Zëdhënësja e Anti-Korrupsonit në PD, Genta Vangjeli ka denoncuar ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se fshihet pas disa kompanish te cilat janë regjistruar në emër të të afërmve të tij dhe me anë të të cilave ka përfituar leje ndërtimi apo favore nga institucionet shtetërore.
Sipas PD-së në burg duhet të ishte Fatmir Xhafaj dhe jo Ervin Salianji, i cili denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm si të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Vangjeli ka numëruar 5 emra kompanish ku sipas saj, prapa emrave të biznesmenëve fshihet Fatmir Xhafaj.
Për Partinë Demokratike, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet hetimit pasuror!
“Fatmir Xhafaj, autori i hakmarrjes me burgosje të numrit 2 të grupit parlamentar të PD, Ervin Salijanji u denoncua pak ditë më parë nga emisioni investigativ ‘Plug’.
Skandale korruptive e pastrim parash, ku rezultojnë të përfshirë kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Km Edi Rama. I gjithë operacioni u ndërtua mbi kompanitë e të afërmit të Xhafës.
Prona shtetërore të grabitura me firmë të Erjon Veliaj dhe Fatmir Xhafajt, në një operacion të dyshuar korruptiv dhe me lejet e ndërtimit të miratiuara nga Edi Rama.
Bëhet fjalë për:
- Ndërtimin e kompleksit ‘Square 21’ me adresë në rrugën e Kavajës në Tiranë, mbi truall dhe godina shtetërore, dhe më pas me një angazhim personal të Veliajt dhe Fatmir Xhafajt, u krye dhe kopsitja e dokumenteve.
- Ndërtimin e ‘Eye of Tirana’ mbi truall shtetëror dhe legjitimimi i 7 kateve pa leje të ndërtuara nga njeriu i Fatmir Xhafajt.
- Ndërtimin e kullës 25 kate tek komuna e Parisit dhe miratimi i lejes së ndërtimit për subjektin ‘Unico Constrution’ shpk blerë me vlerë simbolike nga i afërmi i Fatmir Xhafajt.
- Ndërtimin në 320 mijë metra katror te diga e liqenit, nga subjekti ‘BUILDING CONSTRUCTION INVEST’, gjithashtu kompani e blerë nga njeriu i Xhafajt.
- Ndërtimin e strukturës akomuduese me aplikues investitorin strategjik ‘Klais shpk’ në pronësi të të afërmit të Fatmir Xhafajt , përjashtuar për 10 vite nga pagesa e tatim fitimit, taksat e pronës, edhe nga taksa për ndikimin në infrastrukture, i cili do të paguajë vetëm 6 % TVSH.
Pra njeriu i Fatmir Xhafajt, i atakuar publikisht nga kryeministri, shndërrohet po me bekimin e tij në përfituesin më të madh të lejeve për kulla dhe favoreve shtetërore
Në burg duhet të ishte jo Ervin Salijani, por Fatmir Xhafaj së bashku me prestanomet e tij përmes të cilëve pastron para.
Për shkak të vëllait të tij trafikant ndërkombëtar droge të dënuar nga drejtësia italiane, Fatmir Xhafaj duhej të ishte nën hetim pasuror financiar siç e parashikon ligji antimafia dhe jo në krye të komisionit të ashtuquajtur “antikorrupsion” e as në pozicionin për të thirrur në raportim të gjitha institucionet e asaj që quhet “drejtësia e re”.
Refuzimi i drejtuesve të institucioneve të drejtësisë për t`u paraqitur para Fatmir Xhafajt është një gjysmë hapi në drejtimin e duhur i cili do të ishte i kotë, nëse Fatmir Xhafaj nuk merret nën hetim për të kuptuar burimin e pasurive të tij” shprehet Vangjeli.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al