Nga Ardian Marashi
Që Shqipëria nxjerr heronj në çdo kohë, kjo ka nevojë të dihet, të njihet e të pranohet, aq më tepër sot kur heroizmi nuk gjendet aty ku mendohet. Heronjtë e Shqipërisë, këto ditë, janë kokulurit mbi libra, albanologët e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Një vendim shtetëror njëfaqësh po i detyron të futen sërish në vathën e Akademisë së Shkencave, si në kohët e liga të tufëzimit. Një bari pararojë i pret atje, me kërrabën gati për t’ua kopsitur kokën. Do të shkruajnë Enciklopedinë Shqiptare, do të rishkruajnë Historinë e Shqiptarëve, e ca të tjera punë të holla që vetëm ata dinë t’i bëjnë. Mirëpo këto punë të begata ata nuk po duhet t’i bëjnë siç dinë, por siç do t’u kërkohet t’i bëjnë. Janë të mençur me tepri. Prandaj po i dorëzojnë si tufë te një bari nopran. Prandaj ata po kundërshtojnë që të prodhojnë asisoj bulmeti.
Legjenda e Gjergj Elez Alisë dhe e Balozit po përsëritet e po përsëritet. Dhe heronjtë betohen se do ta mbrojnë lirinë e tyre, se nuk do e dorëzojnë dijen në duar plaçkitësish:
“Se ne t’parët nji kanù na kanë lanë: Armët me dhanë pàra, mandej gjânë!”.
Armët e tyre datojnë nga protoshqiptarët deri te Zaho Koka dhe vetëm ata kanë çelësin për të shkuar më larg.A ju duhet ai çelës? A i duhet ai çelës brezave? Nikolla me kundërreformën e saj i nxori jashtë ligjit. Ti, Baloz, aty ishe. Edhe kur Karabina shtiu në ajër, ti prapë ishe aty dhe bëje sehir: i doje heronjtë të telendisur! Po ata qëndruan, në Purgatorin e Ministrisë tënde, duke besuar e duke punuar. Iu deshën plot vite Kushit që të mos gjente asnjë zgjidhje për shkencën, thua se arsimi parauniversitar i mjafton Kabinetit tënd. I mjafton?
Baloz, lëri hajgaret! Është koha të kthehesh mbrapsht, t’u hapësh udhë heronjve. T’ua njohësh trimërinë, siç trimat, edhe belaxhi, ia njohin njëri-tjetrit. Këta gra e burra, vajza e djem, nuk janë tufë për vathën e një bariu maniak, i cili mezi pret t’i vërë në rresht.
Albanologët janë heronj, nuk mund të jenë ushtarë. Sepse shkenca, e cila sot mishërohet tek ata, nuk është ushtri. Ashtu si arti, shkenca nuk bëhet me “Urdhëro! Si urdhëron!”. Arti e shkenca lanë vokacion lirinë.
Bariut që nuk mbajti dot një kolkoz votuesish, si mund t’i besohet një çetë heronjsh?
Fatin që nuk e do për vete, Baloz, mos ua impono më të mirëve. Lëri heronjtë të shkojnë, ata nuk ndryhen në vathë: “Laisez passer mon peuple!”
Por, nëse ti, Baloz, ke vendosur t’ia heqësh kokën Gjergjit, hiqja: heronjtë vdesin që të lindin të tjerë!
Ama, mos u zhburrno, mos ia dorëzo Gjergjin Nallban Probatinit, se pabesia e këtij e tejkalon legjendën.
Kalle Gjergjin, Baloz, përpara se ta tufëzosh! Vetëm kështu i bën nder! Kalle Luan Përzhitën, është i racës që nuk i hedh armët.
Kalle Belisa Mukën, Rozafën e re që mban muret e lashta mbi të cilat ngrihet shteti yt. Kalle Afrim Krasniqin, përpara se t’i kërkosh që ta rishkruajë Historinë nën diktat.
Kalle Artur Lamen, nëse për tët bir nuk kërkon më mirë se sa shqipen e “chat GPT”.
Kalle Nebi Bardhoshin, dorëzanin e Xhubletës,të Kanunit e të Identitetit Kombëtar.
Kalle Aurel Plasarin, heroin e Enciklopedisë, të Bibliotekës dhe të Dijes Shqiptare.
Kalle Ledi Shamku-Shkrelin, se ajo bën be veç për Gjuhën Shqipe.
Po kalle edhe Romeo Gurakuqin, të bëhen dy Gurakuqë therorë të lirisë!
Shkrehe Pallën!
Kalli të gjithë ata albanologë, shqiptarë e të huaj, që u dalin në mbrojtje heronjve.
Në fund, a në krye, po ta lë ty zgjedhjen: kallmë edhe mua, Ardian Marashin, autorin e këtyre rreshtave të përzishëm, meqenëse, pavarësisht gjithçkaje, mbetem besimtar i pandreqshëm i arsyes.
Nëse njëmend Ti je Balozi… atëherë kalle mbarë krahinën e Albanologjisë: pse t’ia lësh një bariu arkaik lavdinë e të kallurit gjallë të heronjve, kur një kësi lavdie të takon veç ty.
Kalli heronjtë, por mos i tufëzo!
Pikturoje këtë skenë llahtari që përshkrova, Artist!
Nëse e gjen vërtet veten tënde në këtë horror, ekspozoje në galeritë e famshme të Evropës. Ose, siç thotë Migjeni: “Vendosni në një shesh! Dhe si përmendore kushtoja ndokujt! Kushtoja atij që ka ma shumë merita për këtë vend! Po, ndonjë ministrit o deputetit, o ndokujt tjetër…”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al