Zbardhet udhëzimi/ Ndryshon testi i punësimit të mësuesve, struktura e re

Jun 13, 2019 | 23:23
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Mësuesit që presin të punësohen përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” duhet të përgatiten fort për provimin e muajit korrik, pasi pjesa më e madhe e vlerësimit vjen nga ai.

mesues-testimi

Këtë e fakton udhëzimi i ri i Ministrisë, i cili nga 70% ka rritur me 10 pikë peshën që do të ketë testimi në vlerësimin final. Në këtë mënyrë, dosjes personale, një pikë kjo shumë e kontestuar nga mësuesit me eksperiencë, i është lënë vetëm 20% e pikëve. Të dy këta tregues përbëjnë shumatoren e pikëve, mbi bazën e të cilave do të bëhet renditja e mësuesve aplikues për punë.

STRUKTURA E TESTIT

Vlerësimi i kandidatëve, të cilët aplikojnë për t’u punësuar në vendet e lira që krijohen në profilin e tyre në qytetet ku kanë aplikuar, bëhet në dy faza. Së pari, nga vlerësimi i përftuar nga dokumentet e dosjes profesionale të tij (sipas tabelës bashkëngjitur shkrimit), si dhe testimit dixhital.

Ky i fundit do të ketë njësoj si vitet e kaluara 50 pyetje, të cilat do të konvertohen jo më me 70% të peshës totale të vlerësimit, por me 80%. “Teza e testimit të informatizuar përmban 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave vlerësohen me 100 për qind, që konvertohen maksimalisht në 80 pikë. QSHA-ja bën konvertimin e vlerësimit të testimit të informatizuar dhe ua dërgon DRAP-së dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar”, citohet në nenin 14, të kreut II të udhëzimit të ndryshuar.

Faksimile e treguesve të dosjes profesionale të mësuesve, që konkurrojnë për të zënë një vend pune
Faksimile e treguesve të dosjes profesionale të mësuesve, që konkurrojnë për të zënë një vend pune

Testimi elektronik zgjat vetëm një orë dhe zhvillohet njëkohësisht për të gjithë kandidatët pjesëmarrës në testim, në ditën dhe orarin e caktuar. Testi është i përbërë në dy pjesë: a) pjesa që mbulon standardet e përgjithshme të mësuesit dhe b) pjesa tjetër që lidhet me standardet lëndore. Vlerësimi i tyre, ashtu si provimi i licencës, bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, duke mundësuar njohjen në çast me rezultatin.

Kushti i vetëm për të qenë pjesë e testimit është kalimi me sukses i vlerësimit të dosjes. Njësia arsimore vendore përgatit listën e kandidatëve të kualifikuar në fazën e parë dhe që do të marrin pjesë në testim, bashkë me pikët e përfituara dhe e dërgon në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar. Brenda këtij muaji, mësuesit do të njihen me vlerësimin e dosjes nga komisionet e posaçme të ngritura në katër drejtoritë arsimore, nga ku do të marrin formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar që nis nga data 10 korrik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura