Edhe kur rënia e diktaturës kishte hyrë në një rrugë pa kthim, pushtetarët e kohës po përpiqeshin ta mbanin atë me çdo kusht. Dukej paradoksale. Ndërsa shqiptarët ishin dyndur nëpër ambasada e po u drejtoheshin kufijve, pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, në verën e vitit 1990 fliste për mbrojtje të socializmit, rritje të vigjilencës, forcim të punës së Sigurimit të Shtetit.
Edhe pse ligji për dënimet për veprën penale “Agjitacion e propagandë” kishte ndryshuar, Ramiz Alia jepte urdhër që Sigurimi t’i mbante “veshët hapur”. Dëshira e shqiptarëve për t’u larguar nga Shqipëria tashmë nuk ishte shprehje vetëm e një grupi njerëzish “të çoroditur”. Ishin të shumë ata që po u drejtoheshin kufijve. Edhe në këtë drejtim ligji kishte ndërruar.
Ramiz Alia nga njëra anë jepte urdhër të mos përdorej arma kundër atyre që arratiseshin, nga ana tjetër justifikon vrasjet në kufi në grahmat e fundit të komunizmit. Sipas tij, kufitarët bënin vetëm detyrën.
Në librin e tij tronditës “Vrasje në kufi në vitin 1990”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Kastriot Dervishi na jep fjalimin e plotë të Ramiz Alisë para punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe disa biseda të tjera të zhvilluara në verën e vitit 1990, mbi çështjet e mësipërme. Në këtë libër Dervishi sjell edhe dokumente mbi disa nga vrasjet në kufi.
Janë procesverbale e dëshmi të ushtarëve në kufi. Ato ndodhnin në Jug e në Veri. Ishin vrasje barbare të të rinjve, që tentonin të largoheshin në Jugosllavi apo në Greqi. Ndërsa kufitarët, edhe ata, fare të rinj, kryesisht me arsim 8-vjeçar, qëllonin edhe pa paralajmërim.
Janë rastet e vrasjeve të Ilirian Zarit, Brahim Buzit, Fatmir Duros, Thoma Batos, Enver Dukës etj. Të gjitha gjatë vitit 1990. Se sa mund të jetë numri i saktë i vrasjeve, kjo nuk dihet. Kastriot Dervishi jep dëshmi për 54 të tilla.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al