Zonja nga Filati, Safo Demi

Jan 30, 2025 | 7:21
SHPËRNDAJE

enver kushiENVER KUSHI

Afër mesditës së datës 20 janar të këtij viti, me telefonoi miku im dhe historiani i mirënjohur Hajredin Isufi, që më dha lajmin për ndarjen nga kjo jetë të Safo Demit. Pasi shpreha hidhërimin për Safon, i thashë se vitin e shkuar kisha takuar Pëllumbin, djalin e saj, në një nga rrugët e “Tiranës së Re”, i cili më foli për shëndetin e rënduar të nënës së tij. Me Pëllumbin jemi moshatarë. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Dega e Fizikës. Ka qenë rektor i Universitetit Ushtarak dhe e mbylli karrierën si profesor i kësaj lënde në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ai është personalitet në fushën e tij dhe ka lënë gjurmë në këtë lëmë. Dola nga zyra e Sektorit të Muzeologjisë, ku punoj në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Jashtë kishte diell dhe përballë Qendrës Fetare – Kulturore të Bektashizmit, kodrat e buta, mu dukën si të përgjumura. Iku nga kjo jetë edhe Safo Demi, zonja nga Filati, thashë me zë.

Ajo ishte një zonjë e vërtetë, me virtyte të rralla, familjare e devotshme, gojëmbël dhe fisnike. Ajo është e bija e Musa Demit, që siç shkruan prof. Pëllumb Xhufi: “Është protagonist në organizimin e qëndresës antiosmane, në hapjen e klubeve e shkollave shqipe në Çamëri… Në kundërshtimin e pushtimit të represionit e gjenocidit grek… në luftërat me pendë, në luftërat me armë”. Ajo është motra e Petritit dhe e Resul Demit, ky i fundit iku nga kjo jetë vitin e shkuar, ndërsa Petriti shumë vite më parë. Petrit Demi vinte shpesh në Muzeun Kombëtar, ku unë punoja. I kam të gjitha librat që ai ka botuar. Në Spatar, vendlindjen e të parëve të mi, kishte miqësi me gjyshin dhe Selmanin, xhaxhin e babait tim. Petriti është nga të parët djem të Çamërisë, që u rreshtua në radhët e EAM-it, forcave partizane greke në Epir. Mbaj mend, që në përkujtim të tij në hotel “Tirana”, ku u promovua një libër i Petritit, fola dhe unë dhe që në fillim përshëndeta praninë në atë sallë të Safo Demit. Më pas, në mbyllje të kësaj veprimtarie, bisedova gjatë me Safon. Më pyeti për të gjithë, veçmas për nënën time, duke më porositur që t’i bëja të fala dhe ta përqafoja. Pastaj kujtoi dajot e mi, Taipin dhe Reshatin, djemtë dhe vajzat e tyre. I përmendi të gjithë më emra. Unë i thashë se isha shumë i ri, por e mbaja mend mirë atë, kur shkoja në Golem tek dajot. Safo Demi banonte në një shtëpi njëkatëshe, në hyrje të Golemit, pranë asaj të dajës tim, Taip. Ajo ishte martuar me Gani Berberin, një zotëri i vërtetë nga Delvina, mësues dhe drejtor i Shkollës Bujqësore të Golemit, ose siç thirrej në popull, Shkollës Amerikane. Nëna ime shkonte shpesh në Golem dhe sa e merrte vesh Safua, vinte për ta takuar. Kujtoj si tani bisedat e saj, sesi kujtonte Filatin, familjet e mëdha të këtij qyteti, babain e saj, Musa Demin, miqësitë me çamët e  krishterë, grekët apo vllehët, që banonin në këtë qytet, shoqet e fëmijërisë, si dhe ëndrrën që kishte për t’u takuar me këto vajza të bukura të familjeve të krishtera, që ishin rritur bashkë. E kam takuar prapë këtë zonjë nga Filati në shtëpinë e saj në Tiranë. Ishte mirë me shëndet. Iu rikthye kujtimeve nga Golemi. Pastaj unë e pyeta për Filatin. Befas sytë e saj sikur morën një shkëlqim a dritë të veçantë. Heshti gjatë, shumë gjatë. Dhe nisi të më rrëfejë për vitin 1992, kur pas 40 viteve, kishte shkuar atje, në vendlindjen e saj. Më njohën edhe gurët, tha. Edhe drurët. Edhe kalldrëmet. Edhe sokaqet. Edhe… Edhe… Zonja nga Filati, Safo Demi, në ato momente teksa fliste me mua, mu duk se nuk ishte në Tiranë, por në Filatin e saj të bukur. Kur u ndamë, i thashë se Hajredin Isufi ka shkruar për mbresat e saj, kur ajo kishte vizituar Filatin. Më përcolli deri jashtë apartamentit dhe duke më përqafuar, më porositi t’u bëja të fala të gjithëve, veçanërisht, Selemesë, nënës sime. Dua t’i mbyll këto shënime në kujtim të zonjës nga Filati, ndoshta e fundit që ishte gjallë nga ky qytet, duke cituar historianin Hajredin Isufi, nga libri i tij “Çamëria, Studime Historike-Sociologjike, shek..XIII-XX” , botuar në vitin 2006: “Në viti 1992, Safo Demi (Berberi), krejt papritur për miqtë e familjes së saj dhe shoqet e fëmijërisë u gjend në Filat. Ajo mbante mend mirë çdo shtëpi e lagje, çdo rrugicë e skutë të qytetit të saj, ku kishte kaluar vitet e bukura e të paharruara të fëmijërisë. Vendosi që vizitën e parë ta bëjë në shtëpinë e L.K. Ajo ishte një familje e krishterë filaqote, që kishin miqësi të ngushtë, jo vetëm të parët e familjeve të tyre me Musa Demin, por edhe vajza e L.K., Katerina, ishte shoqe e viteve të shkuara me Safo Demin. Safua nuk e dinte nëse do të gjente njeri në shtëpi.

Ajo dhe shoqja e saj ishin të thyera në moshë e të zbardhura. Mosha kishte bërë punën e vet dhe kishte lënë gjurmët e saj, por kujtimet tek Safua kishin mbetur të njëjta si më parë, të forta e të paharruar. Çamja, që kthehej në qytetin e saj, pas më shumë se 40 vjetësh, trokiti në portën e L.K. Menjëherë në krye të shkallës së shtëpisë, del një grua dhe pyet se kush ishte.

-Jam një mikeshë e vjetër e kësaj shtëpie – i tha Safua – A pranoni miq?

-E njoha nga zëri. Ishte shoqja ime, tregon Safua, por emrin tim nuk ia thashë, për të provuar a do më njihte.

Katerina, sapo e dëgjoi zërin e shoqes së saj, që nuk e kishte dëgjuar për dhjetëra vite, lëshoi një britmë, që shprehte dhimbje, habi dhe gëzim e përzihej me mallëngjim. I vetmi refren që dilte nga goja e saj, kur vraponte për të hapur portën e jashtme ishte:

-O popo, o popo! O Zot i madh! Zot i madh! Erdhi gjaku inë, gjaku inë!

Dhe me një mall të madh iu hodh Safos në qafë. Të dyja shtrëngoheshin fort në krahët e njëra-tjetrës, putheshin dhe nga sytë e tyre derdheshin lot malli, sikur donin të lanin borxhin e mallit të viteve të shkuara të ndarjes. Ato ishin lot për fatin tragjik, që i kishte ndarë”./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura