Gjykata e Lartë zbardh arsyetimin e vendimit që la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Durim Bamin.
Aktualisht Bami është i bashkëpandehur në një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë me ish-deputetin Mark Frroku dhe deputetin Tom Doshi. Ata akuzohen për “kallëzim të rremë” duke “fabrikuar” prova të rreme për një skenar eliminimi fizik të deputetit Doshi.
Në vendimin e shpallur më 31 mars 2016 në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal nuk pranoi kërkesën e Bamit për zëvendësim të masës “arrestit shtëpiak” me masën “detyrim për paraqitje”.
“Panorama” ka siguruar një kopje të vendimit të zbardhur dy ditë më parë, ku argumentohet përse Kolegji Penal nuk pranoi kërkesën e Bamit për t’i lehtësuar masën e sigurisë. Gjykata vlerëson se lirimi i të pandehurit Bami mund të dëmtojë hetimin gjyqësor dhe zbulimin e së vërtetës.
Duke iu referuar rrezikshmërisë së tij, Gjykata arsyeton se zbutja e masës së sigurisë e “zhvesh” atë nga mbikëqyrja e Policisë Gjyqë- sore dhe krijon mundësi arratisjeje apo kryerjeje të një vepre tjetër penale.
Durim Bami qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie” që prej 8 majit 2015, datë kur Gjykata e Lartë zbuti masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj tij më 30 mars të vitit të kaluar.
ARSYETIMI
Në vendimin e përbërë nga 10 faqe në total, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Ardian Nuni dhe anëtarët Evelina Qirjako, Mirela Fana, Shkëlzen Selimi e Artan Broci arsyeton se në gjendjen aktuale të akteve, nuk ekzistojnë kushtet ligjore për lehtësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Durim Bamin.
“Në gjendjen që janë aktet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Durim Bami ka rrethana që tregojnë se, vazhdon të qëndrojë ‘dyshimi i arsyeshëm’ për kryerjen e veprës penale të ‘kallë- zimit të rremë’, në formën e krijimit të provave të rreme me qëllim që të kryhet ndjekja penale ndaj një personi tjetër”, argumentonte Kolegji.
Sipas gjykatës, nga data që të pandehurit Bami i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi” dhe deri në ditën kur është paraqitur kërkesa për zëvendësimin e kësaj mase, si dhe gjatë këtij gjykimi, nuk është evidentuar që të jenë lehtësuar nevojat e sigurimit, apo që të ketë shkaqe ligjore për zbutjen e masës së sigurisë.
RREZIKSHMERIA
“Kolegji Penal i vlerëson të bazuara pretendimet e prokurorit se zëvendësimi i masës së sigurimit mund të ndikojë në procesin e të provuarit. Caktimi i masës së sigurimit ‘detyrim për paraqitje’ do mundësonte për të që të ndërhynte në procesin e të provuarit dhe se ajo i përshtatet rrezikshmërisë shoqërore të veprës në veçanti, por edhe autorit të saj.
Në thelb, vlerësohet se ndryshimi i masës së sigurimit për të pandehurin Durim Bami mund të dëmtojë hetimin gjyqësor dhe zbulimin e së vërtetës. Zëvendësimi i masës së sigurimit në ‘detyrim për paraqitje’ heq mbikëqyrjen nga ana e Policisë Gjyqësore dhe krijon premisa rrezikshmërie që i pandehuri mund të largohet ose të kryejë ndonjë tjetër vepër penale.
Duke marrë në konsideratë sa më sipër, kushtet dhe kriteret për zëvendësimin e masave të sigurimit personal, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se, në rastin konkret ndaj të pandehurit Durim Bami, nuk ekzistojnë kushtet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, për zëvendësimin e masës së sigurimit nga ‘arrest në shtëpi’, në atë të ‘detyrimit për paraqitje'”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Në lidhje me rrezikun e largimit të të pandehurit Bami dhe mundësisë që ai t’i fshihet drejtësisë, Kolegji Penal përmend momentin e ndalimit të tij, më 2 mars 2015, në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit.
ARMAND BAJRAMI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al