Zvarritja e procesit të rindërtimit, “Vetting” zbulon ku shkuan fondet! Kush janë firmat e favorizuara nga Bashkia e Durrësit, vetëm “Eurondërtim” fitoi mbi 70 tendera! Si ekspertët dhanë alarmin

Oct 18, 2024 | 8:43
SHPËRNDAJE

Frani është vetëm njëri nga ata, që ka kaluar në kurrizin e tij jo vetëm dëmet e tërmetit, por edhe të gjithë llojet e burokracive për rindërtimin, që tashmë i duket se po zgjat “sa një jetë”.

emirjana sako

Frani, banor i pallatit 12-katësh, që ndodhet përballë Stacionit të Trenit në Durrës, në qendër të kompleksit “Jeda”, sjell edhe sot gjithë momentet terrorizuese të 26 nëntorit 2019, kur pallati u lëkund dhe pësoi dëme. Në letra u shënua “DS4”, por banorët thjesht dinë se nuk mund të jetohej më aty, pasi katër katet e para ishin krisur tërësisht. “Edhe një gjë më të voglën nuk e kam nxjerrë. As edhe një gjë. Ishte shembur komplet, kishte rënë brenda, me televizor, divan e çfarë kemi pasur mbas shpirtit”, – thotë Frani. Tmerrit që risjell Fani i bashkohen edhe banorët e tjerë të të njëjtit pallat, të cilët e kanë të vështirë ta harrojnë mëngjesin e 26 nëntorit. “Nga kati i parë deri në katin e katërt është shembur çdo gjë, me mure, mobilie, çdo gjë. Ndërsa nga kati i pestë e lart kishte mure e dyer të plasaritura e dritare të plasaritura në anësore. Që pas rënies së tërmetit në kompleksin “Jeda”, sikurse e shikoni ka qenë katastrofë. U vendos që duke qenë së pallati ka qenë DS4, të gjitha punimet do të bëheshin nga shteti dhe nuk do kishim kompensim financiar”, – shprehet Jonida Cece për “Vetting”, administratorja e pallatit.

Por, edhe pse fondet për rindërtim kapin vlerën e 2.4 milionë eurove, riparimi i tij nuk është bërë plotësisht, duke detyruar disa prej banorëve t’i “plotësojnë vetë punimet e mbetura” për të mos mbetur edhe shumë kohë të tjera jashtë shtëpive të tyre. Madje, kjo është bërë edhe më emergjente, pasi Bashkia Durrës ka hequr edhe mbështetjen për qiratë. Por askush nuk u jep shpjegim banorëve se ku përfunduan ato miliona që do dilnin për ta ribërë pallatin pa asnjë mangësi? “Me aq shumë lekë që janë hedhur në këtë pallat, do ishte bërë nga fillimi. Unë dhe gjithë banorët e tjerë nuk e dimë se ku kanë shkuar këto lekë”, – thekson Jonida Cece. Banorët ankohen se ka pasur neglizhenca të mëdha. “Vetting” ngriti në emisionin e kaluar pikërisht problematikën që vinte nga firmat fituese me shumë pak punëtorë, të cilët më pas nuk gjenin as nënkontraktor për të përfunduar në kohë pallatet.

Teksa për punimet e papërfunduara banorët e pallatit 12-katësh kanë depozituar një padi në SPAK, ku kërkojnë të dinë fatin e fondeve të BE-së. Sipas informacioneve që dispozicion emisioni “Vetting”, kompanive fituese, që është bashkim i disa subjekteve, u janë dhënë mbi 2.4 milionë euro për riparimin e këtij pallati, për ta dorëzuar të përfunduar. Por banorëve iu është dashur të harxhojnë nga paratë e tyre apo të marrin hua që të hyjnë në shtëpitë e premtuara nga qeveria pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. “Ore këtë pallat e kanë bërë njerëzit vetë, sepse nuk ishte dorëzuar as për 3–4 vite sikur e kanë nisur ata për ta bërë. Hajde pi raki, luaj domino dhe stop”, – thekson Frani. Por përse banorët u rikthyen në shtëpitë e tyre të papërfunduara? Sipas banorëve të pallatit në kompleksin “Jeda”, Bashkia Durrës iu ka ndërprerë atyre dhënien e qirasë që në mars të vitit 2022 e deri më sot. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që këta banorë shpejtuan të riktheheshin në apartamentet e tyre të papërfunduar dhe të pakolauduara. Ndërsa Bashkia zgjodhi të mos reagonte, duke e shituar si arritje të saj kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që kolaudimi i tij akoma nuk është kryer, edhe pse banorët aktualisht janë në këtë pallat.

HETIMI I SPAK PËR TENDERAT E DYSHIMTË

Banorët të zemëruar nga mospërfundimi i punimeve dhe largimi i firmës fituese, duke lënë në dorë të banorëve të mbarojnë punimet në shtëpitë e tyre, ka bërë që një pjesë e tyre të depozitojnë në SPAK një kërkesë për hetim, se si janë menaxhuar fondet për pallatin e tyre. Sipas dokumenteve, punimet e këtij pallati kanë filluar në vitin 2021, por kompanitë janë larguar sapo ka mbaruar afati në letra, pavarësisht se në terren punimet i kishin lënë përgjysmë, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi lidhur me mospërfundimin e tyre, edhe pse, fondet nuk kanë munguar.

“Kam ulur tavanet, suvatimet, kam ulur gjithçka. Shtrimin me parket e kam bërë vetë se me vunë pllakat te ndryshme. Jo si i ka hije në banese, një shtëpie banimi. Ishin thyer pllakat, njëra ishte e kuqe, njëra e verdhë, një e zezë, ruajna Zot, skandal! Skandal, a merr vesh? Atëherë u detyrova t’ia bëja vetë”, shprehet Frani, banor i Durrësit.

Por si u fitua tenderi dhe përse po heton SPAK-u? Më 12 prill 2021, Bashkia Durrës shpalli tenderin për “Riforcim godine banimi 12-13 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, rruga ‘Jahja Ballhysa’ nr.6, kod GIS 3092 me fond limit 247 milionë lekë ose rreth 2.5 milionë euro me procedurë të kufizuar. E shpjeguar më qartë, ky fond ishte akorduar për riforcimin e njësive të banimit në ndërtesat (pallat), që ishin klasifikuar si godina të pabanueshme, ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë që nuk duhej të rindërtoheshin nga e para, por kishin nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime në lote. Mbas 10 ditësh, Bashkia e Durrësit do të mbyllte garën duke klasifikuar 3 kompani në fazën e parë, ‘Ante-Group’, Konsorciumin ‘BE – IS’ shpk & ERGI & 2T”, konsorciumin “Ish-EURO-ALB (Lis Konstruksion) dhe LLAZO & ED KONSTRUKSION” dhe operatorin ekonomik “INERTI”.

Në fazën e dytë te tenderimit, do të klasifikohej bashkimi i operatorëve “BE – IS” shpk & ERGI & 2T”, por në mënyrë të pashpjegueshme këto kompani do të tërhiqeshin nga gara e organizuar nga kryetarja aktuale e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, asokohe nënkryetare. Tërheqja nga tenderi i këtyre kompanive do të sillte shpalljen automatikisht fitues të konsorciumit “Ish-EURO-ALB (Lis Konstruksion) & LLAZO & ED KONSTRUKSION”, i cili gjendej në vend të dytë me ofertën 247 milionë lekë ose 2.4 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit. Sipas banorëve, mbasi filluan punimet për riforcimin e pallatit, kompanitë nuk mbyllën të gjitha punimet e kontratës të lidhur me Bashkinë e Durrësit.

“Edhe për apartamentet që dëmet ishin të konsiderueshme, punimet u bënë si u bënë. Është vendosur dorë nga të gjithë banorët për të sistemuar punimet që janë riparuar nga firma”, – thekson administratorja Jonida Cece.

Sipas Open Data Albania, “Lis Konstruksion” (Ish-EUROALB) ka marrë vetëm 204 milionë lekë ose 2 milionë euro nga Bashkia e Durrësit, të cilat korrespondojnë vetëm me 82% të fondit që duhet të kishte marrë kompania. Por, pavarësisht se kompania ka mbetur pa u likuiduar për 18% të vlerës se tenderit të fituar, çuditërisht ky subjekt nuk ka depozituar asnjë ankesë kundrejt bashkisë për mosshlyerje të pagesave. “Vetting” kontaktoi Bashkinë e Durrësit për arsyet e ndërprerjes së punimeve nga kompania dhe cilat ishin masat e ndërmarra ndaj kompanisë, por deri në publikimin e këtij materiali, institucioni refuzoi t’u përgjigjej këtyre pyetjeve.

KOMPANIA QË PËRFUNDOI NË SPAK

Kompania “Lis Konstruksion” (ish-EURO-ALB) është themeluar në vitin 1999 nga Bujar Murati, i cili më vonë do t’i shiste aksionet gruas së vet, Doriana Murati, e cila më 2012 do ia dhuronte aksionet mbesës së bashkëshortit, Erilda Murati, e bija e Imer Muratit, pronar i një tjetër kompanie ndërtimi “Murati” shpk, që është e lidhur me “Lis Konstruksion”. Më pas, më 2013, kjo e fundit do ia dhuronte aksionet Bujar Muratit, i cili do të rimerrte kontrollin e kompanisë për t’ia dhuruar vitin e kaluar kompaninë bashkëshortes, Doriana Murati. Nga të dhënat e siguruara nga “Vetting” rezulton se në vitin 2013, kompania “Lis Konstruksion” (ish-EURO-ALB) e Bujar Muratit do të fillonte procedurat e bashkimit nëpërmjet përthithjes me kompaninë “Murati” shpk në pronësi të vëllait të vet, Imer Murati.

Zakonisht këto bashkime ndodhin që kompanitë të forcohen më shumë nga aspekti financiar dhe i burimeve njerëzore, por një detaj i rëndësishëm zbulohet nga raporti i bashkimit të kompanive. Sipas dokumenteve zyrtare të bashkimit, “Murati” shpk ka përgjegjësi për kontratat e punës të siguruara nga “EURO-ALB”, sot “Lis Konstruksion”. Dhurimi i aksioneve dhe ndryshimi i emrit kanë ndodhur në periudhën mars-prill 2023, dy vite pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme në 2021, ku u arrestua ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, pasi ky i fundit kishte favorizuar kompaninë “Lis Konstruksion” (ishEURO-ALB) për një tender të akorduar nga Bashkia e Lushnjës. Në rastin konkret bëhej fjalë për tenderin e kanalit të ujit me vlerë 24 milionë lekë, ku së bashku me ish-kryebashkiakun u arrestua edhe Bujar Murati nën akuzë për falsifikim dokumentesh e kryer në bashkëpunim.

Nga informacionet e siguruara nga SPAK, problemi kishte filluar me ankesat që kishin bërë kompanitë e tjera garuese, duke sjellë edhe shqetësimin e ishkryebashkiakut Fatos Tushe, informacione që zbulohen nga përgjimet e prokurorisë. Por, Bujar Murati nuk është një emër i panjohur për drejtësinë dhe fushën e prokurimeve publike. Në vitin 2009, Bujar Murati ka qenë drejtor i përgjithshëm i Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, periudhë në të cilën u arrestua për çështjen e tenderit të uniformave të policisë. Sipas akuzave të ngritura asokohe nga prokuroria dhe policia, biznesmenët e përfshirë në këtë procedurë prokurimesh do t’u jepnin një pjesë të fitimit zyrtarëve publikë për t’i shpallur fitues të tenderit. Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, mësohet se në janar 2014, Bujar Murati depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e burgut.

“MURATI” FITOI MBI 50 TENDERA

Në 5 vitet e fundit, kompania e “Lis Konstruksion” (ishEURO-ALB) e vetme, por edhe si bashkim kompanish me “Murati” shpk, është shpallur fituese e mbi 50 tenderave me vlerë dhjetëra miliona euro. Këto tendera janë organizuar kryesisht nga Bashkitë Cërrik, Gramsh, Rrogozhinë, Kamëz, Sarandë, Berat, Shijak, Vorë, Krujë dhe Maliq, Përrenjas, Bulqizë. Një pjesë e këtyre tenderave rezultojnë pa garë ose kompanitë konkurruese janë shkualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Kjo ka bërë që këta tendera të shënohen me flamur të kuq nga Open Data Albania. Nga informacionet e siguruara nga bilancet e të dyja kompanive, “Lis Konstruksion” dhe “Murati” shpk, rezulton se ato kanë kryer shërbime për komunat dhe drejtoritë e përgjithshme jo vetëm në 11 vitet e fundit, por edhe para ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet. Z

BULIMET E KLSH-SË

Mes mijëra ndërtesave të dëmtuara, 143 ishin shkolla në gjithë vendin, kopshte, çerdhe dhe konvikte në të gjithë vendin. Vetëm në Bashkinë Durrës u dëmtuan 42 shkolla. Komiteti Shtetëror i Rindërtimit miratoi një listë me 42 shkolla, të cilat do të rindërtohen nga e para ose do të rikonstruktohen gjatë fazës së dytë të programit “BE për Shkollat”. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar procedurat e vlerësimit të dëmeve vetëm për 11 objektet arsimore të kësaj liste, që i përkasin Bashkisë së Durrësit.

Sipas raportit paraprak të KLSH-së, 11 godinat arsimore u verifikuan menjëherë pas tërmetit nga grupet e ekspertëve të ngritura nga Instituti i Ndërtimit dhe rezultuan pa dëme strukturore. Ekspertët rekomanduan përgjithësisht riparime rifiniturash e suvatime, me përjashtim të konviktit të shkollës “Beqir Çela”, ku rekomanduan mospërdorim deri në një vlerësim të dytë. Katër prej godinave arsimore, ku përfshihen gjimnazi “Naim Frashëri”, çerdhet nr.2 dhe 3 dhe shkolla “Eftali Koçi” iu nënshtruan një inspektimi të dytë, më 8 dhjetor 2019. KLSH citon në aktinspektimin e kryer për gjimnazin “Naim Frashëri” se u vlerësuan dëme të lehta strukturore të shkallës 2, por me rrezikshmëri “të gjelbër/të banueshme”.

“Bashkia Durrës ka inicuar kërkesën për aktekspertizë të thelluar edhe pse në aktkonstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit apo grupeve përkatëse të inspektimit nuk është kërkuar rivlerësim më i thelluar”, shkruhet në raport KLSH.

Aktekspertimet e thelluara të Institutit të Ndërtimit paraqesin një situatë të kundërt me vlerësimet paraprakë. Për shumicën e objekteve shkollore, ato konstatojnë degradim të hekurit dhe kolonave mbajtëse si dhe prani të lagështirës. Në raportin, KLSH vlerëson se aktekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit janë trajtuar në formë shablloni, duke bërë më shumë historikun e tërmeteve në Shqipëri sesa trajtimin e problemeve të objekteve. Raporti shton gjithashtu se audituesit e KLSH-së nuk gjetën asnjë evidencë në terren që të provojë nëse është verifikuar hekuri i kolonave apo muret poshtë suvasë, të cilat konsiderohen në aktekspertiza si të degraduara. Duke i konsideruar procedurat e ndjekura nga Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit në shkelje të kuadrit ligjor, audituesit e KLSH-së vënë në dyshim edhe vërtetësinë e aktekspertizave të thelluara.

KANALIZIMI I FONDIT PËR RINDËRTIM

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka devijuar në vitin 2022 një pjesë së fondit të parashikuar për rindërtim. Bëhet fjalë për shkollën “Met Hasa” në Porto Romano, ku një shumë prej 36 milionë lekësh u spostua për shlyerjen e borxheve të institucionit vendor ndaj OSHEE. Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, përcaktoi shkollat që do t’i nënshtroheshin rikonstruksionit dhe ato që do të ndërtoheshin të reja.

“Investimet në arsim do të jenë ndërtimi i godinës së re të shkollës 9-vjeçare ‘Met Hasa’, rikonstruksioni i plotë i QKF Durrës, ndërtimi i një shkolle të re, ku do të bashkohen shkollat 9-vjeçare ‘Vasil Ziu’ dhe ‘Nënë Tereza’, rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare ‘Demokracia’, rikonstruksioni i shkollës ‘Besnik Hidri’ Shënavlash si dhe rikonstruksioni i shkollës ‘Don Nikollë Kaçorri’, ndërtimi i kopshtit në oborrin e shkollës “Isuf Hoti” në bashkëfinancim me PNUD për programin e rindërtimit”, – deklaroi Sako.

Edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, në zërin e investimeve për vitin kalendarik 2022 është listuar ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”. Ky objekt arsimor ndodhet në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, në zonën e njohur si Porto Romano. Shkolla nuk rezulton në listën e ndërtesave që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i nëntorit 2019. Në të njëjtën kohë nuk është e listuar as në godinat që janë në proces rikonstruksioni ose rindërtimi në Bashkinë Durrës.

Por më 6 shtator 2022, thuajse 10 muaj pas miratimit të buxhetit, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi një vendim, (pika 4 e rendit të ditës) i cili kishte të bënte me një fond prej 81 milionë lekësh, që do t’i akordohej OSHEE, pasi kjo njësi vendore kishte rezultuar debitore, kundrejt institucionit në fjalë. Në relacionin e hartuar, autoriteti vendor përcaktonte se nga do të sigurohej ky fond debie, duke cenuar dy investimet e parashikuara, njëri prej të cilëve me objekt: ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”.

“Pra, fondi prej 36.000.000 lekë i planifikuar për financimin e projektit në vitin 2022 do të mbetet i papërdorur. Në këto kushte kërkojmë që vlera prej 36.000.000 lekë të merret nga ky fond dhe të alokohet për shlyerjen e detyrimeve kundrejt OSHEE”, – bëhet me dije në relacion. Sipas shkresës zyrtare, 36 milionë lekë janë marrë nga fondi i ndërtimit të shkollës, pa përcaktuar afate në lidhje me zbatimin e këtij projekti, i cili u bë publik në mbledhjen e këshillit bashkiak në dhjetor të një viti më parë, nga kryebashkiakja, Emiriana Sako.

FRYRJA E FONDEVE

Më 29 korrik 2024 rihapet tenderi me objekt “Ndërtim shkolla 9-vjeçare ‘Met Hasa’” dhe për këtë tender u alokua fondi prej 2.4 miliardë lekësh. Teksa për ndërtimin e po kësaj shkolle në vitin 2020 autoriteti kontraktor: Fondi Shqiptare i Zhvillimit ky tender u fitua nga bashkimi i kompanive “Pe-vla-ku” shpk dhe “Pe-vla-ku” dega Kosove & “BIBA-X” shpk me ofertë vetëm 1 miliardë lekë. Por aso kohe fondet u devijuan për t’u rihapur me 1 miliard më shumë lekë si tender. Tenderin e vitit 2024 e ka fituar “ASI-2A CO” me administrator Astrit Gjikondi dhe pronar Andrea dhe Astrit Gjikondi. Ndërtimi i shkollës do të marrë një afat prej 12 muajsh.

Afera korruptive e ndërtimeve nga Bashkia Durrës, e reflektuar në zbulimin e KLSH-së për shkeljet gjatë vlerësimeve të dëmeve nga tërmeti, është me e hapur në rastin e gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës. Sipas KLSH-së, gjimnazi nuk ishte i dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 në shkallët DS4 apo DS5, që mund të futej në rindërtim. Por Bashkia e Emirjana Sakos ka menduar ndryshe.

“Faktikisht çfarë kishte zona të mira të dëmtuara ose jo banesat dhe shkollat e dëmtuara pak u shembën”, – shprehen qytetarët.

Sipas audituesve të KLSH-së, Bashkia e Durrësit inicioi kërkesa për aktekspertime të thelluara për 11 objektet arsimore, ndonëse ekspertizat paraprake i kishin vlerësuar ato si të pacenuara deri në atë pikë sa të ishin të pabanueshme. Godina e gjimnazit funksionoi normalisht edhe 4 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, deri në mars 2020, kur Ministria e Arsimit vendosi mbylljen e mësimit normal për shkak të pandemisë Covid-19. Nga muaji dhjetor 2019 deri në mars 2020, shkolla “Naim Frashëri” ka pritur pa problem qindra nxënës, si edhe stafin pedagogjik.

Godina ishte vendosur për prishje, edhe pse pa dëmtime, ndërkohë që godina të tjera të dëmtuara rëndë nuk marrë asnjë vëmendje apo zgjidhje. Shkolla “Naim Frashëri” gjendet në një zonë të lakmuar të qytetit të Durrësit dhe biznesi i ndërtimit ka pasur shpesh interes për të investuar. Vendimi për rrëzimin e shkollës “Naim Frashëri” i frikësoi banorët rreth gjimnazit, pasi dyshonin se ky projekt për të shembur shkollën do t’i hapte rrugën ndërtimit të kullave përreth.

“Vetting” zbulon “strategjinë” elektorale me fondet e rindërtimit

Por a është përdorur rindërtimi për fushata? Open Data Albania ka evidentuar shpërndarjen e granteve individuale për Programin e Rindërtimit pas Tërmetit, në muaj të zakonshëm 2020-2023 dhe në muaj pjesë e fushatave zgjedhore (30 data përpara votimit).

Nga granti i ndërtimit ose rikonstruksioni ishin në program për të përfituar familjet e dëmtuara nga fatkeqësia natyrore, ku Bashkia e Durrësit jepte çelësat për të hyrë në shtëpi. Por, në javën përpara zgjedhjeve të vitit 2021, Bashkia e Durrësit ndryshoi strategji, duke ua kaluar fondin e rindërtimit qytetarëve në llogari bankare, një veprim aq sa i paparashikuar, aq edhe i paragjykuar për ndikimin në zgjedhjet e atij viti. Drejtuesja e Open Data, Aranita Brahaj, ka qenë e para që ka ngritur alarmin e devijimit të fondeve dhe shtyrjeve të punimeve, të cilat, sipas saj, janë shtuar sa herë që janë afruar datat e zgjedhjeve.

Kështu, Bashkia Durrës transferoi në prill 2021 mbi 792 milionë lekë grante individuale për rikonstruksione të lehta në banesa. “Për këtë zonë gjatë 2021, Organizata AIS konsideroi transferimin e fondeve në periudhë zgjedhore si një rast ku paratë publike u përdorën për të ndikuar votuesit në Durrës dhe në shkelje të Kodit. Për këtë inicioi një denoncim me kërkesën në Hetim Administrativ në Institucionit Zgjedhor”, – thekson Aranita Braja. Rreth 16% (1.1 miliardë lekë) e totalit të pagesave individuale është realizuar në muajt e fushatave elektorale (4 muaj), ndërkohë 84% (4.44 miliardë lekë) përgjatë muajve të tjerë (nën vlerësim 35 muaj nga qershor 2020 kur u miratuan grantimet e para individuale deri maj 2023). Në Durrës aplikimi i theksuar i granteve rezultoi në muajin prill 2021, muaj që përkon me datat finale përpara votimit për deputet.

“FLUTUROJNË” KOSTOT E RINDËRTIMIT

Deri në mes të vitit 2023, sipas të paraqitjes në interpelancë e ministres së Financave dhe Ekonomisë, kostoja totale e procesit të rindërtimit është 117.6 miliardë lekë, fonde të miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave për kompensime, projekte apo investime. Kjo shumë është financuar si nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve/investimeve të tjera, po ashtu edhe nga huamarrja.

Një kosto të konsiderueshme financiare, e mbuluar tërësisht nga Buxheti i Shtetit, ka sjellë edhe politika e subvencionimit të qirasë për strehimin e familjeve të dëmtuara. Në vitin 2020, numri i familjeve përfituese nga politikën e strehimit, pra të subvencionimit të qirasë, ishte rreth 14,100, ndërsa sot janë 8,400 familje që marrin bonus qiraje me një vlerë mesatare prej 20 mijë lekësh në muaj. E gjithë kjo shumë që është alokuar nga buxheti në formën e investimeve dhe shpenzimeve për mbulim të kostove për qiramarrje dhe shpenzime të tjera operative është afërsisht sa 92% e investimeve totale të vendit për vitin 2023, apo sa 25% e gjithë investimeve kapitale të buxhetit të shtetit për vitet 2020–2023.

Nga ana tjetër, në daljet publike Emirjana Sako komentoi procesin e rindërtimit nga tërmeti, duke deklaruar se për procesin e gabimeve është marrë praktika italiane. “Ne aktualisht po punojmë me shembjen e godinave të dëmtuara. Unë kam vizituar shumë objekte në qytetin e Durrësit, janë bërë rreth 90 mijë konstatime dhe 7700 kanë dalë objekte me probleme. Këto dëme nuk janë të gjitha serioze. Ne kemi marrë praktikën italiane për vlerësimin e gabimeve”, – tha Sako. Por Sako nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si ka mundësi që nga 9 lote, vetëm loti 4 nuk ka gabime në formulime gabim apo me shkelje.

NJERËZIT NË RRUGË

Edhe pse është vitit 2024 shumë kohë nga tërmeti ka kaluar, madje janë duke ardhur zgjedhjet e tjera vijojnë ende tenderat. Qeverisja vendore e Durrësit ka hapur tender në datë 16 shtator 2024 me objekt Riaftësim strukturor i Pallatit nr.15, Rruga “Abaz Çelkupa 15”, Rajoni 3, Kod GIS 24795(Programi i Rindërtimit). Për këtë garë Emirjana Sako ka hapur konkursin me fond limit 800 milion lekë. Këtë tender e ka fituar bashkimi i kompanive “Eurondërtimi 2000 shpk & Everest shpk & Shehu -2AB Konstruksion shpk”.

Sipas “Open Procurement Albania”, ky tender është sinjalizuar me flamur të kuq me mungesë konkurrence, pasi nuk ka pasur bashkim kompanish. Pra, sipas Open Data, “Eurondërtim”, “Everest” dhe “Shehu-2AB” kanë qenë të paracaktuara se do të fitonin tenderit si të vetmit në garë. Kompania “Eurondërtim 2000” është identifikuar edhe më herët me problematika dhe me punë të pakryera nga emisioni “Vetting”. Zotëruesi Qani Saraçi dhe njëherësh dhe administrator i kësaj kompanie. Kjo kompani vetëm në vitin 2019 deri në vitin 2024 ka marrë 78 tendera “Eurondërtim 2000” ka marrë nga shteti 1,469,726,047.00 ose thënë ndryshe 14 miliardë lekë përgjithësisht ose shumica e tenderave janë dhënë nga Bashkia e Durrësit.

Kjo kompani e ka nisur aktivitetin e saj në 12.03,2000, por aktiviteti nis me humbje në vitin 2012. Por pas vitit 2013, rinis ngjitja e tij financiare. Kompania tjetër, “EVEREST shpk” ka 6 ortakë, duke nisur me përqindjen më të lartë të aksioneve Sokol Çupi – 25%, Ilir Çupi me 25% të aksioneve Hyqmet Valteri – 12.5%, Esat Valteri – 12.5%, Albert Valteri – 12.5%, dhe Kujtim Valteri – 12.5% të aksioneve . Kompania tjetër është “Shehu” dhe kompania – “2AB Konstruksion shpk” ka pronar Jani Sheja dhe Afrim Shehu. Ndërsa në datën 26 shtator 2024 është hapur tenderi për mbikëqyrjen e po të njëjtës punë “Riaftësim strukturor i Pallatit nr.15, rruga ‘Abaz Çelkupa 15’, Rajoni 3, Kod GIS 24795 (Programi i Rindërtimit ), nga autoriteti kontraktor po ashtu Bashkia Durrës. Fondi për këtë tender është 100 milionë, por deri më tani nuk ka asnjë ofertues.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura