Zbulohet akuza e 1917, Bahri Omari: Esat Pasha, thikë Shqipërisë

Nov 25, 2014 | 12:50
SHPËRNDAJE

Bahri Omari
Mbi rrezikun që i kanosej vendit nga Greqia e Mali i Zi gjatë Luftës I Botërore

“Toptani jep e merr me Venizellosin, i cili e darovit me nishane për besnikërin’ e tij, një ferrë e ndalim për lëvizjen kombëtare”

Politikan mendjehapur, publicist, i cili për disa vite drejtoi në SHBA gazetën “Dielli”, Bahri Omari, e shihte qartë rrezikun që i kanosej Shqipërisë nga politika e Esat Pashë Toptanit. Edhe pse ndodhej larg Shqipërisë, përmes gazetës që ai drejtonte, u bënte thirrje shqiptarëve të ngriheshin dhe të mbronin vendin e tyre ndaj rrezikut të fqinjëve, të cilët kishin gjetur si urë për në Shqipëri pikërisht Esat Pashë Toptanin. “Gjer sa duhet të përpiqemi?”, është një nga këto shkrime që ai botoi në gazetën “Dielli” më 12 shtator 1917. Sipas tij, Esat Pashë Toptani po përpiqej të krijonte një principatë në Shqipërinë e Mesme, ndërsa pjesën tjetër të vendit t’ua shiste Greqisë, apo Serbisë.  Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1919, Omari mori pjesë aktivisht në politikën e kohës. Edhe pse kunat i ish-diktatorit Enver Hoxha, ai nuk i shpëtoi gjykimit dhe dënimit me vdekje, si ish- ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, gjatë pushtimit nazist. Vendimi i gjyqit u mor më 13 prill 1945 dhe u ekzekutua një ditë më vonë në Kodrën e Priftit.

Bahri Omari
S’ka njeri t’i mohonjë reziqet që i janë turur Shqipërisë nga çdo anë; nuk mjaftojnë armiqt’ e saj të jashtëmë, po dhe të brendëshmit nuk lenë rast se si t’i bëjnë keq kombit të shumëvuajtur. Esati jep e mer me Venizellosin, i cili e darovit me nishane për besnikërin’ e tij. Duhet ta dimë që Esati është një ferrë dhe një ndalim i math për lëvizjen kombëtare. Ata që nuk i japin rëndësin’ e duhur vepërimeve të Esatit, janë ata që i bien kurdoherë këmbanës pa të kremte.
Nuk ka asnjë dyshim që Aleatët, prej të cilëve presim ndihmë të madhe për rikrijimin e Shqipërisë, i japin një rëndësi personit t’Esatit dhe e njohin në mos si kryetar të Shtetit, të pakën si njerinë më me influencë. Gjykimin e saj Evropa e mpështet me arësyet që Esati mundi ta përzinte Mbretin dhe pastaj qëndroi në këmbë të tij. Ngjarjet e Shqipërisë i marin si fakte për simpathin’ e shumicës së popullit kundrejt Esatit. Gjithë me ato arësye ai mundi t’u japë privilegje kompanive të Francës dhe të marë shumëra prej tyre si avancë. Pa dyshim që kompanitë që hynë në marëdhënie me Esatin diç muar nonjë sigurim nga Qeveri e tyre.

Esat Toptani duke i dorëzuar çelësat e fortesës së Shkodrës Princit trashëgimtar të Malit të Zi
Tani Esati vete të dëfrejë në Evropë me ato të holla dhe t’u prishë punë dhe delegatëve tanë më shumë edhe nga armiqt’ e jashtëmë. Ne i emëruam me një enthusiazmë të madhe delegatët, po nuk po përpiqemi t’u japëm dhe mjetet e duhura. Esati me xhepin mbushur ka mundësi ta rekllamojë mirë veten nëpër hotelet më të mëdha ku gjenden gjithë autoritetet e punëve. Esati pas lidhjeve që ka bërë me Venizellon dhe me princin e Malit të Zi, përpiqet të bëjë një principatë të vogël me kufitë Shijak, Tiranë dhe Durrës, dhe të tjerat t’ua falë atyre që t’ia njohin titullin menjëherë.
Sido që të jetë ambicja e atij faqeziut që i nguli thikën mu në zëmër Shqipërisë, na sjell mjaft ndalime ne kombëtarëve që duam të kemi një Shqipëri të plotë, të pacenuar. Që të mundim ta arrijmë qëllimin tonë, duhet mos të rrimë të mpirë, po të përpiqemi t’u japim mjetet e duhura delegatëve tanë, që t’i bëjnë ballë çdo rreziku që të vijë nga armiqt’ e jashtëmë dhe të brëndshëmë. Duhet ta përsëritim që Shqipëria shpresat nër ne i ka varur. Mjerisht nuk duket të përpiqemi të meritojmë uratën e mëmës sonë.
Hidhërohemi tepër që nuk i shikojmë shqiptarët ta mbajnë zjarrin dhe flagën e atdhetarizmës që rrëfyen që në krye. Qëllimi nuk arrihet vetëm me sulmën e parë; përpjekja me durim është faktori m’i math për të dalë i triumfuar gjer në funt. Le të shikojmë se çfarë durim tregojnë popujt luftonjës në këtë poterë ku bëhet fjalë për të drejtat e cilitdo popull. Ngrihuni shqiptarë, mos flini, se atdheut të dashur po i mprehin sëpatat dhe thikët që ta kuspullosin dhe mos mundë të rrojë si shtet midis gjithë shteteve ballkanike.
(Titulli origjinal: “Gjer sa duhet të përpiqemi?”, gazeta “Dielli”, 12 shtator 1917)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura