Zbulohen dokumentet sekret për pushkatimin e Beqir Ballukut: Shoku Haxhi, hetuesit t’i përgëzojmë! Provuam me dokumente tradhtinë dhe ne si Presidium, me sëpatë t’i presim…

Nov 8, 2024 | 7:28
SHPËRNDAJE

haxhi lleshiNga Dashnor Kaloçi

Më datën 5 nëntor të vitit 1975, plot 49 vjet më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Aranit Çela, me anë të një letre me siglën “Tepër Sekret”, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, bashkangjitur u dërgonte një kopje të vendimit të asaj gjykate, me një përmbledhje të akt-akuzës së dënimit me vdekje, me pushkatim, të tre ish-gjeneralëve e, drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit Beqir Ali Balluku, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe Drejtorit të Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, si dhe dënimin me 25 vjet burg, të Rrahman Parllakut, ish-zëvendës/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të atij viti, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtë mujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.

Goditja ndaj Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, si dhe anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974, me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, që u mbajt në ish – “Vilën e Zogut” të qytetit të Durrësit. Ajo mbledhje drejtohej nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, ku Balluku, për herë të parë, që nga viti 1945, nuk ishte në një presidium mbledhje, por në sallë, ku ai u detyrua t’ju përgjigjej me dhjetëra pyetjeve, të bëra nga vartësit e tij. Gjithçka po ndodhte aty në atë sallë dhe që do të vazhdonte më pas deri në ditën e arrestimit, ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, si Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, të ideuar dhe dirigjuar personalisht nga Enver Hoxha.

Pas asaj atij aktivi me kuadrot më të lartë të Ushtrisë, Balluku u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si; “kreun e grupit puçist në Ushtri” dhe “tradhtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë”. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, Balluku u analizua edhe në Plenumin e Pestë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga pjesa më e madhe e anëtarëve të plenumit.

Në fund të asaj mbledhje, Balluku u përjashtua dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, por, ndryshe nga shumë nga ish-funksionarë dhe personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste, (që ishin goditur dhe dënuar vite më parë, që arrestoheshin dhe iu vinin prangat sapo dilnin nga salla e mbledhjes), ai u la i lirë që të shkonte në shtëpi! Ku pas dhjetë ditësh, së bashku me një pjesë të familjes së tij, ai do të internohej në qytezën e Roskovecit, në rrethin e Fierit, ku dhe u arrestua më 6 dhjetor të vitit 1974.

Tashmë të gjitha këto dhe të tjera për Beqir Ballukun, ish-ministrin e Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrin e parë të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili deri në vitin 1974, konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe njerëzve më besnik të Enver Hoxhës, janë shumë të njohura, pasi pas viteve ’90-të, janë botuar me dhjetëra e dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore gjithashtu, ku hidhet dritë mbi jetën e karrierën e tij, që nga periudha kur ishte drejtuesi kryesor i Njësiteve Guerile të Tiranës dhe komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe e gjithë periudha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, deri në korrikun e vitit 1974.

Ajo që ka mbetur një mister pothuajse i pazbardhur dhe i panjohur, që vazhdon të diskutohet ende edhe sot pas gati pesë dekadash, janë arsyet dhe shkaqet kryesore që e detyruan Enver Hoxhën, që të godiste Ballukun dhe dy drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, duke i dënuar ata me vdekje, si; “Krerët e grupit puçist në Ushtri”! Bashkë me këtë mister, që ndoshta nuk do të zbardhet kurrë, pothuajse janë të panjohura, edhe dokumentet arkivore me proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku u diskutuan kërkesat e lutjet për faljen e jetës, nga ana e tre ish-drejtuesve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, Balluku, Dume dhe Çako.

Nisur nga kjo, Memorie.al po publikon në disa numra këto dokumente arkivore, ku janë diskutimet e të gjithë anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke filluar nga kreu i saj, Haxhi Lleshi, (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), si dhe anëtarëve; Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu dhe Zinja Franja.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, KU U DISKUTUAN VENDIMET E GJYKATËS SPECIALE USHTARAKE, PËR DËNIMET ME VDEKJE TË BEQIR BALLUKUT, PETRIT DUMES DHE HITO ÇAKOS 

                                                PROCES-VERBAL

Mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor, datë 5.11.1975 ditë e mërkurë:

Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu, Zinja Franja, (Antarë).

Një gjë tjetër që kishin vagabondët, pasi u demaskua u zbulua çështja e Beqirit, atëherë Petriti, duke marrë shkas nga ajo që Këshilli i Mbrojtjes kërkonte materialin, ky përfiton nga kjo dhe mbledh kuadrot që kishin përkrahur tezat dhe që kishin bërë vërejtjet, dhe u thotë që t’i ndryshojnë ato, njëkohësisht merr një material të ri dhe bën vërejtjet e tij, madje kishte bërë të tilla vërejtje, sikur të ishte vetë Enver Hoxha. I quante ato, poshtërsi, anti-marksizëm, çfarë nuk thoshte. Filluam ta pyesnim ne se si qe bërë kjo, dhe u gjet ai që kishte bërë materialin. Ai tha, që e mora tre ditë, pasi mbaroi mbledhja e Byrosë Politike.

Si ishte ky material, i kujt ka qenë, çfarë formati ka, nga kush e more?! Nga Ollga. Thirrëm Ollgën shpejt. Po, e tha ai tjetri, që kur e mora, unë e mora të pastër, kur e shpura, e shpura me gjithë këto shënime dhe me shënim të zi, shokut Sadik. Kur e shpura në arkiv, Ollga nuk e pranoi dhe më tha që të kam dhënë materialin e pastër. Në fund i thashë, bisedo me Petrit Dumen. E morëm Ollgën, se Petriti nuk pranonte; “Jo, nuk duhet të jetë ashtu, nuk e mbaj mënd”. Lëri këto, i tha Ollga, ne për këtë material bëmë fjalë, unë e mbaj mënd përmendësh, se çfarë ke shkruar. Uli kokën pastaj. Ishte bërë dallaveraxhi i madh.

-Në fushën e fortifikimeve, gjetëm edhe dëmin më të rëndësishëm që del nga të gjitha materialet. Këta ç’kanë bërë: Të gjithë vëmendjen, e kanë përqendruar në bërjen e objekteve të ndryshme, prapavija, pika hapjeje, por vija e parë, vija e mbrojtjes, në këto qendrat e zjarrit, pikat e fortifikuara, vetëm 17 përqind e materialit, është përdorur për to. Vijën e parë të frontit, e kanë lënë shumë keq. Mënyra më e poshtër, që kanë përdorur.

-Në fushën e organizimit dhe drejtimit shtetëror, në lidhje me ligjet, kishte sabotim. Këtu dilte dhe ajo teoria, shtet brenda shtetit. Të gjitha rregulloret kryesore, dhe instruksionet, ishin në kundërshtim me ligjet e shtetit. Në bazë të Kushtetutës, Ministri i Mbrojtjes, ka disa kompetenca, dhe ca urdhra e udhëzime, i jep vetëm ai. Ministria jep vendime e urdhëresa. Këta, i kanë dhënë të drejtë secilës drejtori, që të japin urdhra e udhëzime, si t’i tekeshin njërit apo tjetrit. Të gjitha ato, ishin në kundërshtim me rregullat e qeverisë dhe me ligjet. Është një listë dhe midis tyre, u gjetën flagrante 28 akte kryesore.

Ndryshe rregullohej problemi i çmimeve në shtet, ndryshe në ushtri, ndryshe rregullohej problemi i kuadrit, apo dhe ndonjë tjetër, dhe ndryshe e rregullonin këta, në bazë të normave të tjera, krejt në kundërshtim me ligjet e shtetit. Po pse kështu?! “Ka specifikën e vet ushtria”. Si ore kështu?! Ligjet e shtetit, janë njësoj. Këta të gjitha funksionet, i kryenin vetë, vetë ligjvënës, vetë Presidium, vetë Kuvend. Rrogat i ndryshonin si të donin. P.sh., një komandë korpusi, shkonte në Akademi pedagog. Pedagogu ka rrogën e tij, jo, jepini Vaskë Gjinos rrogën e komandantit të korpusit. Po, ka ligje more, si do ta bësh ti këtë, ai pedagogu merr 8-9 mijë lekë, ndërsa komandanti 16 mijë lekë. E po mirë, po neve menduam se këta persona, duhet të kishin rroga të mëdha.

Mendon ti kështu, por çfarë mendon ligji. Edhe në ekonomi, kishin bërë allishverishe të shumta, dëmtime, dhe materialin ushtarak, ja kishin dhënë Koço Theodhosit, i kishin dhënë goxha materiale, e pohonin edhe vetë, material të rëndësishëm nga materialet e rralla që vinin për ushtrinë, ishin predha e për këto të tjerat, d.m.th., këtë material e përdorën për kazma e lopata. Prishën dhe makineritë, që ishin për këto, se ato duheshin për të bërë gjëra afife. Kishin marrë shumë material dhe Koço Theodhosi ua kishte dhënë në kundërshtim me qeverinë. Kanë marrë nga rezervat shtetërore, tubacione e çfarë nuk kanë marrë për nevojat e tyre, që të bënin stadiume e palestra.

PILO PERISTERI: Në këto gjërat ekonomike ata, nuk pyesnin fare.

ARANIT ÇELA: Jo, atje bënin ç’të donin.

KRYETARI: Del pastaj dhe bashkëpunimi i Beqirit me Koço Theodhosin e me Abdyl Këllezin.

ARANIT ÇELA: Ata, thoshin se ushtria ka ligjet e veta.

PILO PERISTERI: Na vodhë dhe një transformator njëherë.

RITA MARKO: Ehu sa kanë vjedhur lëndë druri ata, nëpër sharra e gjetkë?!

ARANIT ÇELA: Në lidhje me veprimtarinë armiqësore në frontin ideologjik. Këtu qe dhe ajo që doli në plenum, po këtu janë gjërat më të kalkuluara, se janë me dokumenta. Nga dokumentet u provua, se kishte një garë, se kush të përkthejë e të shpërndajë sa më shumë material revizionist. Nga një kontroll që u bë nga qeveria, dhe rezultatet i morëm në gjyq, deri në 6 mujorin e parë të vitit 1974, Drejtoria e Zbulimit, kishte shpërndarë 39.000 copë libra të vendeve kapitaliste e revizioniste, ku përveç kësaj, kishte 176.000 copë libra të shpërndara. 90 përqind e këtyre materialeve, i përkasin botimeve të revizionistëve sovjetikë, pas ‘60-ës.

PILO PERISTERI: Shqip apo rusisht?!

ARANIT ÇELA: Kishte gjithë ato përkthime. Kur i thua kështu, duket si teori, por po t’i shikosh, janë alamet librash.

KRYETARI: Janë harxhuar miliona lekë.

ARANIT ÇELA: Po, miliona. Thasë të tëra me libra të përkthyera, rregullore, të gjitha revizioniste sovjetike.

KRYETARI: Kryesorja ka qenë, se ata edukonin brezin e ri në ushtri, me ideologji borgjeze revizioniste.

ARANIT ÇELA: Beqir Balluku u dërgonte letër reparteve e thoshte këtyre shefave që përkthenin: “Shikoni se Psikologjia e ushtarit, një libër sovjetik i përkthyer në shqip, është një libër i shkëlqyer”. Si more tu mbylltë…… që ta kexoje atë libër duhet të ishte i poshtër me të vërtetë. Edhe sikur të mos ishin revizionistë, prapë ata kanë psikologjinë e tyre. Ata mbi 200 milionë, e ç’punë kemi ne me ta?!

KRYETARI: Po këta ç’thonë?!

ARANIT ÇELA: E kemi bërë thonë sipas koncepteve tona, ka një të vërtetë absolute lidhur me këto çështje, që është e përbashkët me të gjitha shtetet. Petriti në mes të gjyqit, mbronte këtë që; “mendimi im zoti gjyqtar, është që në radhë të parë, një ushtri është edukimi ushtarak”. Po si more, edukimi ushtarak?! D.m.th., në radhë të parë pushka, se; “lufta bëhet me pushkë”. Por pushkën, do ta përdorë njeriu. Një debat i tërë atje në gjyq me Petrit Dumen, rreth kësaj teme. Haptazi e thoshte. Për të, ishte edukimi ushtarak i pari dhe jo koka. Krejt armiqësore.

-Dalin dhe çështjet e vjedhjeve. Janë vjedhur shumë gjëra, të ulta fare. Çfarë nuk është vjedhur. Vinte që nga Qafëzezi i Kolonjës bakllavaja, për në Pogradec. Donte kuleç, po çfarë kuleçësh. Kur u demaskua Petriti, vajta unë në plenumin e Kolonjës, asistova dhe në aktivin e ushtrisë, të merrja të dhëna. U shpërthye më në fund ajo që, paria atje me Kristaqin në opozicion, por të tjerët shpërthyen në atë plenum. Atje doli dhe përgjegjësi i ndërmarrjes ushqimore, ishte pak karagjoz e, m’u kujtua se doli dhe në gjyq kjo, e më tha mua atje; “shoku i deleguar”.

“Por kur më kërkoi njëherë Petriti kulaç, e çfarë kulaçi, se me miell të situr të misrit dhe 1 kg. e gjysëm gjalpë dhe si përfundim, gjalpi ngeli pa paguar”. Kishte gjëra të tilla për të qeshur, sa të duash. Vinte si në mall të babait dhe merrte. Ai, drejtori i Shtëpisë së Oficerëve të Pogradecit, më tha: “Çfarë t’i bënim ne, qengji ishte atje dhe po blegërinte e, Petriti tha; zëreni e thereni, se do ta hamë sonte. Po u grumbulluan shumë për të ngrënë e, ai tha; merreni dhe tjetrin e, thereni. E ç’ti bëja unë”?! Ai ishte qen bir qeni, si çfarë ti bënte ai?!

PILO PERISTERI: Prandaj i dhimbte stomaku atij, dhe donte të vinte në Paris, për t’u kuruar.

ARANIT ÇELA: Nga klubi “Partizani” kishin marrë rroba, këpucë si në mall të babait. Kur ju thanë a i morët?! “Po i morëm”.

RITA MARKO: Po lek për fëmijët?!

ARANIT ÇELA: Jo.

RITA MARKO: Merrnin ushqime, se loznin me “Partizanin”.

ARANIT ÇELA: Ushqime merrnin sa të duash. Madje u gjet një dokument, që bënte ky drejtori i Shtëpisë Qëndrore, një qen bir qeni, Pirro Lena, që ata hanin pa lek fare, dhe vinin këtu me gjithë familjet e tyre dhe hanin e pinin. Nga këto kishte plot. Vetëm Beqirit, i dolën gjysëm milioni lekë, për vjedhje e shpërdorime.

RITA MARKO: Ai do të ketë ngrënë më shumë.

PILO PERISTERI: Po këta të tjerët, nuk u dënuan, apo janë më vonë.

ARANIT ÇELA: Ne e ndaluam procesin, se është gati për të gjykuar, se u bë ky gjyq, me qëllim që populli, të mos dëgjonte ato gjërat e vogla, pa gjykuar këta kryesorët. Ai gjyq, do të bëhet javën që vjen. Në përgjithësi kjo ishte.

RITA MARKO: Na i the të tëra ti.

PILO PERISTERI: Të tërë ne e dinim këtë poshtërsi, por ti na e the shumë qartë.

ARANIT ÇELA: E bëri shumë të qartë Plenumi atë. Në pikëpamje të substancës, nuk bëmë ndonjë filozofi ne.

KRYETARI: Gjërat u incizuan, janë të dokumentuara d.m.th., dhe tradhtia e tyre, del qartë. Gjithë veprimtaria e tyre armiqësore, që nga fillimi e, deri në mbarim, që ata ishin të lidhur me jugosllavët dhe sovjetikët.  Edhe lutje kanë bërë shoku Pilo, se erdhe pak më vonë, që të tre ata, e pranojnë tradhtinë e tyre. Ne duhet t’i përgëzojmë këta të gjykatës, për punën që kanë bërë.

PILO PERISTERI: Dhe ata hetuesit, t’i përgëzojmë.

KRYETARI: Ashtu është. Rëndësi kishte dokumentimi, që ua provuam me dokumenta tradhtinë.

PILO PERISTERI: Ne si Presidium shoku Haxhi, me sëpatë t’i presim.

RITA MARKO: Po, për atë jemi mbledhur, t’u japim sopatën.

KRYETARI: Me vdekje, ashtu siç ka vendosur gjyqi.

RITA MARKO: Jemi plotësisht dakord me Gjykatën e Lartë.

TELO MEZINI: Atëherë t’ju refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Vendoset që Beqir Ballukut, Petrit Dumes, dhe Hito Çakos, të dënuar me vdekje (me pushkatim) nga Gjykata e Posaçme Ushtarake, t’ju refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Memorie.al

Mbyllet mbledhja

Tiranë më 5.11.1975

                                                                SEKRETARI I PRESIDIUMIT

                                                                           Telo Mezini                     

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura