Zbardhet vendimi/ Pse Gjykata e Krujës liroi me kusht Edmond Begon. Arsyet: Gruaja, prindërit dhe vëllezërit…

Aug 23, 2018 | 22:40
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Biznesmeni Edmond Bego, i cili u arrestua disa ditë më parë në Greqi, me dyshimin se ishte në kërkim nga Italia për trafik droge, është lënë i lirë dje nga Gjykata e Apelit në Korfuz.

Edmond Bego
Edmond Bego

Mësohet se shkak për lirimin e tij është bërë përgjigjja e mbërritur nga Italia përmes një shkrese të Interpol Romës, ku theksohej se shtetasi në fjalë nuk ishte më në kërkim. Ashtu sikurse edhe kishte deklaruar vetë biznesmeni Bego në seancën e masës së sigurisë, ai e kishte kryer dënimin në Shqipëri dhe nuk ishte më person në kërkim.

Ai u arrestua në vendin tonë në vitin 2009 dhe më 15 shtator 2010, Gjykata e Lartë vendosi ta dënojë me 4 vite e 4 muaj burg. Këtë fakt Bego ua kishte bërë të ditur edhe policëve në momentin e arrestimit në Igumenicë, më pas edhe në Gjykatë.

Ai është liruar nga burgu në 24 nëntor 2011, pasi ka vuajtur rreth 1 vit e 11 muaj burgim, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila mbi bazën e kërkesës së të dënuarit ia konvertoi pjesën e mbetur prej 1.8 vitesh burgim, në liri me kusht.

GJYKATA E KRUJES

Në vendimin e Gjykatës së Krujës, që vendosi lirimin e Edmond Begos nga vendi ku vuante dënimin në Burgun e Fushë-Krujës, renditeshin disa arsye dhe shkaqe ligjore që e bënin atë të përfitonte dënimin alternativ.

“Nga dinamika e vuajtjes së dënimit, të paraqitur nga përfaqësuesi i institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Fushë – Krujë, rezulton se deri më datë 04.10.2011, i dënuari Edmond Bego ka vuajtur 2 vjet e 5 muaj e 8 ditë burgim, duke i mbetur për të vuajtur deri më datën e sotme, 1 vit e 8 muaj e 14 ditë burgim.

Nga dënimi i vuajtur rezulton se ai ka përfituar ulje dënimi në masën 4 muaj e 15 ditë, ndërsa me paraburgim ka fituar 2 muaj e 19 ditë. Në vlerësimet e sjelljeve të paraqitura nga përfaqësuesi i IEVP Fushë-Krujë, Gjykata konstaton se kërkuesi ka respektuar me përpikëri rregulloren, ka pasur dhe ka marrëdhënie korrekte e të rregullta me personelin e shërbimit, marrëdhënie shumë të mira me bashkëvuajtësit e tjerë.

Për veprën penale të kryer, kërkuesi (i dënuar) ka mbajtur qëndrim kritik dhe pendues. Kërkuesi jeton me bashkëshorten e tij Enida Bego dhe me dy fëmijët e tyre, përkatësisht 8 dhe 6 vjeçe, pra nën moshën 10- vjeçare, ku bashkëshortja e tij është me probleme shëndetësore dhe nuk është e zonja të kujdeset për to, provuar kjo me akt-epskertimi ligjor, nr.212, datë 02.11.2011, ku ka rezultuar se shtetasja Enida Bego ka probleme shëndetësore.

Familja e kërkuesit, përveç gruas dhe dy fëmijëve, përbëhet edhe nga dy prindërit e tij, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe trajtohen me mjekim të vazhdueshëm, si dhe gjendja ekonomike në të cilën ndodhen është e vështirë. Gjithashtu, ai ka edhe një vëlla të paralizuar”, arsyetonte Gjykata e Krujës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura