarë të Tufës. Përgjigja ishte negative. Ndërkohë, në lidhje me fijet e flokut të gjetura në vendngjarje ekspertët pohonin se nuk kishin mundësi të bënin krahasimin as me Tufën dhe as me familjarët e tij. Kjo, për faktin se kur i është nënshtruara analizës së ADN-së në Itali, fija e flokut është shkatërruar gjatë procesit të analizës.

Takimi i ekspertëve

Rrëzimi i dënimit “përjetë” Shtetasi Lavdërim Tufa, që po gjykohet sot në lidhje me vrasjen e Fatmir Ramës, (Mirit të Xhikes) më 29 mars 2003 në Tiranë, është dënuar më parë me “burg të përjetshëm” për ekzekutimin e biznesmenit. Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Lavdërim Tufën, ndërkohë që vazhdimi i procesit në Apel dhe në Gjykatën e Lartë solli edhe kthesën e fortë në ecurinë e çështjes. Kjo, pasi Gjykata e Lartë vendosi kthimin e çështjes për rigjykim, por kësaj radhe në Gjykatën e Tiranës, dhe jo te Krimet e Rënda.

 

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura