Zbardhet vendimi/ Nga minatorët, tek ushtarakët, lista me 16 kategoritë që përfitojnë nga indeksimi! Përfitojnë edhe pensionistët që dalin nga 1 tetori e në vijim, ja kushti

Sep 21, 2024 | 7:52
SHPËRNDAJE

Nuk janë vetëm pensionet e pleqërisë, ato që indeksohen me 4.1 për qind nga data 1 tetor e në vazhdim, por edhe 15 lloje të tjera pensionesh, që përfshin skema e sigurimeve shoqërore.

pensione

Në Fletoren Zyrtare është zbardhur vendimi i plotë me kategoritë përfituese dhe të gjitha detajet e indeksimit të detyrueshëm vjetor. Ajo çka duhet nënvizuar është fakti se shtesa bëhet mbi masën e pensionit të gjithsecilit, duke përjashtuar kompensimet, siç janë ato të energjisë elektrike dhe taksave e tarifave vendore që vilen në faturën e ujit. Nga ky vendim nuk preken vetëm pensionet aktuale, por edhe ato që lidhen pas datës 1 tetor, me kushtin që data e lindjes së të drejtës së pensionit të jetë deri më datën 30 shtator të vitit 2024 (përfshirë edhe këtë datë).

Pensionet e plota të pleqërisë e ato të invaliditetit, citohet në vendim, nuk do të jenë më pak se 17 mijë e 888 lekë në muaj, një masë kjo gjithsesi e pamjaftueshme për një të moshuar që të kalojë muajin. Sipas ekspertëve, është nën minimumin jetik dhe në fakt duhej bërë kohë më parë.

“Indeksimi pritej në periudhë e pranverës, prill-maj pritej të kishte indeksim dhe kjo shtyrje ka sjell një zemërim të pensionistëve. Është indeksim si është parashikuar në ligj, por kemi dy probleme, e para një pjesë e pensionistëve jetojnë në varfëri ekstreme dhe i dyti është kjo shtyrje, që për ata përkthehet në disa para të munguara. Mendoj se indeksimi duhet të ishte bërë kohë më parë dhe të mos lihej për në tetor”, – shprehet Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie.

INDEKSIMI

Duke filluar nga 1 tetori 2024, pensionet do të indeksohen me 4.1% bazuar në llogaritjen e INSTAT të indeksit mesatar vjetor të muajit gusht 2024 për mallrat e shportës për pensionistët. Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim do të përfitojnë rreth 791,257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta.

Nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, masa e pensionit social rritet nga 9,327 lekë në muaj në 9,710 lekë në muaj. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 1,693,000,000 (një miliard e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre milion) lekë, të cilat përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së.

BONUSI

Ministri u Ekonomisë, Blendi Gonxhe, ka deklaruar se duke filluar nga fundi i vitit do të ketë një bonus, i cili do të jetë i rishikuar dhe me një rritje. “Një dialog dhe komunikim i gjerë do të fillojë nga mesi i muajit tetor me disa institucione dhe me të gjithë palët e interesuara për të pasur një rishikim të skemës dhe një vlerësim, i cili do të na nxjerrë në rezultatet që kërkojmë për të pasur dhe gjeneruar një rritje të të ardhurave në funksion dhe favor të kësaj skeme”, – tha Gonxhja.

I pyetur se ku synohet të ndërhyhet, Gonxhe bëri me dije se reforma përqendrohet më shumë te barazia mes të ardhurave që janë për profesione të njëjta, por të dala nga llogaritja e nxjerrjes së pensionit në vite të ndryshme.

“Kjo është një nga pikat që ne duam ta adresojmë dhe ta zgjidhim. Synim kryesor është që të shikojmë nivelet dhe kategoritë e çfarëdolloj pensioni, si atij të pjesshëm, të invaliditetit apo pensioneve të ndryshme të cilat janë në një nivel të ulët për shkak të skemës kontributive dhe kontributeve të tyre, të cilat në mënyrë të ligjshme dhe të përcaktuar ndër vite nga skema kanë atë nivel të ardhurash”, – shtoi ai.

Por, ministri sqaroi se, “për kategoritë që kanë një nivel nën minimumin jetik, ose në nivelin që i vë ata në vështirësi për përballimin e nevojave bazë të jetës, do të ketë një ndërhyje e cila të jetë në proporcion me nevojat dhe kërkesat që kanë kategoritë që kanë më shumë nevojë”.

PERFITOJNE RRITJE 4.1%

PENSIONET E KOOPERATIVAVE

Të caktuara sipas ligjeve nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

PENSIONET SOCIALE

Të caktuara në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

PENSIONET E INVALIDEVE TE LUFTES

Shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr. 326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”.

PENSIONET E CAKTUARA ME DEKRET

Pensioneve të caktuara me dekretin nr. 758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.

PENSIONET E CAKTUARA NGA SIGURIMET SHOQERORE

Të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 e 48, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr. 4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

PENSIONE SUPLEMENTARE

Pensione të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së

Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21 të këtij ligji.

PENSIONET E FAMILJEVE TE PILOTEVE QE HUMBIN JETEN

Trajtime të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr. 8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr. 9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar.

PENSIONET E OFICEREVE

Trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr. 9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”.

PENSIONET E MINATOREVE

Trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar.

PENSIONET E ATYRE QE KANE PUNUAR NEN TOKE

Pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me ligjin nr. 150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

PENSIONET E USHTARAKEVE

Trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar.

PENSIONET E AKADEMIKEVE

Pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr. 10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”.

PENSIONET E PERSONAVE QE KRYEJNE FUNKSIONE KUSHTETUESE

Pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar.

PENSIONET E INVALIDEVE

Shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, të ndryshuar; l) pensioneve shtetërore të posaçme të caktuara në përputhje me nenin 5, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërorenë Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; ll) përfitimeve të caktuara sipas ligjit nr. 29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

PENSIONE TE VEÇANTA

Trajtimeve të veçanta financiare sipas neneve 5/1/a dhe 5/1/ b, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

PENSIONET PER FEMIJET NE PERKUJDESJE TE SHTETIT

Trajtimit financiar, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr. 129/2021, “Për statusin ‘Fëmijë në përkujdesje të Republikës’”.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura