Zjarret dhe gjinkalla e La Fontenit

Jul 15, 2024 | 8:13
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Si çdo verë, edhe kjo e sivjetmja shënoi zjarret e saj. Krahas tyre, edhe dëmet për individë dhe sidomos për natyrën e vendit. Pamjet janë të njëjta. Nga njëra anë, natyra e pamëshirshme përvëluese dhe nga ana tjetër zjarrfikës të përzhëlitur që rreken të shuajnë me mjete primitive ndonjë shkurre apo pemë që digjet. Në fund, avionë të ardhur nga jashtë që vazhdojnë e vazhdojnë të ndihmojnë. Në një kontekst të kësaj natyre, do të ishte e udhës të shihej se çfarë thotë ligji nr.45/2019 “Për mbrojtjen civile” dhe si është vënë ai në jetë në mënyrë konkrete. Kjo nisur nga disa aspekte konkrete të vërejtura gjatë zjarreve të kësaj vere.

Pavarësisht se ligji “ Për mbrojtjen civile” hartuar pesë vite më parë, parashikon një “Strategji Kombëtare e Rajonale për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore (në rastin tonë konkret zjarret), pavarësisht se parashikon “vlerësimin e riskut, vërtetimin dhe zvogëlimin e tij” nga institucione përgjegjëse në nivel kombëtar e rajonal, gati të gjithë individët e zakonshëm, i madh e i vogël, me shkollë e pa shkollë e dinë që kur vjen vera me temperatura të larta, ka rrezik për zjarre masive dhe për këtë duhen mjete e burime njerëzore të mjaftueshme në gatishmëri. Dhe zjarret ranë kudo në territor, veri e jug, ndërkohë që vapa përvëlues është ende larg përfundimit. Ngado konstatohen mangësi për përballimin e situatës së krijuar.

Përveç sa më sipër, ligji në fjalë parashikon që edhe Akademia e Shkencave duhet të informojë Agjencinë e Mbrojtjes Civile për kërkimet e saj në këtë fushë. Ndoshta kërkimet në fjalë duan kohë më shumë sepse si gjatë gjithë këtyre viteve, edhe në këtë aktual, shuarja e flakëve u bë me shumicë nëpërmjet mjeteve super primitive ku dominojnë degët e pemëve. Produktet e Akademisë në këtë drejtim nuk duken gjëkundi në horizont.

E vetmja pikë e ligjit, e cila rezulton të jetë e realizuar me efikasitet të plotë operacional, është ajo e parashikuar në nenin 54, i cili bën fjalë për “marrjen e asistencë ndërkombëtare”. Nuk vonoi dhe në kulmin e zjarreve, nga Greqia fqinje erdhën dy avionë zjarrfikës të tipit canadair. Dhe mjaftuan këta dy avionë, madje pikërisht në atë zonë ku ne u bëjmë namin grekëve në “Facebook” dhe zjarret të shuhen brenda një kohe shumë të shkurtër.

Si zakonisht, qeverisja aktuale zhvillimin e shikon më shumë në hartimin e një ligji sesa në vënien në jetë të tij. Tipik i një hendeku të thellë në këtë drejtim, është pikërisht ligji për të cilin po flitet. Kjo, sepse aty kërkohet seriozitet me burime të konsiderueshme financiare dhe këto të fundit akordohen kur ka vullnet qeveritar për të paraprirë fatkeqësitë natyrore, të cilat dëmtojnë njeriun e zakonshëm. Në shumicën dërrmuese të tij, ligji nuk zbatohet, madje në pikat e tij më të rëndësishme, të cilat lidhen me aspektin financiar që mundëson investime në mjete, pajisje e teknologji. Ndërkohë sfida e vërtetë e një qeverie të civilizuar është pikërisht zbatimi i ligjeve, të cilët në rast moszbatimi, nuk parashikojnë një dënim penal. Janë ligje që harmonizojnë vullnetin politik me qeverisjen e mirë në favor të publikut. Në këtë drejtim, qeveria nuk zhgënjen. Ligji mbetet teorik pjesërisht i zbatuar.

Më e rëndësishmja është se aty parashikohet gjithashtu që të gjitha ministritë të parashikojnë që dy deri në katër për qind e buxhetit e tyre vjetor të vendoset për mbrojtjen civile, duke përfshirë kështu edhe për mbrojtjen nga zjarri. Kjo do të thotë se gjatë këtyre pesë viteve që është hartuar kjo kërkesë e ligjit, nëse ministritë do të kishin zbatuar këtë kërkesë të tij, krahas buxhetit të akorduar direkt nga qeveria për emergjencat civile, me siguri absolute do të ishin grumbulluar aq fonde sa për të blerë dy canadaire për të shuar zjarrin e të mos i kërkohej ndihma Greqisë.

Mjafton në këtë kontekst të përmendim faktin që sipas një deklarimi të bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë, rezulton se për vitin 2024, këtij institucioni iu akordua një buxhet prej 950 milionë euro dhe 2 për qind e tij (jo katër) është 19.2 milionë euro. Pra, vetëm nga kjo ministri në këtë vit, mbrojtja civile do të kishte në dispozicion një shifër jo të vogël financiare për pajisje bazë të domosdoshme. Dhe nëse do të llogariteshin të gjitha ministritë, do të kishte aq burime financiare sa të mos për të kishte aq burime financiare sa të mos përdoreshin degët e pemëve për të fikur zjarrin.

Milionat e eurove gjatë këtyre pesë viteve, nëse do të planifikoheshin nga të gjitha ministritë do të dilnin dhe do të tepronin për të blerë disa canadaire. Një avion canadair që përdoret nga flota e avionëve të zjarrfikësve të Francës kushton 60 milionë euro. Kjo të lë të kuptosh se zbatimi konkret dhe real i ligjit do të krijonte mundësi të pafundme që për shuarjen e zjarrit të zëvendësohen degët e pemëve. Madje, do të ishte mundësia që Shqipëria të zbatonte me krenari edhe nenin 56 të ligjit, i cili parashikon “Dhënien e asistencës jashtë kufijve të Shqipërisë”. Me degë peme në duart e ushtarëve dhe policëve, kjo asistencë duket e pamundur të jepet.

Nëse hartohet një ligj i tillë dhe kërkesat e tij në shumicë nuk zbatohen, përse duhet hartuar? Në fakt, ndodh ajo që në Shqipëri është më e zakonshmja. Ligje të kësaj natyre hartohen jo me qëllim të zbatohen, por me prapamendim që kur ndodh fatkeqësia, t’i faturohet dikujt që është planifikuar se do të jetë koka e turkut e radhës.

Por përgjigja për këtë pyetje mund të gjendet e saktë në fabulën e La Fontenit “Gjinkalla dhe milingona”. Kjo sepse në rastin e shuarjes së zjarreve këtë verë, njëlloj si në të tjerat të ngjashme me të, mënyra e veprimet të kësaj qeverie është e njëllojtë në koncept me gjinkallën e La Fontenit.

Hartimi i ligjit u shoqërua me një korr zhurmues gjinkallash. Me zë çjerrës ato njoftuan me të madhe se ligji “Për mbrojtjen civile” i hartuar prej tyre ishte një kapërcim epokal drejt një faze modernizimi në ndërtimin e mbrojtjes civile. Dhe si zakonisht, ashtu siç e parashikon propaganda, gjinkallat vetëm kënduan për ligjin, pa menduar më gjatë. Por kur pas miratimit të tij, vjen momenti dhe ndodhen ngushtë, me krenarinë nëpër këmbë, ato shkojnë e trokasin në derën e milingonës. Ndryshe nga gjinkallat, milingona nuk ka bërë zhurmë, por ka punuar pikërisht për të përballuar situatën në një ditë të vështirë. Milingona e La Fontenit nuk e ndihmoi gjinkallën, kurse milingona greke iu përgjigj pozitivisht gjinkallave qeveritare dhe dërgoi dy avionë canadair për të kaluar situatën e vështirë, pra për të shuar zjarret.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura