Detaje të reja dalin lidhur me zjarrin në pallatin 8-katësh që u përfshi sot nga flakët e zjarrit në zonën e ‘Komunës së Parisit’ në Tiranë.
Burime për News 24 bëjnë me dije se kanë mbetur të lënduar katër persona.
Një nënë me dy fëmijët e saj të mitur kanë pësuar djegie, ndërsa një e moshuar është rrëzuar nga shkallët kur ka tentuar të dalë nga pallati.
Bëhet me dije se nëna po merr ndihmë mjekësore në Repartin e Djegies, ndërsa të miturit po marrin trajtim te Pediatria. Gjendja e tyre raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Flakët e zjarrit përfshinë pasditen e sotme garazhin e pallatit tetë katësh në zonën e Komunës së Parisit.
Lidhur me zjarrin reagoi më herët Mbrojtja Civile, e cila bëri me dije se flakët e zjarrit janë vënë nën kontroll.
Gjithashtu Mbrojtja Civile njoftoi se banorët u evakuuan dhe nuk ka rrezik për njerëzit, ndërsa u raportua për 3 mjete të djegura.
Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
Reagimi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile:
Sipas raportimeve nga strukturat e Mbrojtjes Civile të Bashkisë Tiranë, zjarri në katin nëntokë të Kompleksit Kika në Komunën e Parisit është vënë nën kontroll nga 2 mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë zjarrfikës.
Janë djegur 3 automjete të parkuara, banorët janë evakuuar dhe situata nuk paraqet rrezik për njerëzit. Ka ende prezencë tymi dhe paraprakisht dyshohet se shkaku është një shkëndijë elektrike.
Njoftimi i policisë:
Më datë 25.01.2025, rreth orës 18:00, tek Komuna e Parisit, tek Kika 1, ka rënë zjarr në garazhdin e një pallati 8-katësh.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë të cilët po bëjnë të mundur evakuimin e banorëve, ndërsa shërbimet zjarrfikëse po punojnë për fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al