Gjykata dhe Prokuroria e Tiranës nuk po merren vesh për sa i përket cilësimit të veprës penale, të kryer nga një i ri, efektiv policie. Edhe pse në fakt ende sot e asaj dite ngjarja nuk është zbardhur tërësisht, pasi mungojnë shkaqet reale të konfliktit që çoi në ekzekutimin e një të riu nga një oficer policie.
Edhe pse policia e Tiranës i ka mëshuar faktit se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy të rinjve, konflikt që dukej se nuk ndodhte mes dy personave të panjohur, duket se edhe Prokuroria ka pasur të njëjtën qasje. Akuza e ngritur ndaj tij me të cilën madje prokuroria ka mbyllur edhe hetimet është ajo e vrasjes në kushtet e tronditjes psikike, ndërkohë që në fakt Gjykata ka kërkuar që të hetohet për vrasje në rrethana cilësuese.
DOSJA
Gjykata e Penale e Tiranës i kthen Prokurorisë dosjen e ish-policit Arbër Sula, i cili vrau me armë zjarri në një market në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit 2021, Jurgen Dukën, për të ndryshuar kualifikimim e veprës penale. Prokurori Petri Hysi erdhi në gjykatë me akuzën e “Vrasjes në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”, ndërsa në vlerësim të Gjykatës, akuza duhet të jetë “Vrasje për cilësi të veçanta”.
I pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, që nuk i është pranuar nga Gjykata, ndërsa pritet që Prokuroria të tërheqë dosjen dhe të vijë me një akuzë të re. Ish-agjenti i krimeve me detyrë në Dibër, qëlloi me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin në konfliktin e nisur për radhën e pagesës në një market në rrugën “Irfan Tomini”. Fillimisht, Duka mbeti i plagosur ndërsa ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër. Arbër Sula ishte në arrati për më shumë se dy muaj, teksa u vetëdorëzua në polici në 1 mars të këtij viti.
Për aktin e rëndë që ndodhi në një market të vogël, teksa në fakt dyqanet ishin të mbyllura në atë orë, për shkak të rregullave të pandemisë, Policia dhe Prokuroria sekuestruan edhe pamjet filmike. U morën dëshmitë e shokut që shoqëronte viktimën si dhe të personit që gjendej natën e ngjarjes në dyqanin ku edhe ndodhi vrasja. Pamjet tronditëse tregonin se autori nuk ia kishte zgjatur por menjëherë kishte nxjerrë armën dhe e kishte qëlluar të riun me një plumb, plumb që rezultoi fatal duke i marrë jetën. Ai në dëshminë e tij bëri me dije se ishte ndjerë i fyer nga ana e viktimës dhe se nuk kishte dashur ta vriste, ndërkohë që mori arratinë për javë me radhë. Tashmë, pritet që rrjedha e hetimeve ndaj tij të kalojë në verifikimin e një vepre tjetër penale, që ka të bëjë me vrasjen në rrethana cilësuese.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al