Zvërneci, ishulli që mbeti tri vite pa u shkelur për një urë

Jan 30, 2017 | 18:28
SHPËRNDAJE

Ura që të çon në manastirin e Zvërnecit, në Vlorë, do të jetë funksionale dhe krejtësisht e re pas disa muajsh.

Ura-ProjektBashkia e Vlorës ka arritur të sigurojë 36 milionë lekë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe pas pak ditësh do të nisë puna për zbatimin e projektit.

Për vetë vendndodhjen gjeografike, bukuritë natyrore, si dhe objektin e kultit në të, mjaft turistë vendas dhe të huaj shfaqin interes për ta vizituar.

Por ura u dëmtua krejtësisht në përmbytjet e vitit 2014, duke bërë që prej asaj periudhe e deri më sot manastiri të braktiset nga vizitorët. Tashmë e vetmja rrugë që të çon në kishën e “Shën Mërisë” në manastirin e Zvërnecit do të hapet përafërsisht pas tre muajsh.

PROJEKTI

Fondi i gjetur nga Bashkia e Vlorës, me iniciativë të vetë kryetarit të bashkisë, Dritan Leli, do të vihet në zbatim jav- ën e ardhshme.

Sipas projektit, ura pritet të ndërtohet me dy degëzime, njëra prej të cilave përfundon në manastir, ndërsa pjesa tjetër do të marrë një formë si gjethe dhe do të shërbejë si ndalesë për vizitorët që të shijojnë lagunën.

Ura do të jetë pa mbrojtëse anësore. Por sipas burimeve të bashkisë, për këtë nuk përjashtohet mundësia e një ndërhyrjeje të dytë, për shkak se ura pa mbrojtëse konsiderohet si rrezik për vizitorët apo fëmijët.

Edhe qytetarët e Vlorës shprehen kundra urës pa mbrojtëse, pasi, sipas tyre, mund të jetë e rrezikshme, sidomos për fëmijët. Ura do të jetë e gjatë 280 metra dhe do të ketë 3 metra gjerësi.

Në krahun e djathtë të urës, ku do të bëhet degëzimi në formë gjetheje me një gjatësi prej 60 metrash dhe gjerësi prej tre metrash, do të krijohet një galeri.

Aty do të vendosen teleskopë apo mjete pamore, që do t’u ofrojë turistëve mundësi për të vëzhguar faunën dhe florën e bukur që ofron ishulli i Zvërnecit dhe Laguna e Nartës. Përveç kësaj, do të ndërtohet objekti infopoint, ku turistët do të kenë mundësi të njihen me historikun e manastirit.

“Ka qenë një obligim dhe një zotim i imi jo vetëm i fushatës elektorale, por që prej ditës së parë që kam nisur punë në Bashkinë e Vlorës. Që në ditët e para të mia si kryebashkiak i Vlorës jam interesuar vetë për rikonstruksionin total të urës së Zvërnecit.

I njohur me problematikën ku shumica e turistëve ktheheshin mbrapa, pasi nuk arrinin të vizitonin një prej atraksioneve në qytetin e Vlorës, si dhe prej tri vitesh festa e përvitshme e ‘Shën Mërisë’ nuk zhvillohej, fillimisht krijuam një rrugë provizore me varka, por që nuk mund të ishte një zgjidhje e përhershme.

Ne si bashki arritëm të siguronim një fond prej 36 milionë lekësh të reja për rregullimin e plotë të urës”, u shpreh kryebashkiaku Leli.

FESTA E “SHEN MERISE”

Prifti i kishës, Papa Jani, shprehet se askush nuk e ka njoftuar atë zyrtarisht për një projekt të tillë, por shpreson që kjo urë të ndërtohet sa më shpejt. Ndërsa at Jan Tereziu shprehet se prej tri vitesh festa e “Shën Mërisë”, që zhvillohet çdo datë 14 gusht, është bërë me vështirësi, pasi kalimi me varka për një numër të madh vizitorësh apo edhe besimtarësh ka qenë i pamundur për të gjithë.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe, shumë turistë apo vizitorë janë detyruar të kthehen pasi nuk kanë mundur të kalojnë në pjesën e ishullit. Ura e manastirit ka pasur një gjatësi prej 286 metrash dhe ndërtimi i saj është bërë që prej vitit 1996 nga Kisha Ortodokse.

Restaurimi total është bërë në vitin 2006 nga Kisha dhe çdo vit është bërë një restaurim i pjesshëm.

At Jan Tereziu shprehet se ura u prish nga përmbytjet dhe vërshimi i Vjosës në vitin 2014. Që prej asaj kohe, rrugë e vetme kalimi ka qenë me varka të ndihmuara nga vetë banorët.

ARMAND XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura