Vajza adoleshente e dy miliarderëve të njohur nga Silicon Valley (SHBA), është larguar nga shtëpia dhe sipas policisë dyshohet se ndodhet në një nga lagjet më të rrezikshme të San Franciskos.
16-vjeçarja Mint Butterfield është vajza e kanadezit Stewart Butterfield, ish-CEO i Slack, dhe ish-bashkëshortes së tij, miliarderes Caterina Fake, bashkëthemeluese e Flickr.
Mint Butterfield ka përdorur drogë në të kaluarën dhe frekuenton lagjen Tenderloin të San Franciskos, një zonë me krim të lartë, e lidhur shumë me botën e drogës.
Gjithashtu ajo më parë ka kërcënuar se do të vriste veten, ndërsa dyshohet të jetë larguar vullnetarisht nga shtëpia ku jetonte me nënën e saj.
Vajza u pa për herë të fundit të dielën në Bolinas (rreth 30 milje nga Tenderloin). Ka qenë nëna e saj, e cila e ka denoncuar të zhdukur të hënën.
Sipas San Francisco Standard, Fake dhe ish-bashkëshorti i saj, Stewart Butterfield, bashkëthemeluan Flickr në 2004 përpara se ta shisnin atë në Yahoo në 2005.
Pas divorcit të tyre në vitin 2008, Stewart bashkëthemeloi Slack, të cilin Forbes raporton se u ble në korrik 2021 për 27.7 miliardë dollarë .
Edhe pse ai u largua nga Slack në vitin 2022, revista e biznesit vlerëson se pasuria personale e Stewart është 1.6 miliardë dollarë.