Prej hapjes së procesit për regjistrim ditën e shtunë, vihet re një interesim i madh i emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Deri tani janë 11 mijë emigrantë shqiptarë të regjistruar në platformë. Shifrat bëhen publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe përditësohen vazhdimisht.
KQZ-ja u bën thirrje për regjistrim të gjithë emigrantëve shqiptarë që duan të votojnë nga shteti ku ata ndodhen për zgjedhjet e 11 majit. Kryekomisioneri Zgjedhor, Ilirjan Celibashi, shprehet se në më pak se 72 orë u regjistruan 10 mijë emigrantë.
“KQZ Shqipëri nxit të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të votojnë nga jashtë të regjistrohen sa më parë për të marrë pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025. Shpërndani linkun që të aplikojnë edhe miqtë dhe të afërmit tuaj. Regjistrimi është i lehtë dhe i shpejtë. Vizitoni diaspora.kqz.gov.al dhe mos e humbni këtë mundësi unike për të shkruar historinë bashkë. Vota jote, zëri yt për Shqipërinë! Voto për zgjedhjet e 11 majit! Shkarkoni aplikacionin mobile KQZ për Android dhe IOS, ose vizitoni www.kqz.gov.al (rubrika Votues nga Jashtë) për të marrë të gjitha informacionet se si mund të votoni nga jashtë territorit të Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025”, – shkruan Celibashi në “Facebook”.
Regjistrimet për diasporën u hapën më 11 janar dhe do të mbyllen më 4 mars. Zgjedhjet parlamentare mbahen më 11 Maj. Për herë të parë në një proces zgjedhor në Shqipëri do të votojnë edhe shqiptarët jashtë vendit. Shqiptarët jashtë vendit duhet të aplikojnë përmes PER për t’u regjistruar në zgjedhje. Ata mund ta aksesojnë platformën elektronike të regjistrimit nëpërmjet aplikacionit të KQZ në telefon, po ashtu edhe nga uebsite i KQZ-së në hapësirën e votuesve nga jashtë.
KQZ-ja ka shpjeguar se çdo shtetas që jeton jashtë, duhet të krijojë një llogari në PER. Ai/ajo ka dy opsione për krijimin, qoftë nëpërmjet numrit, apo ‘email’- it që duhet të jenë të saktë. Më pas vjen një mesazh nga KQZ me një kod 6-shifror që përdoret vetëm 1 herë. Pasi shkruhet kodi, vazhdohet me hapat e radhës, ku zgjedhësit i kërkohet të krijojë një fjalëkalim të ri, që duhet të përmbajë 8 karaktere në total. Nga KQZ kanë shpjeguar se aplikimi duhet bërë vetëm duke qëndruar para kamerës ku kapet një imazh i vërtetë i fytyrës. Më pas, zgjedhësi vendos të dhënat e tij personale, të cilat duhet të jenë në përputhje me ato që ka në mjetin e identifikimit, qoftë kartë identiteti apo pasaportë. Pasi zgjedhësit i konfirmohet që krijoi profilin e tij, ai mund të aplikojë kërkesën e tij për t’u regjistruar.
NEGOCIATAT
Larg syrit të medias, socialistët dhe demokratët kanë intensifikuar përpjekjet për gjetjen e një pakti të ri për ndryshimin e Kodit Elektoral, në mënyrë që vota e diasporës të mos bllokohet për shkak të afateve kohore të pamjaftueshëm. Tri ditë më parë, kreu demokrat Sali Berisha konfirmoi negociatat me Partinë Socialiste për votuesit nga jashtë.
“Di që janë në negociata. Di që po zhvillohen negociata. Nuk e di të them në cilin stad janë”, – njoftoi Berisha. Ai konfirmoi votën pro të demokratëve për çdo ndryshim në favor të lehtësimit të votës së diasporës. Kryedemokrati nuk dha detaje për çështjet që janë në tryezën e bisedimeve, por mësohet se po vlerësohet mundësia e afrimit me 10 ditë e afateve të regjistrimit të subjekteve politike, kandidatëve dhe koalicioneve në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt, për t’i dhënë më shumë kohë postës për kthimin e zarfit me votën e emigrantëve brenda afatit zyrtar. Ndërhyrja e dytë ka të bëjë me reflektimin e ndryshimit në Kod, që koston e kthimit të fletës së votimit e merr përsipër shteti dhe jo emigranti.
“Kërkesat e arsyeshme që shkojnë në favor të transparencës dhe mundësisë së votës së diasporës do miratohen nga ne, qoftë edhe në rast se do duhen ndryshime të tjera ligjore”, – theksoi Berisha.
Ndërkohë në një mbledhje virtuale, kreu i mazhorancës, Edi Rama, diskutoi dje me Bordin e Diasporës dhe drejtuesit politik për të folur për nisjen e procesit të regjistrimit të shqiptarëve që do të bëhen pjesë e votimeve më 11 maj.
Në më pak se 48 orë në platformën e KQZ janë regjistruar 10 mijë shqiptarë të diasporës dhe që ajo që vihet re është dominimi i burrave krahasuar me gratë. Ky është një shqetësim edhe për socialistët, të cilët kanë ngritur në shtete si Italia dhe Greqia, ku numri i emigrantëve është më i lartë dhe pika asistence për mbështetësin e tyre që duan të regjistrohen.
Javën e shkuar Rama ka bërë një tjetër rikonfigurim duke zëvendësuar Eduard Shalsin, që shkoi drejtues politik në Kukës, në njësinë 1 në Tiranë, me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, ndërsa Majko pas largimin nga Kukësi do të punojë në zonën e kryeparlamentares në Kavajë./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al