Zemra e Enver Hoxhës

Apr 11, 2015 | 12:28
SHPËRNDAJE

FRED ABRAHAMS

   Ekzaminimi mjekësor i mëngjesit të 9 prillit 1985 shkoi më mirë se në ditët e mëparshme. Enver Hoxha, lideri i pakundërshtueshëm i Shqipërisë për 41 vjet, bëri një shëtitje në kopshtin e vilës së tij me të shoqen, Nexhmijen, i mbështetur mbi një shkop. Por rreth orës 10:00 të mëngjesit, Nexhmija i ra alarmit nga dhoma e gjumit. Ekipi special i mjekëve, gjithmonë në gatishmëri, nxituan brenda, duke i dhënë Hoxhës oksigjen dhe goditje elektrike për t’i rivënë në punë zemrën. Ata patën sukses, dhe shenjat dukeshin mirë në fillim. Por veshkat e Hoxhës, të rrënuara nga diabeti, ishin përkeqësuar pa mundësi riparimi. Mjekët e mbajtën në punë zemrën e tij për dy ditë, por ata e dinin se Hoxha nuk kishte asnjë shans. Pak pas mesnate, më 11 prill, një infarkt i dytë dha goditjen fatale.
Pesë orë më vonë, altoparlantët u gjallëruan në qelinë e ftohtë në burgun e Burrelit. Të burgosurit u ngritën nga dyshekët në dysheme dhe u ngjethën në ajrin malor. Jeta e burgut kishte një rutinë të ngadalshme, mëngjes, klasë politike, punë; por kjo ditë dukej ndryshe. Në vend të lajmeve në radion shtetërore, një këngë funerali mbushi ajrin.
Disa nga burrat në burgun e Burrelit kishin kryer krime të zakonshme: vjedhje, sulme, ose më keq. Por shumë prej 250 burrave ishin atje për krime mendjeje: ata kishin guxuar të vinin në dyshim rolin dominues të “Liderit”. Ata kishin shkruar poema, kishin dëgjuar muzikë perëndimore, ishin ankuar për ushqimin e varfër, ose ishin përpjekur të arratiseshin në këmbë apo me trap, ose të afërmit e tyre kishin kryer këto akte tradhtare dhe Hoxha po i bënte familjet e tyre të paguanin. Në qendër të burgut qëndronte një krah i veçantë për ish-udhëheqësit komunistë, burrat që kishin humbur konsideratën e mirë të Hoxhës, të fshirë me një fshesë të hekurt.
Të bllokuar pas hekurave në malet shterpë të Shqipërisë së Veriut, të burgosurit ishin fort të vetëdijshëm mbi ndryshimin më të vogël në rutinë. Ata mund të lexonin çdo shenjë, dhe mesazhi në këtë mëngjes të gjallë ishte i ndritshëm: Lideri i plotfuqishëm i Shqipërisë kishte vdekur!
Të ngazëllyer dhe nervozë, të burgosurit diskutonin lajmin e ri. Ata debatuan zgjedhjen e një pasuesi dhe shanset e tyre për t’u liruar. A do vinin në pushtet monarkistët apo nacionalistët? A do të hapej Shqipëria për botën? Rojet jashtë nuk kishin asnjë ide.
Rreth mesditës, radioja shtetërore dha lajmin: “Shokë, komunistë, punëtorë, kooperativistë, intelektualë, gra dhe të rinj të Shqipërisë, veteranë të luftës dhe bashkatdhetarë”, tha folësi me një ton të rëndë. “Sot, 11 prill 1985, në orën dy e pesëmbëdhjetë, zemra e udhëheqësit të dashur dhe të lavdishëm të Partisë dhe popullit tonë, shokut Enver Hoxha, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, kryetar i Këshilli i Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë, Komandantit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, pushoi së rrahuri”.
Ndërtimi i fjalisë sugjeroi se Hoxha nuk kishte vdekur, vetëm zemra e tij kishte ndaluar.
Të burgosurit shpërthyen në gëzim. Ata bërtisnin dhe hidheshin si njerëz të lirë. Disa ditë më vonë ata e paguan çmimin për ekzaltimin e tyre me rrahje dhe izolim njëzetditor, por pasojat nuk hynë në mendjen e askujt në atë ditë të ftohtë.
Jashtë burgjeve, e gjithë Shqipëria mbajti zi. Edhe ata që e përbuznin regjimin patën një ndjesi humbjeje. Hoxha ishte kujdestar i një toke patriarkale – burri, i cili kishte ruajtur shqiptarët nga shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore, i kishte orientuat ata në mes Perëndimit imperialist dhe Lindjes revizioniste, dhe kishte ndërtuar një shoqëri me energji elektrike dhe shkolla në kodrat më të largëta. Indoktrinimi i tij kishte spastruar në çdo plasë të jetës, një kult personaliteti kaq i plotë, se vdekja e tij ishte traumatike edhe për ata që kishin vuajtur në duart e tij. “Babi, a do ta pushtojnë  gjermanët Shqipërinë?”, pyeti me nervozizëm prindërit e saj një vajzë e vogël. Hoxha ishte aq i rëndësishëm për Shqipërinë, kaq në qendër të identitetit të saj, me emrin e tij të gdhendur në male, sa që shqiptarët e patën të vështirë të imagjinonin që ai do të vdiste ndonjëherë.
Mijëra vajtues qëndruan në rreshta të gjatë përgjatë bulevardit të Tiranës për të parë trupin. Ata qanë dhe mbajtën grushtet e tyre të djathtë në kokë për përshëndetjen komuniste, ndërsa kaluan në arkivolin e hapur të Hoxhës të rrethuar me lule, me një portret të madh të liderit kanosës pas tij.
Disa ditë më vonë, kortezhi i funeralit gjarpëroi në bulevardin kryesor të Tiranës nën re të larta, gri. Vajtuesit u rreshtuan në rrugë në dhjetëra radhë ndërsa arkivoli, në majë të një topi dhe i mbështjellë me flamurin shqiptar kuqezi, kaloi për në sheshin “Skënderbej”. Nën një shi të lehtë, anëtarët e Byrosë Politike udhëhoqën kortezhin në Varrezat e Dëshmorëve në periferi të qytetit, ku ata ulën arkivolin në një dhomë të nëndheshme mermeri. Gruaja e Hoxhës dhe udhëheqësit e partisë spërkatën baltë nga vendlindja e tij dhe ledhatuan shkronjat e arta të emrit të tij.
Nëntëdhjeteshtatë kilometra në veri, në kampin shkëmbor dhe të shkretë të punës në Spaç, të burgosurit politikë shikonin ceremoninë në stola druri në dhomën e televizorit. Askush nuk guxoi të buzëqeshte apo gëzonte. A do të nënkuptonte vdekja e Hoxhës çlirimin apo ekzekutimin e tyre? Disa prej të burgosurve i kishin shkruar një telegram ngushëllimi të vesë së Hoxhës.
“Ngrihuni dhe nderoni këtë njeri të madh!”, thirri një burrë nga fundi i dhomës. Të burgosurit u kthyen duke pritur të shikonin një roje. Por ishte i burgosuri politik Allem, i cili kishte humbur mendjen e tij në 1980, pasi ishte qëlluar në një përpjekje të dështuar ikjeje.
*Fragment nga libri i ardhshëm “Shqipëria Moderne: Nga Diktatura në Demokraci
(NYU Press, Maj 2015)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura