Zbulohet shtëpia e Aurelias në Gjirokastër, gruas italiane që refuzoi dashurinë e Enver Hoxhës

Apr 13, 2017 | 10:48
SHPËRNDAJE

Janë të shumtë ata që e dinë historinë e familjes së Aldo Terrusi-t, italianit që lindi në Shqipëri dhe iku nga vendi ynë në moshën 5-vjeçare bashkë me nënën e tij, Aurelian. Aldo Terrusi është i biri i ish-drejtorit të Bankës së Vlorës, Giuseppe Terrusi, që në vitet ’50 Enver Hoxha e burgosi dhe e la të vdiste në Burgun e Burrelit.

Teodor Bilushi, konsull nderi i Italisë në Gjirokastër, zbulon shtëpinë ku ka jetuar familja e Aldo Terrusit. “Familja e së ëmës së Aldo Terrusi-t ishte prezente në Gjirokastër në disa plane ndërtimore dhe projektuese. Në lagjen ‘Varrosh’ ndodhet një vilë e projektuar dhe e ndërtuar nga gjyshi i Aldo Terrusi-t, Vitaliano Poselli, në vitet ‘30. Në këtë shtëpi ka jetuar familja e gjyshit të Aldos, arkitekti italian Vitaliano Poselli, që ka ngritur disa shtëpi me rëndësi historike në qytetin e Gjirokastrës.5548798789

Firma e Vitaliano Poselli-t ishte në disa vepra infrastrukturore në Tepelenë, Gjirokastër dhe Përmet. Falë prezencës së Poselli-t për 10 vjet në Gjirokastër, por edhe aktivitetit të tij projektues dhe ndërtues, sot në Qendrën historike të Gjirokastrës, përveç kësaj vile që është një nga simbolet, ‘Vila Kokalari’, kemi disa objekte të tjera, të cilat gjenden në Qendrën historike të Gjirokastrës, siç është hotel ‘Sopoti’, ish-banka ‘Napoli’, godina e Liceut të Gjirokastrës, e rikonstruktuar totalisht në vitet ’40 nga specialistët italianë. Në Gjirokastër ndodhen ndërtime të tjera tregtare, siç është ish-qendra tregtare ‘Cigai’, disa objekte si ‘Casa Botega’ në rrugën e ‘Varoshit’, që nga familja Mihali, duke vazhduar poshtë pastaj me familjet e tjera, Kekezi, e me radhë.

Gjirokastra me shpalljen e Pavarësisë kthehet në një realitet që, përveç ndërtimeve të vjetra mesjetare, karakteristike dhe të veçanta, për të cilat Gjirokastra njihet në botë, ka edhe një periudhë të veçantë, që është ajo e viteve ’20-’30, ku ndërtimet e asaj periudhe ishin pika e parë e bashkëpunimit të Gjirokastrës me Perëndimin.

Gjirokastra me arkitektët dhe studiot italiane që kanë qenë në këtë periudhë, por edhe me bashkëpunimin me firmat gjirokastrite, ndër qytetet me elementët e arkitekturës europiane të fillimshekullit të kaluar”, deklaron konsulli për gazetën “Panorama”. Banesën e quajtur “Vila Kokalari” e ka ndërtuar vetë gjyshi i Aldos. Poselli dhe familja e tij ka jetuar në Gjirokastër, nga viti 1927-1936.

Pikërisht Gjirokastra ka qenë qyteti ku u njohën prindërit e Aldo Terrusi-t. E ëma e tij, Aurelia, vinte nga një familje arkitektësh, të cilët kishin emigruar nga Italia në fillimshekullin e kaluar dhe kishin qenë në disa shtete të Lindjes së Mesme për të kaluar pastaj në Kostandinopojë dhe në Selanik. Familja e të atit të Aurelias, ku babai i saj, Vitaliano Poselli, dhe gjyshi i Aldos fillojnë të kenë në Gjirokastër një aktivitet ndërtimor në projektim dhe në ndërtimin e disa objekteve të rëndësishme historike jo vetëm në Qendrën e Gjirokastrës. Teodor Bilushi sjell për gazetën “Panorama” edhe disa fotografi të veçanta të Aurelia Poselli-t dhe prindërve të saj në Gjirokastër.

544554

“Aurelia, e bukur dhe rrëzëllitëse, u dashurua me Giuseppe Terrusi-n, që erdhi në vitet ‘30 në Gjirokastër si nëndrejtor banke. Në Gjirokastër në vitet ‘30 vjen dhe punon edhe i ati i Aldo Terrusi-t, Giuseppe Terrusi, i cili ishte fillimisht nëndrejtor i bankës italiane të Gjirokastrës, ku në atë periudhë ai njihet me nënën e Aldo Terrusi-t, Aurelian, dhe në qytetin e gurtë lindi njohja e parë e prindërve të Aldo Terrusit.

Babai i tij, Giuseppe Terrusi, dhe nëna e tij, Aurelia Poselli, martohen në vitin ’36 në Sarandë dhe më pas çifti shkon në Vlorë, ku në vitin ‘45 lind Aldo Terrusi. Prindërit e autorit të librit ‘Brenga ime shqiptare’, Aldo Terrusi, janë njohur në qytetin e Gjirokastrës”, shprehet konsulli.

Enver Hoxha, i cili ishte fqinj me Aurelian, është hakmarrë ndaj babait të tij, sepse ajo i refuzoi dashurinë diktatorit të ardhshëm të Shqipërisë. I ati i Aldo Terrusi-t, pas Çlirimit të vendit në ’45-n, arrestohet dhe vdes në Burgun e Burrelit në vitin 1953. Pikërisht këtu nis edhe kalvari dhe të gjitha problematikat që kanë të bëjnë me gjetjen e eshtrave të babait të Aldo Terrusi-t, të cilat ende nuk janë gjetur.

PIRRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura